Fokus

Skllota pajton Thaçin e Haradinajn

Autori: Gazeta inFokus 09:40 | 04 February 2019

Me të shara e ngritje të zëri, tre muaj më parë, pati përfunduar darka në shtëpinë prej mijëra metrave katror të Behgjet Pacollit në Hajvali, në të cilën edhe u ngrinë raportet mes Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt.

Deri të dielën, në një darkë tjetër me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i pari i shtetit Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj nuk janë takuar  e as nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë mes vete.

Por, kohë pas kohe i kanë dërguar mesazhe thumbuese njëri-tjetrit lidhur me zhvillimet më të fundit për mundësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

“Për besë e kam të vështirë me e komentu postimin e Presidentit për shkak se një kohë të gjatë nuk kemi komunikim ose takime të ndërsjella nuk e di për çka e ka pasur fjalën. Si qeveri e kemi thënë që çdo herë do të punojmë me ekipin negociator për një marrëveshje. Kemi pas takime multilaterale por një me një nuk jemi takuar”, pati konfirmuar ditë më parë Haradinaj mungesën e bashkëpunimit me Thaçin.

Këtë koment kreu i ekzekutivit e bëri një ditë pas një postimi të Presidentit në llogarinë e tij në facebook duke përdorur metaforën e skllotës së borës që shkrihet.

“Bora ka zënë të shkrihet shpejt…, uroj të mos bëhet skllotë”, ka shkruar Thaçi.

Në opinion, ky postim u komentua si aludim në kryeministrin Ramush Haradinaj rreth insistimit të tij që taksa ndaj produkteve serbe të mos hiqet, edhe pas presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar.

Komunikimit në distancë mes liderëve të Kosovës, duket se i ka dhënë fund të dielën në mbrëmje kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkruan gazeta inFokus.

Tra muaj pas “sharjeve”,  atmosferë e relaksuar shihet të ketë qenë në shtëpinë e Presidentit Hashim Thaçi, në bazë të një fotografie ku shihen edhe të gjithë udhëheqësit e koalicionit qeveritarë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, e zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli, janë ulur përsëri në tavolinë pasi kanë kaluar ditët e fundit përplasje të mëdha kryesisht rreth taksës që Qeveria i ka vënë mallrave nga Serbia e Bosnjë dhe Hercegovina.

Kjo duket se ka dhënë efekt të menjëhershëm, shkruan gazeta inFokus.

Të hënën në mëngjes, me po të njëjtën veshje nga mbrëmë, presidenti Thaçi, ia ka mësyrë zyrës së të parit të Qeverisë.

Në një foto të publikuar nga kabineti i Haradinajt dëshmohet shkrirja e “akullit” mes dy liderëve të shtëtit. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera