Kulturë

Sot shfaqet drama “Shkamat” e Fadil Hysajt

Autori: Gazeta inFokus 09:36 | 29 August 2019

Sot prej orës 19:00 në Etno-Fshatin Kukaj do të shfaqet drama “Shkamat” në regji të Fadil Hysajt.

Kjo dramë është realizuar në partneritet me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe është menduar t’u paraprijë aktiviteteve të tjera të KNKK-së për vetëdijesimin e shoqërisë kosovare dhe autoriteteve vendore e ndërkombëtare për çështjen e personave të zhdukur në Kosovë dhe shënimin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Që më shumë se 2500 vjet, arti teatror synon bashkëndjesinë e publikut me personazhet jeta e të cilëve ka pësuar rënie në tragjedi të papërballueshme.

-Advertisement-

Sivjet, Misioni i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë ka lidhur partneritet me regjisorin Fadil Hysaj për ta realizuar dramën e tij “Shkamat”, përmes së cilës synojmë ta rrisim vetëdijen dhe bashkëndjesinë e shoqërisë për gjendjen e rëndë sociale dhe psikologjike të familjarëve të personave të zhdukur.

Siç ka pohuar vetë edhe regjisori Hysaj, drama “Shkamat” është shkruar para shtatë viteve, e frymëzuar nga drama “Karriget”, e Eugene Ionesco-s, që është përdorur si koncept kryesor për dramën “Shkamat”, e cila e trajton çështjen e personave që janë zhdukur gjatë konfliktit të fundit të armatosur në Kosovë.

Kjo dramë e portretizon një çift të moshuar në të gjashtëdhjetat, që jeton në vetmi në malësinë e Gollakut dhe që e pret kthimin e djalit të tyre, që ka munguar që 20 vjet.

Trajtimi i çështjes së personave të zhdukur është para së gjithash çështje humanitare, por ka edhe dimensione politike, gjyqësore dhe ligjore.

E drejta e familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e ndonjë të afërmi të tyre është çështje fondamentale e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe e ligjit për të drejtat e njeriut.

Obligimet ligjore të shteteve janë përcaktuar në Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë së tyre, së bashku me Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë.

Çështja e pazgjidhur e personave të zhdukur i ka rënduar vazhdimisht familjarët e prekur dhe shoqërinë në përgjithësi qe më shumë se 20 vjet, që kur ka përfunduar konflikti në Kosovë.

Sipas të dhënave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ende janë 1653 njerëz të zhdukur në lidhje me konfliktin e viteve 1998-1999.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera