Lajme

Sot takimi i tretë Kurti-Vuçiq në Bruksel, synohet zbutja e tensioneve

Autori: Gazeta inFokus 08:04 | 18 August 2022

Sot në tryezën e Brukselit do të përballet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë shkak për caktimin “rrufe” të takimit, i cili do të mbahet, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, pas më shumë se një viti nga takimi i fundit i nivelit të lartë mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

-Advertisement-

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimeve që ka pasur dje me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se është diskutuar për elemente të kornizës që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

Kurti theksoi se të enjten pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat.

Ai ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë, duke thënë se do të diskutohet për zgjidhje, e jo për shtyrje.

“Është e mundshme që ne nuk do të lëshojmë më 1 shtator sepse edhe Serbia do të heq dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Derisa do të ketë targa të përkohshme në anën e Serbisë, do të ketë të tilla edhe në Kosovë”.

“Ne po diskutojmë për zgjidhje jo për shtyrje, e kemi shtyrë më 31 korrik për datën 1 shtator, por ne shtyrjen e kemi bërë vetëm në momentin kur janë hequr të gjitha barrikadat. Serbia ka hequr dorë nga targat e përkohshme dhe nuk i kemi vënë as ne, tash i kemi letrat ngjitëse. Reciprociteti është parimi. Nuk kemi qëllime të njëanshme dëmtuese”, është shprehur Kurti.

Në anën tjetër Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia po angazhohet që të qetësojë tensionet.

“Veçanërisht theksova se vendi ynë, si gjithmonë deri më tani, është i përkushtuar dhe punon sinqerisht për të qetësuar të gjitha tensionet që nuk i shkaktoi, në përputhje me politikën konsistente për të kërkuar një zgjidhje kompromisi ekskluzivisht përmes dialogut, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, ka njoftuar Vuçiq.

A do të marrë dialogu një kahje finale nesër në Bruksel? Flet ish anëtari i delegacionit të Kosovës

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera