Lajme

Sot bëhen 22-vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës

Autori: Gazeta inFokus 08:01 | 30 April 2021

Sot bëhen 22 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.

Me këtë rast, sot në orën 09:00, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe me kryetarin e komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, vizitojnë Kullën e Ilaz Kodrës.

Ndërsa në orën 09:30, presidentja Osmani së bashku me kryetarët Jashari e Lladrovci bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë dhe në ora 10:00 ata do të bëjnë homazhe për të rënët në Vërboc.

-Advertisement-

Në organizim të komunës së Skenderajt dhe asaj të Drenasit dhe në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të mbahet edhe një turne në futboll në ora 12:00, në Klinë të Mesme.

Ilaz Ismajl Kodra u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.

Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.

Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur.

Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.

Pas betejës së Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e komandantit vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në po thuajse në çdo fshat të kësaj ane.

Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.

Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.

Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci.

Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.

Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.

Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t’i shkuar në ndihmë popullatës.

Herët në mëngjes fillon sulmi i forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra ka luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe. Ai ra në altarin e lirisë më 30 prill 1999, në fshatin Shtuticë.

Në vitin 2012 është zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera