Skenarët e prapaskenave – A arriti Kurti t’i bëjë numrat për dy ditë? Çfarë loje po luan LVV-ja pesë ditë para seancës konstituive?

Autori: Gazeta inFokus
14:26 | 10 April 2025
Kur kanë mbetur edhe pesë ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ditë kjo që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar si të rëndësishme pasi, sipas tij, është momenti kur partia e tij, si fituese e zgjedhjeve, do të formojë qeverinë e re, situata mbetet e paqartë.
Gazeta Infokus
Që nga ajo deklaratë, Kurti është takuar me disa deputetë, kryesisht nga komunitetet, por duket se nuk ka arritur t’i bindë për ta votuar qeverinë.
Ndërkohë, në deklaratat publike të deputetëve të zgjedhur të LVV-së, kanë plasur kundërthëniet.
Sot, para mediave, deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri, i cili shkoi në Kuvend për t’u regjistruar si deputet, u shpreh me siguri se kanë numrat për formimin e qeverisë:
“Mendoj se po… Numrat janë të deputetëve, 61 e më shumë. Ne e dimë që i kemi numrat, me deputetë të Republikës së Kosovës,” tha Bahtiri me të qeshur.
Një deklaratë të ngjashme dha edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili me të njëjtin disponim tha:
“Patjetër që po, dhe do ta formojmë sipas Kushtetutës me votat e deputetëve të Kuvendit. 61 deputetë i kërkon Kushtetuta, sa më shumë aq më mirë.”
Por një deklaratë krejt ndryshe kishte dhënë vetëm dy ditë më parë nënkryetari i LVV-së dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Pas takimit procedural për seancën konstituive, ai pranoi para mediave se nuk i kanë numrat për formimin e qeverisë, dhe se për këtë arsye Kurti i bëri ftesë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut – një përpjekje që ai e quajti “Skenari B”.
“Vetëvendosja ka qenë shumë transparente gjatë zgjedhjeve. Qëllimi ynë ka qenë të qeverisim pa partitë e tjera opozitare. Por kur nuk e arrin qëllimin, kjo është demokracia – e modifikon rrugës. Nuk është mëkat. Kishim qëllimin për 500 mijë vota, nuk i arritëm – tani jemi në një skenar tjetër, Skenari B,” deklaroi Konjufca.
Por edhe “Skenari B” duket se dështoi. Vetëm një ditë pas kësaj deklarate, kryetari i LDK-së, përmes një reagimi në Facebook, refuzoi ftesën e Kurtit.
“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj LDK-së, unë dhe votuesit tanë nuk e gjejmë veten as për konsultim me Kurtin. Fjalët kanë peshë. Edhe besa që u kemi dhënë qytetarëve tanë ka peshë,” shkroi Abdixhiku.
Skenarët e prapaskenës?
Në opinionin publik ishin përhapur zëra se disa deputetë të PDK-së e edhe të LDK-së mund të votojnë pro qeverisë Kurti 3.
Njëra ndër më të përfolurat ishte deputetja e PDK-së, Kosovare Murseli. Por ajo u dha fund këtyre zërave mbrëmë duke thënë se i qëndron besnike elektoratit të saj.
“Unë jam e Kaçanikut dhe nuk ka asgjë të veçantë në fotografi. Thjesht kemi qenë të radhitur bashkë me deputetë të PDK-së. Unë kam bindjen dhe qëndrimin tim politik dhe i qëndroj besnike elektoratit tim, patjetër PDK-së. Ashtu jemi radhitur, unë kam qenë me Ganimete Musliun dhe Ariana Shohin, dhe ato kanë qenë kolegët e mi në krah,” tha Murseli në emisionin Debat Plus.
Ndërkohë, nënkryetarja e LVV-së dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar më 8 prill se ajo çfarë dihet me siguri është se kryeministri i ardhshëm do të jetë Albin Kurti.
“Ajo çka dihet deri më tani është emri i kryeministrit. Nuk dihen emrat e tjerë që do të mbajnë pozita në Qeveri apo Kuvend. Por kryeministri do të jetë Albin Kurti. Opozita nuk mund ta bëjë qeverinë – ose e bëjmë ne, ose shkojmë në zgjedhje të reja,” u shpreh Haxhiu pas takimit për procedurat e seancës konstituive.

Të tjera
-
Kolonel Bekim Zejnullahu akreditohet atashe i mbrojtjes së Kosovës në Gjermani
Kolonel Bekim Zejnullahu është akredituar atashe i mbrojtjes në Ambasadën e R...
-
Për tre vjet qeveria “Kurti” shpenzoi rreth 30 milionë euro për udhëtime jashtë vendit
Institucionet në vend kanë shpenzuar 29 milionë e 230 mijë euro gjatë tre vje...
-
Si të dilet nga ngërçi në Kuvend?
Në rast se partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje apo kompromis për vot...
-
Aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë, ngacmoi sek* sualisht të miturën në një shkollë të mesme
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër nj...
-
OKB parlajmëron për mashtrime kibernetike në gjithë botën
Rrjete të gjëra kriminale kanë bërë miliarda me mashtrime përmes internetit n...
-
Vinçi rrëzohet në “Rrugën A” në Prishtinë
Një incident i rëndë ka ndodhur sot pasdite në kryeqytet, ku një vinç është r...
-
Kërkohet paraburgim ndaj tre të arrestuarve për kr*me të l*ftës në Kosovë
Të hënën tre persona u arrestuan për krime të luftës në Kosovë. Derisa sot...
-
Vetura përplas këmbësorin në Fushë Kosovë, gjendja e tij e rëndë
Një këmbësor është goditur nga një veturë sot në Fushë Kosovë. Aksidenti ka ...
-
Kroacia të shtunën mban ditë zie për vdekjen e Papa Françeskut
Ditë zie do të shpallet në Kroaci të shtunën për shkak të vdekjes së Papa Fra...
-
Ari thyen rekord historik
Ari ka mbërritur vlera rekorde duke tejkaluar 3500 dollarëshin për ons (28 gr...
-
Prokuroria kërkon paraburgim për tre të arrestuarit për kri* me lu* fte
Tre persona janë arrestuar dje për krime lufte kundër popullatës civile. P...
-
Mediat serbe: Mbyllet restoranti i Milan Radoiçiqit në veri të Mitrovicës
Milan Radoiçiq, një biznesmen kontrovers, i cili pas konfliktit të armato...