Lajme

Skënder Hyseni thotë se LDK po sillet si grupacion, paralajmëron marrëveshje për Kryetarin

Autori: Gazeta inFokus 10:56 | 21 July 2019

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ish-ministër i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka hedhur kritika ndaj udhëheqjes aktuale të LDK-së, duke thënë se nuk po di të sillet si parti politike

Hyseni thotë se kryetarët që pasuan Ibrahim Rugovën nuk arritën të gëzojnë autoritetin e duhur, andaj vlerëson se për këtë qëllim po ndodhin problemet brenda këtij subjekti politik.

“Nuk është koha kur kemi pasur një autoritet si Ibrahim Rugova i cili ka vendos lehtë, pasi që çdokush e ka përfillur dhe e ka dëgjuar. Sot kemi një situatë tjetër dhe ne duhet ta shohim. Prej një lëvizje gjithëpopullore LDK-ja po rrëshqet drejt profilizimit si parti politike dhe këtu e shoh një defekt të vogël te LDK-ja, sepse ende nuk është mësuar që të sillet si parti politike, më shumë si lëvizje si grupacion”, thotë ai.

-Advertisement-

Ndërsa për problemet dhe incidentet që e kanë përcjellë LDK’në gjatë procesit të brendshëm zgjedhor, Hyseni thotë se kanë ardhur si rrjedhojë e përshtypjes se kjo parti do të fitojë zgjedhjet.

“Për LDK-në flasin shumë tash, dhe flasin të gjithë dhe kjo është shenjë e mirë në vetvete është tregues që LDK-ja është e rëndësishme për këtë vend është i pazëvendësueshëm edhe si forcë politike edhe si traditë si trashëgimi, ndonjë fenomen që e përcjellë procesin zgjedhorë sidomos në nivel të nëndegëve dhe degëve unë e shoh si rrjedhim i përshtypjes publike që LDK-ja është partia më e fortë në Kosovë më e madhja dhe si reflektim i përshtypjes se LDK-ja si ti fitojë zgjedhjet. Unë besoj që do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, prandaj ka një turr njerëzit me çdo kusht të bëhen pjesë e strukturave”, thotë ai.

Por ai këtë e sheh si një entuziazëm të tepruar i cili nuk do ta dëmtojë LDK-në.

“Unë e shoh vetëm si entuziazëm i tepruar asgjë tjetër, shumë të kalueshëm të dëshirueshëm dhe nuk e besoj që do ta dëmtojë LDK-në në proceset në të cilat po hymë. Është përmbyllur procesi zgjedhor në të gjitha degët. Ka mbetur vetëm edhe një degë e rëndësishme, dega e tretë e Prishtinës, ‘Dega e Ibrahim Rugovës’ po edhe kjo besoj që do të përmbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme, për më tutje shohim e bëjmë”, thotë Hyseni.

Hyseni nuk ka dashur të përmend emra se kush do duhet të jetë kryetar i ardhshëm i LDK-së. Nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e kryetarit, kryesisë dhe këshillit të përgjithshëm.

“Do ta dimë atë ditë kush është apo kush janë varësisht nga veprimet paraprake që do të bëhen. Nuk përjashtoj mundësinë e ndonjë marrëveshje paraprake, konsensuale për të ndërtuar struktura të qëndrueshme udhëheqëse të partisë, edhe kryetari edhe kryesia edhe këshilli i përgjithshëm”, tha Hyseni për ekonomiaonline.

I pyetur nëse është  gatshëm të rikthehet përsëri në ndonjë post ministror, Hyseni thotë se do të japë kontributin aty ku i kërkon partia.

“Unë nuk projektoj dëshira, pretendoj të jem praktik dhe pragmatik dhe në veprimin e duhur të bëjë veprimin e duhur sipas rrethanave që ofrohen. Nuk kam projektuar diçka konkrete çdo gjë varet nga situata nga rrethanat që do të krijohen”, përfundon Hyseni.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera