Fokus

SKANDALOZE: Qytetarët ankohen se IKSHPK-ja nuk përgjigjet në telefonin për COVID-19

Autori: H. Smajli 10:52 | 22 October 2020

Qytetarët po ankohen se në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike nuk po përgjigjet askush në numrin të cilin e kanë publikuar për të thirrur në rast se një person dyshon se ka simptoma dhe është infektuar nga virusi COVID-19.

Ky numër është “038 200 80 800” dhe Ministria e Shëndetësisë së bashku me IKSHPK-në bënin thirrje që qytetaret të lajmërohen menjëherë në këtë numër në këtë numër nëse dyshojnë se kanë simptoma., shkruan Gazeta inFokus.

Drejtori i Institutit, Naser Ramadani kërkoi nga qytetarët të mos shfaqen në Klinikën Infektive nëse nuk kanë simptoma por fillimisht të thërrasin në këtë numër.

-Advertisement-

“Nëse i keni këto simptome, duhet të telefononi në numrat që i ka hapur Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai. Nuk duhet të paraqiten pa këto shenja në Klinikën Infektive. Edhe nëse i kanë këto shenja tashmë ministria e Shëndetësisë ka siguruar pesë telefona dhe do të sigurojë pesë tjera, të vendosura në Institutin Kombëtar”, kishte deklaruar Ramadani.

Edhe pse ky numër u publikua nga vetë IKSHPK-ja duket se ata nuk e kanë problem nëse telefoni cingëron edhe më shumë se 30 herë dhe ata nuk përgjigjen.

B.M. nga Fushë Kosova ka thënë për Gazetën inFokus se pasi kishte pas kontakt me dikë që ka dal pozitiv me COVID-19 dhe pasi dyshonte se ishte infektuar e ka telefonuar deri në 30 herë në numrin e publikuar nga ky institucion por që asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.

“I kam thirr më shumë se 30 herë në numrin që ata vetë kanë thënë me i thirr por vetëm vazhdon të cingërojë pa përgjigje, kështu që u detyrova me bë testin na laborator privat”, ka thënë ky qytetar.

E i njëjti rast i ka ndodhur edhe qytetares E.R e cila ka deklaruar se ka telefonuar për tre ditë rresht në këtë numër edhe asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.

Ajo po ashtu ka shtuar se qytetarët detyrohen të bëjnë testin në institucione private edhe nëse nuk i kanë mundësitë për këtë, shkruan Gazeta inFokus.

“Rasti është kështu, kam pas simptoma për disa ditë, i kam telefonuar dy ditë rresht Institutin e Shëndetësisë Publike, por asnjëherë s’më janë përgjigjur. Nuk e di ku është problemi me atë numër vetë e kanë publikuar dhe kanë thënë që të telefonojnë aty dhe ata na tregojnë për hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndërmarrim. E problem të tillë nuk kam pas vetëm unë kështu pothuajse e gjithë familja. Nëse nuk përgjigjeni mos i mashtroni qytetarët të humbin kohë duke ju thirr”.

E pas këtyre ankesave, Gazeta inFokus ka provuar edhe vetë që të thërrasë në këtë numër, por nuk janë përgjigjur.

Gazeta inFokus në lidhje me rastin ka kontaktuar edhe me Institutin Kombëtar Publik por edhe Ministrinë e Shëndetësisë, nga të cilët deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë ndonjë përgjigje./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera