Lajme

Skandaloze: Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Mitrovicë të Veriut nuk punoi për dy javë, qytetarëve po iu refuzohen sigurimet e paguara

Autori: Islam Morina 11:43 | 11 October 2021

Qytetarët që po duan t’i regjistrojnë veturat e tyre në Komunën Veriore të Mitrovicës, janë duke u përballur me probleme të një natyre krejtësisht të papërgjegjësisë institucionale.

Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën Veriore të Mitrovicës, nuk ka punuar për pothuajse dy javë për shkak se një punonjës i kësaj qendre ka rezultuar me Covid, shkruan Gazeta Infokus.

Mirëpo qytetarët që kanë paguar sigurimet e veturave gjatë kësaj kohe, kur ka filluar punë Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, nuk ua ka pranuar sigurimet, duke u arsyetuar se nga momenti kur bëhet sigurimi brenda 5 dite duhet regjistruar vetura, gjë që ka qenë e pamundur për shumë qytetarë, ngase ky institucion nuk ka punuar për rreth dy javë.

-Advertisement-

Një qytetar nga Mitrovica i cili ka hasur në problemin e njëjtë i ka thënë Gazetës Infokus, se nuk po mund ta regjistrojë veturën dhe se ai nuk ka faj se qendra nuk ka punuar. Madje ai ka treguar se nga kjo qendër i kanë thënë se i kanë shkruar e-mail Ministrisë së Punëve të Brendshme, por që ende nuk kanë marrë përgjigje se si të veprohet.

“Unë nuk e kam ditur se Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Komunën Veriore të Mitrovicës, nuk është duke punuar dhe kam kryer kontrollin teknik të automjetit dhe sigurimin e autopërgjegjësisë, por kur kam shkuar aty nuk kanë qenë duke punuar ngase një punonjës i kësaj qendre kishte dalë pozitiv me Covid – 19. Kur shkova sot më thanë se sigurimi i veturës është bërë më shumë se 5 ditë më parë dhe se nuk vlen më. Kur u thash se ne nuk kemi faj se ju nuk keni punuar, më thanë se i kanë shkruar MPB-së dhe se ende nuk kanë marrë përgjigje se si të veprojnë në këtë rast. Kjo është pa përgjegjësi totale, fundja çfarë faji kemi ne se ata nuk kanë punuar”, i ka thënë Infokusit gjithë mllef qytetari që nuk i është pranuar sigurimi i autopërgjegjësisë nga qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Komunën e Mitrovicës së Veriut, ani pse kjo qendër ka qenë e mbyllur për rreth dy javë.

Ai ka treguar se edhe pse vetëm njëri nga punonjësit ka qenë i infektuar me Covid, qendra ka qëndruar e mbyllur e tëra, kurse punonjësit e tjerë i ka parë tek shëtitën nëpër sheshet e Mitrovicës, gjatë gjithë kohës sa qendra nuk punonte./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera