Lajme

Skandaloze| Inspektorati Shëndetësor heshtë për skandalin me teste për coronavirus

Autori: Gazeta inFokus 15:53 | 09 July 2020

Asnjë nga zyrtarët e inspektoratit shëndetësorë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë marr mundin të dalin në terren për të parë se si po kryhen ilegalisht testet për Covid-19 në laboratorin privat “Avicena-ks”, në Prishtinë.

Gazeta inFokus ka raportuar të mërkurën bazuar në dëshmi të qytetarëve për mënyrën e fshehtë të testimit dhe dyshimet për saktësinë e testeve në këtë laborator privat në lagjen Arbëria.

LEXO EDHE: Skandaloze: Testime ilegale për coronavirus në laboratorin privat në Prishtinë

-Advertisement-

Megjithatë, doktoresha Nora Krasniqi përgjegjëse në inspektoratin shëndetësore e as Faik Hoti përgjegjës për komunikim me publikun në Ministri të Shëndetësisë nuk kanë dhënë asnjë shpjegim lidhur me rastin.

Bazuar në të dhënat e raportuara, nga maji i këtij viti mësohet se ka kryer vetëm testime të shpejta, ndërsa nga kjo javë ka filluar edhe testimin me metodën PCR për coronavirus.

Gazeta inFokus, ka gjetur se përkundër vendimit zyrtar që testimet mund të bëhen vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kjo po bëhet në fshehtësi nga ky laborator privat me çmim nga 50 euro për test të shpejtë, deri në 120 euro për test PCR.

Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën inFokus vetë dëshmitarët të cilët kanë kryer teste në këtë laborator.

Zyrtarisht në Kosovë, asnjë klinikë apo laborator privat nuk ka leje nga institucionet kompetente për të bërë testimet PCR, për të përcaktuar nëse virusi është aktiv.

Megjithatë, pas rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë, kryeministri Avdullah Hoti, më 5 korrik ka thënë se Qeveria e Kosovës, planifikon që të licencojë institucione private të kujdesit shëndetësor për të kryer testime.

Por, në këtë laborator nuk duket se kanë pritur qeverinë të marrin vendim, ata kanë publikuar edhe në faqen e tyre online të dhëna se si mund të drejtohen qytetarët për këtë shërbim.

“Kapaciteti është deri në 50 teste në ditë, me çmim nga 20€. Testimi kryhet vetëm me një termin të caktuar, që bëhet paraprakisht përmes numrit të telefonit 049 xxx xxx, që është në dispozicion në intervalin kohor 08:00-20:00”, thuhet në njoftimin që kanë vënë në faqen zyrtare të këtij laboratori.

Gazeta inFokus ka kontaktuar me zyrtarët e këtij laboratori për të marr përgjigje lidhur me testet që bëjnë, por pavarësisht premtimit për të dhënë shpjegime, askush nuk është deklaruar.

Megjithatë Gazeta inFokus është në pritje të përgjigjeve nga ky laborator./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera