Fokus

Skandaloze: Dallaveret me teste e me aparate për COVID-19 në komunën e Dragashit

Autori: H. Smajli 11:58 | 10 November 2020

Komuna e Dragashit, konkretisht Drejtoria e Shëndetësisë, para disa ditësh ka hapur tenderë për teste serologjike për COVID-19.

Këto teste në shumicat e komunave në Kosovë, po bëhen nga Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, por se ku do të bëhen këto teste në Dragash ende nuk dihet, shkruan Gazeta inFokus.

Drejtori i Shëndetësie në këtë komunë, Behar Brenolli ka thënë për Gazetën inFokus se testet serologjike për të cilat është shpall tenderi do të bëhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, siç edhe bëhen në çdo komunë tjetër.

-Advertisement-

“Testet për të cilat ne kemi hap tenderë do të bëhen në QKMF dhe do të fillojmë të bëjmë këto teste serologjike, si në krejt Qendrat Kryesore Familjare në Kosovë”, ka thënë Brenolli duke mos dhënë detaje të tjera.

Mirëpo të kundërtën po e thonë nga QKMF-ja e Dragashit.

Agim Dauti, shef i laboratorit në QKMF në Dragash po e akuzon Drejtorin e Shëndetësisë, që ka bërë dallavere me këtë tender që komunës do ti kushtojë 125 mijë euro.

Madje edhe me aparate laboratorike.

Sipas tij, Brenolli e dërgoi fshehtas tyre, aparaturën “Vidas” në të cilën mund të bëhen testet për të cilat drejtoria e Shëndetësisë ka shpall tender, në fshatin Brodosan e jo në QKMF siç ka deklaruar vetë Brenolli.

“Drejtori i Shëndetësisë, na ka anashkaluar, neve si QKMF, ne nuk e kemi ditë që ka aparat tjetër as unë dhe as drejtori i QKMF-së, ka shkuar te tjerët domethënë në QMF-në e fshatit Bodosan pa e ditë ne. Ne e kemi aparatin tjetër që është donacion, donacionin e ka anashkaluar drejtori i shëndetësisë në Dragash, e ka pru një aparat pa dijen tonë, dhe e ka dërguar fshehtas në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Brodesan. Ai aparat është i vjetër është Vidas, testi në të kushton 12 euro e buxheti i komunës diku dëmtohet për 125 mijë euro, a testet e këtij aparatit që e kemi ne i cili është  “Magnum 1” që e posedojmë na testi kushton diku 5 euro ose pak më shumë se 5 euro. Na këtu nuk i pranojmë ato teste, se nuk kemi aparaturë për ato teste, që Drejtoria e Shëndetësisë ka shpall tender, tek ne nuk vinë ato sepse s’kemi aparat nuk posedojmë aparaturë për ato teste. Ne e kemi bë kërkesën për aparatin këtë që e kemi tani donacion por Branolli e ka hedh atë kërkesë dhe e ka bërë kërkesë tjetër në mënyrë të pavarur”, ka thënë Dauti për Gazetën inFokus.

E sipas Dautit aparati tjetër është i vjetër dhe ka ardhur pa kurrfarë dokumentacioni, shkruan Gazeta inFokus.

“Aparati tjetër të cilin pa dijen tonë drejtori i Shëndetësisë e ka dërguar në një Qendër në periferi, aparati është Vidas i përdorur i vjetër, i cili aparat ka ardhur pa dokumentacion për të cilin nuk kemi qenë të informuar, unë si shef i laboratorit jam i pa njoftuar. Dhe drejtori ka ardhur tek ne dhe ne pa dijë kemi dhënë informatën e aparatit që e posedojmë tek ne, bëhet fjalë për Magnumin 1, dhe kemi bërë kërkesën ne bashkë te Drejtoria e Shëndetësisë, dhe kërkesën që ne e kemi bërë ai e ka gjuajt dhe e ka favorizuar një operator”, ka shtuar ai.

Këtë për Gazetën inFokus e ka konfirmuar edhe Ramadan Jashari, Drejtori i QKMF-së në Dragash.

“Po është e vërtet, dje jam informuar nga Drejtori i drejtorisë, Behar Brenolli që thotë se një pajisje aparat laboratorik është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Brodosan. Në pyetjen se pse nuk është sjellë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Branolli nuk dinte të jepte përgjigje, si duket ky dëshiron të favorizojë dikë. Është bërë ndryshimi i këtyre dhe është favorizuar një firmë. Edhe unë me vonesë e kam marrë vesh se janë ndryshuar paramasat të cilat e favorizojnë vetëm një operator ekonomik”

Jashari ka theksuar se testet duhet të bëhen në QKMF por që ende nuk e di se çfarë do të ndodhë, pasi testet për të cilat Drejtoria e Shëndetësisë ka shpall tender janë të aparaturës tjetër, Vidas e të cilën nuk e posedojnë ata si QKMF.

“Testet me rregull duhet të bëhen tek ne, ne kemi aparaturën dhe kemi kapacitete të mjaftueshme për të kryer këto teste. Neve aparaturën e kemi donacion.  Ndërsa aparatura tjetër është dërguar në Brodosan në mënyrë klandestinë as unë si drejtori i QKMF-së në Dragash nuk kam qenë i informuar. Edhe ai aparat është i vjetër sipas asaj që më ka thënë laboranti në këtë QMF. Testet si rregull duhet të vinë tek ne në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash e pastaj nëse hapet edhe një pikë, përndryshe ne funksionojmë si qendër pastaj duhet të shkojnë Qendra të Mjekësive Familjare në fshatra apo në ambullanta, që janë të nivelit të dytë e të tretë”, ka theksuar ai./Gazeta inFokus/ 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera