Lajme

Smith thotë se Mustafa mban përgjegjësi penale për vrasjen e personit që u gjet i vdekur në Zllash

Autori: Gazeta inFokus 11:34 | 13 September 2022

ack Smith, prokurori i Specializuar, në seancën e së martës, gjatë deklaratës së tij përfundimtare në gjykimin ndaj Salih Mustafës, tha se i akuzuari mban përgjegjësi penale për vrasjen e një personi dhe se faktet nuk lënë asnjë pikë dyshimi se ai është fajtor sipas krimeve që është ngarkuar

Në fillim, në deklaratën e tij përmbyllëse ai ka deklaruar se është i lumtur që ka privilegjin të flas këtu në përfundim të gjyqit të dytë të gjykatës.

“Puna e kësaj gjykate duhet të bazohen ë viktima. Viktimat duhet të dinë se ky është vendi ku mund të rrëfejnë historitë e tyre pa frikë dhe që përgjegjësia nuk ka datë skadimi dhe se shteti i së drejtës është ai që mbizotëron”, tha ai.

-Advertisement-

Smith tha se kërkon të mendohet viktima, i cili nuk i mbijetoi torturës që ndodhi në kompleksin e Zllashit dhe për të cilin kanë dëgjuar nga familja në këtë gjyq, vrasja e së cilit është pjesë e këtij gjyqi.

Ai pyeti se sa vjeç do të ishte sot kjo viktimë, për të cilin tha se me siguri do të ishte rreth të 50-tave, pyeti se çfarë do të kishte bërë viktima me jetën e tij nuk do të dinë asnjëherë.

“Ndoshta do të kishte pasur jetë të mirë, ndoshta të vështirë, ndoshta do të kishte kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për komunitetin dhe vendin e ti, ndoshta do të kishte fëmijë të tij..”, tha ai ndër të tjera.

Ndërkaq, tha se mund të spekulojnë se çka do të kishte bërë me kohën që do i kishte mbetur në planetin tokë e më tutje, por se nuk do ta dimë asnjëherë dhe se as familja nuk do ta dijë asnjëherë, për shkak të Salih Mustafës dhe atyre që kanë torturuar e vrarë.

“Për herë të parë për më shumë se 23 vite është kjo çështje që u ka dhënë mundësinë për të shprehur dhe folur për dhimbjet dhe vuajtjet që kanë duruar në prill të vitit 1999 dhe se si hija e gjatë e atyre ngjarjeve traumatike vazhdon t’i ndjek sot e kësaj dite”, ka thënë Smith.

Sipas tij, para se të ekzistonte kjo gjykatë, liria për të folur haptazi nga viktimat nuk ka ekzistuar dhe se kjo kërkon guxim.

Smith tha se stigma e përhershme është shkaktuar nga veprimet e të akuzuarit dhe atyre që kanë vepruar në bazë të urdhrave të tij, të cilët kanë etiketuar viktimat si spiunë dhe bashkëpunëtorët të armikut.

Këtë etiketë tha se e kanë bërë në mënyrë të rreme ndaj tyre pasi të njëjtit janë konsideruar se ndoshta nuk e kanë mbështetur mjaftueshëm UÇK-në, ndoshta kanë favorizuar LDK dhe jo UÇK, ndoshta kanë menduar se Ibrahim Rugova dhe jo Hashim Thaçi është personi më i miri për të drejtuar Kosovën dhe për këtë janë burgosur, janë rrahur, janë torturuar, në raste janë vrarë.

“Nuk ishin spiunë, nuk kanë punuar me armikun, ata nuk ishin armiq të Kosovës”, tha tutje Smith.

Sipas tij, ky gjyq ka filluar para 1 viti dhe gjatë këtij viti nuk kanë dëgjuar asnjë gram dëshmi të mjaftueshme për të mbështetur këto pretendime dhe etiketime të pabaza.

Ai tha se viktimat ishin kosovarë, qytetarë, disa prej të cilëve kanë dal vullnetarë në UÇK pasi kanë besuar në luftën e Kosovës.

Sipas tij, për ato të cilët kanë kundërshtuar këtë gjykatë, që kanë kërkuar të pengojnë këtë gjykatë dhe punën e zyrës së tij gjatë gjithë kohës, ky është fakt i pakëndshëm dhe është fakt që nuk do të dëgjohet asnjëherë nga ata që duan të shkatërrojnë ekzistencën e drejtësisë

“Është gjykatë e Kosovës e krijuar nga vullneti i Kosovës dhe u shërben të gjitha viktimave dhe këtu përfshihen shumë qytetarë të Kosovës”, ka thënë Smith.

Ai tha se nuk ka pasur asnjë justifikim për kushtet që janë mbajtur viktimat apo mënyrën si janë torturuar gjatë paraburgimit të tyre.

Prokurori i Specializuar tha se diskutimet në këtë çështje duhet të fillojnë duke pasur parasysh sa të rëndë janë krimet për të cilat flasin dhe nivelin e lartë të dhunës që i janë nënshtruar viktimat.

“Është e rëndësishme të mos harrohet çka kanë vuajtur viktimat dhe për çka akuzohet i akuzuari pasi jo vetëm e ka lejuar, mbështetur dhe ndihmuar, por e ka modeluar këtë dhunë për vartësit e tij. Në kompleksin e paraburgimit të Zllashit të paraburgosurit janë rrahur çdo ditë”, ka thënë Smith.

Tutje, ai përmendi mënyrat se si sipas prokurorisë janë torturuar viktimat dhe dhunën e përdorur ndaj tyre.

Smith tha se më së shumti ka vuajtur personi i ri që ishte vrarë.

Ai tha se ajo që dinë tregon kapërcitërisht që Mustafa ka pasur përgjegjësi për këtë vrasje dhe se e dinë se viktima është dërguar në Zllash me 1 prill 1999 dhe se ky kompleks është kontrolluar nga njësiti BIA.

“E dimë po kështu që BIA dhe ky kompleks ishin nën komandën e të akuzuarit, Salih Mustafa. E dimë po ashtu se me 1 prill i akuzuari ishte i pranishëm atje në këtë kompleks ku ka qenë dëshmitar kur viktima e vrasjes i është drejtuar rojës Muharrem Ajeti te porta e tij, Ajeti ishte ushtar i BIA-së i komanduar nga i akuzuari”, tha Smith.

Tutje, tha se e dinë që viktima është torturuar në kompleks për më shumë se dy javë.

“E dimë që kompleksi i paraburgimit në Zllash ishte vend i vogël i izoluar dhe e dimë që në të njëjtën kohë ky kompleks i vogël i izoluar, i akuzuari e ka provuar vet dhe e kemi nga dëshmitë tjera që i akuzuari ka qenë prezent në kompleks në këtë kohë. E dimë që viktima është veçuar për të trajtuar në mënyrë abuzive”, tha ai duke shtuar se e dinë se është marrë në fillim vendim që të abuzohet më shumë.

Tutje, përmendi dëshmitë e dëshmitarëve që njëri kishte thënë se është rrahur nga gjashtë persona, një rast tjetër që ishte thirrur me thikë dhe se i njëjti ishte mbajtur me pranga.

Tutje, përmendi dëshmi të një dëshmitari tjetër “Kur e kanë sjell në ahur pasi e kishin torturuar, dukej i mbaruar kishte njolla dhe shenja në trup dhe nuk rrinte në këmbë nga të rrahurat, dhe se i njëjti ishte nxirrë nga të rrahurat, ishte i mavijosur, i nxirrë në të gjitha pjesët e trupit dhe nuk ishte në gjendje t’i hapte sytë”.

Ai tha se e dinë që ushtarët që kanë torturuar këtë viktimë ishin nën komandën e të akuzuarit dhe nuk ka pasur komandë tjetër që të kontrollonte këta ushtarë.

“E dimë që kur të burgosurit tjerë janë liruar, viktima e vrasjes bashkë me një të burgosur tjetër nuk është lejuar të dalin, nuk e kanë lejuar të burgosurit tjerë të marrin me vetë këtë viktimë. Nuk kanë lejuar ta merrnin me vete dhe të shpëtonte pavarësisht gjendjes së rëndë që ishte dhe konkluzioni i vetëm që është nxjerre ishte që ai të mos mbijetonte”, tha Smith.

Ai tha se e dinë se i akuzuari ka qenë në kompleks në dy momente kyçe që ka të bëj me këtë krim, me 1 prill kur është dërguar viktima në këtë kompleks dhe kur është marrë vendimi të mos lejohet viktima të dal nga kompleksi me të burgosurit tjerë.

Smith ka bërë të ditur se viktima në korrik ishte gjetur në një varr të cekët afërsisht kompleksit të Zllashit dhe ishte këmbë zbathur dhe me këmbë të thyera që përputhet me dëshminë e njërit dëshmitar që kishte thënë se kur e ka parë për herë të fundit, viktima nuk ka mundur të ecte.

Sipas tij, nuk qëndron pretendimi i të akuzuarit se fajtor për këtë rast janë forcat serbe.

Ai tha se duke pasur parasysh afrimin e forcave serbe, e dinë që arsyeja pse nuk kanë lejuar të lirohet ndryshe nga të burgosurit tjerë është se viktima e ka njohur të akuzuarin, e ka njohur me emrin Salih dhe ka njohur vartësit e tij dhe ka një konkluzion që viktima është veçuar që në fillim për trajtim më të rëndë se sa të tjerët.

“I akuzuari mban përgjegjësi penale për vrasjen e tij dhe faktet nuk lënë asnjë pikë dyshimi se ai është fajtor sipas krimeve që është ngarkuar”, tha ai.

Tutje, tha se ka edhe viktima të tjera që kanë mbijetuar, por vetëm si njerëz të thyer, të cilët kanë rrëfyer çka kanë vuajtur, dhimbjet që kanë.

Ai tha se dëshiron të flas për guximin e viktimave për të folur në gjykatë, në një klimë frikësimi që ekziston në Kosovë.

“Mbani parasysh sa vështirë ka qenë që këto viktima të vinë këtu për të treguar se çka ka ndodhur”, tha Smith.

Tutje, përmendi se një dëshmitari i është thënë të ketë kujdes me emrat që përmend në gjykatë dhe se i njëjti e bërë këtë.

Smith i tha trupit gjykues se do të gjejnë se si i akuzuari është mbështetur në rrjete sociale edhe nga ata që kanë dëshmuar, e se si viktimat nuk kanë pasur mbështetje.

Sipas Prokurorit të Specializuar, provat që provojnë përgjegjësitë e të akuzuarit do të paraqiten nga ekipi i tij.

“Ai nuk ka qenë i munguar apo i palidhur me këtë qendër, ai ka thënë në mënyrë të padiskutueshme- unë jam shtabi, duke nënvizuar autoritetin e tij të plotë dhe përfundimtar ndaj vartësve të tij në BIA. Ai ishte një figurë komanduese në BIA, në të gjitha drejtimet, ai jepte urdhra dhe këto urdhra ndiqeshin”, tha ai.

Tutje, tha se hera e parë që një viktimë u rrah ndodhi në praninë e të akuzuarit, i cili e filloi rrahjen e tij.

“Ai modeloi egërsinë kriminale ndaj vartësve të tij duke marrë pjesë drejtpërdrejt në rrahjen barbare të burgosurve, duke u dhënë atyre leje për të bërë të njëjtën gjë”, tha Smith.

Tutje, ai tha se ka komunikuar në një mënyrë që fjalët nuk mund ta miratojnë dhe pranojnë dhe priste që vartësit e tij të sjellshin në të njëjtën mënyrë.

Ai tha se zyra e tij ka kërkuar një dënim të gjatë me burg për të akuzuarin dhe se këtë nuk e bëjnë me lehtësi, por vetëm pas një shqyrtimi të thellë të gjithë faktorëve.

“Graviteti i akuzave, duke përfshirë efektin shumë të madh që kanë pasur në jetën e viktimave dhe familjet e tyre, është aspekt i rëndësishëm për të marrë parasysh në këtë rast roli i dyfishtë si komandant dhe pjesëmarrës bën një faktor të madh rëndues. Si autor i drejtpërdrejt siguroi që ata që kishin në komandë të trajtonin viktimat me brutalitet. Mungesa e faktorëve zbutës bie në sy në këtë rast, pavarësisht që ka mbrojtur veten kundër akuzave, nuk ka bërë përpjekje të ketë simpati për viktima”, tha ai tutje.

Smith kërkoi që Mustafa të shpallet fajtor dhe të jepet dënimi i rekomanduar.

Fillon gjykimi ndaj Salih Mustafës, ZPS do të paraqesë deklaratën përmbyllëse

Ka filluar seanca e së martës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të paraqesë deklaratën e saj përmbyllëse.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera