Sport

Sot shorti i Europianit, rrezikojnë grupe ferri dhe përballje të mëdha

Autori: Gazeta inFokus 16:17 | 30 November 2019

Me përfundimin e eliminatoreve të Euro 2020-ës, janë mësuar tashmë 20 skuadrat që do të marrin pjesë në fazën finale në këtij kompeticioni, ndërsa 4 të fundit do të përcaktohen në mars nga Play Off-i i Ligës së Kombeve.

Megjithatë duke filluar nga ora 18:00 e ditës së sotme, në kryeqytetin rumun të Bukureshtit do të nisë edhe hedhja e shortit për fazën e grupeve të Kampionatit Europian, teksa skuadrat janë ndarë në 4 vazo dhe presin të mësojnë rivalët.

Në shorte UEFA ka ftuar 10 ish futbollistë legjendarë si Francesco Totti, Rud Gullit, Marsel Desailly, Iker Casillas, John Sivebaek, Ricardo Carvahlo, Theo Zagorakis, Philip Lahm e Karel Poborsky, si dhe futbollistin në pronësi të Interit, që luan për Lokomotivën e Moskës, Joao Mario.

-Advertisement-

Ndër rregullat që do të mbahen parasysh gjatë shortit, janë që 6 skuadrat pritëse të fazës së grupeve, nuk duhet të përballen me njëra-tjetrën, ashtu si nuk duhet të përballen në grupe as Rusia e Ukraina, për të shmangur tensionet mes tyre.

Ndarja e skuadrave në vazo dhe rregullorja për shortin ka lënë hapësira të mëdha për të pasur përballje “të nxehta” që në start, ashtu si mund të ketë edhe grupe ferri ku mund të vihen përballë 3 skuadra pretendente për të fituar kompeticionin. Shorti do të transmetohet live në ekranin e Supersport 1.

Vazo 1: Belgjikë, Itali (pritëse), Angli (pritëse), Gjermani (pritëse), Spanjë (pritëse), Ukrainë

Vazo 2: Francë, Poloni, Zvicër, Kroaci, Holandë (pritëse), Rusi (pritëse)

Vazo 3: Portugali, Turqi, Danimarkë (pritëse), Austri, Suedi, Republika Çeke

Vazo 4: Uells, Finlandë dhe 4 fitueset e fazës së Play Off-it të Ligës së Kombeve.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera