Lajme

Skenderaj: Subjektet politike nuk merren vesh, Statuti nuk kalon

Autori: Gazeta inFokus 16:49 | 18 October 2020

Një takim konsultativ në mes të subjekteve politike të përfqësuara në Kuvendin e Skenderaj, nuk ka dhënë asnjë rezultat, pasi që subjekte politike kanë mbetur pranë qendrimeve të tyre, për ta votuar apo për mos të mos e votuar Statutin e ri të Komunës.

Në seancen e fundit të Kuvendit të Skenderajt, Bekim Jashari, duke parë se Statuti nuk do të kalojë, ka propozuar që pjesë e Komisionit për Statut dhe Rregullore të jenë edhe nga një përfaqësues i subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, në mënyrë që të harmonizohen qendrimet.

Ai ka propozuar që PDK-ja t’i propozojë dy përfaqësues të vet, për të lënë të kuptohet që dy përfaqësuesit e PDK-së të jenë njëri nga krahu i Sami Lushtakut dhe tjetri nga krahu që përkrah Bekim Jasharin. Por, ishte shefi i asamblistëve të PDK-së, Albert Rexhepi, i cili bëri të ditur se PDK-ja do t’i dërgojë përfaqësuesit e vet, atëherë kur të thirret mbledhja e Komisionit. Kjo nuk i pati pëlqyer Bekim Jasharit, i cili i rekomandoi Rexhepit që t’i propozojë përfaqësuesit e PDK, aty për aty, por ky i fundit mbeti pranë qendrimit të tij, që subjekti politik ta shqyrtojë propozimin e Jasharit e pastaj t’i dërgojë përfaqësuesit në Komision.

-Advertisement-

“PDK-ja është subjekt politik serioz, e shqyrtojmë propozim dhe pastaj vendosim për njerëzit që do t’i dërgojmë”, pati thenë Rexhepi.
E meqenëse Komisioni nuk është mbledhur, Bakim Jashari ka ftuar një takim konsultativ me përfaqësues të subjekteve politike. E në këtë takim, vetëm Vetëvendosje nuk kishte dërguar përfaqësuesin e vet, ndërkaq nga PDK-ja merrte pjesë Albert Rexhepi dhe Ismet Salihu. Ky takim tregoi se nuk ka harmonizim të qendrimeve, pasi që Albert Rexhepi i PDK-së tha se asamblistët e tij nuk kanë ndryshuar qendrim dhe as subjekti politik nuk tërhiqet nga vendimi që ka marrë e ky vendim është që Statuti si i tillë të mos votohet. E për ta votuar, Rexhpi ka shtruar një kusht, që në vend të 11 drejtorive në Statut të jenë 9 drejtori, siç ishte edhe më përpara.

“Nëse bëhet ky ndryshim, do të thotë të hiqen dy drejtori dhe të mbesin 9, ne e votojmë Statutin, në të kundërtën jo”, sqaroi ai.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar mesazhin, se mbetët pranë qendrimeve të veta të mëherëshme, sipas të cilave Statutin e votojnë vetëm atëherë kur Bekim Jashari t’i plotësojë dy kërkesa të tyre, shkarkimin e menjëherëshëm të Ramiz Shalës, drejtor për Gjeodezi, Kadastër e Pronë, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Statut dhe Rregullore, si dhe të zvogëlojë numri i drejtorive prej 11 në 9. Në një deklaratë të LVV – Qendra Skenderaj, i rekomandohet Bekim Jasharit që të gjejë gatishmëri për të bashkëpunuar e jo të “kërkojë alibi shfajësuese për dështimet”.
“Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i ka propozuar Kuvendit komunal ndryshimin e Statutit të Komunës. Ne, Lëvizja VETËVENDOSJE! qendra në Skenderaj, konsiderojmë se për disa nene të statutit janë të mirëseardhura ndryshimet. Pra, në parim jemi PRO. Por, që të krijohen kushtet në të cilat ne si Lëvizje të kontribuojmë në këto ndryshime, e më vonë edhe të votojmë; kryetari i Komunës, Bekim Jashari, duhet ta shkarkojë nga të gjitha përgjegjësitë drejtorin Ramiz Shala, i cili njëherit është edhe kryetar i komisionit për statut dhe rregullore. Për sa kohë, drejtori Ramiz Shala, është njëriu që na e vë përballë kryetari, kjo dëshmon që kryetari në të vërtetë nuk po dëshiron miratimin e ndryshimeve të statutit, por krijimin e situatave për të fajësuar të tjerët për dështimet e tij. Kryetari e ka shansin të dëshmojë që Skenderaj vlen për të më shumë sesa një drejtor arrogant e fyes, i cili gjatë tërë kohës nuk ka bërë gjë të hajrit, përveçse ka shkaktuar me dhjetëra skandale, ka sulmuar e fyer këdo që ka menduar ndryshe nga ai. Legjitimimi si palë vendimmarrëse i drejtorit, Ramiz Shala, do të nënkupton amnestim për të gjitha të bëmat e këtij drejtori skandaloz gjatë këtij mandati. Këtë gjë nuk duam, dhe nuk mund ta bëjmë. Në anën tjetër, duhet të zvogëlohet numri i drejtorive të propozuara në Statutin e ri nga 11 në 9. Me statut do duhej të ishin 9 drejtori. Kjo edhe duke marrë parasysh gjendjen e krijuar pas pandemisë. Nuk kemi pse të rrisim shpenzimet për këto drejtori në këtë fazë, kur edhe drejtoritë aktuale nuk po mund t’i realizojnë objektivat e tyre. Megjithatë, ligjërisht, kryetari pa miratimin e Kuvendit Komunal mund të krijojë drejtori të cilat ai i konsideron të nevojshme. Këtë të drejtë nuk pretendojmë t’ia mohojmë, por as t’ia legjitimojmë në statut. Kemi shumë mospajtime më mënyrën se si po qeveriset në Skenderaj. Por jemi të gatshëm të kontribuojmë kudo, e kurdo për çdo vendim që e konsiderojmë që shkon në dobi të qytetarëve. Sigurisht që për të dhënë këtë kontribut duhet të gjejmë gatishmëri edhe tek qeverisja komunale, e cila më sa duket, më shumë është në kërkim të alibive shfajsuese për dështimet, sesa në kërkim të ndryshimeve të mirëqena e të vërteta. Edhe një herë, shprehim gatishmërinë për të dhënë kontributin tonë në ndryshim të statutit”, thuhet në deklaratën e Lëvizjës VETËVENDOSJE! – Qendra Skenderaj.

Përfaqësues të subjekteve tjera politike në Kuvendin e Skenderajt kanë konfirmuar se do ta votojnë Statutin, por vota e tyre nuk është e mjfatueshme për ta kaluar statutin, pasi që kërkohen 2/3 e votave të kuvendarëve. PDK-ja, krahu i Sami Lushtakut ka 11 asamblistë, Lëvizja Vetëvendosje 2 asamblistë dhe IQ “41000” 1 asamblistë, të cilët nuk do ta votojnë Statutin. Ka mundësi që edhe 1 ose 2 asamblistë të AKR-së të mos e votojë Statutin, nga 3 asamblistë sa ka AKR-ja në Kuvendin e Skenderajt.

Në anën tjetër, Bekim Jashari i ka votat e sigurta të 9 asamblistëve që i janë shkëputur PDK-së, 1 votë të asamblistes së IQ “41000”, e cila ka kaluar në krahun e Bekim Jasharit. Gjithashtu supozohet se Bekim Jashari do të ketë votat e subjekteve politike “Fjala”, LDK, Nisma dhe AAK, të cilat kanë nga një anëtar në Kuvend, pavarësisht se në takimin konsultativ të subjekteve politike disa nga ata nuk kanë dhënë ndonjë qendrim të prerë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera