Lajme

Skandali me rezervat shtetërore, avokatura shtetërore ushtron padi –  dokumentohet mungesa e grurit, dëmi vlerësohet 2 milionë euro

Autori: Gazeta inFokus 17:35 | 08 October 2024

52.5 ton grurë të destinuara për Rezervat Shtetërore të Mallrave nuk erdhën kurrë, edhe pse Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pagoi afër 5 milionë euro për blerjen e një sasie të plotë prej 10 mijë tonësh.

Mungesa e 52.5 tonëve të grurit, për të cilat Ministria e Tregtisë e angazhoi kompaninë turke “YAFE TURIZM INSAAT SANAYI VE TICARET ANONIM SIRKETI” përmes një kontrate të klasifikuar “sekrete”, dëshmohet në një padi të cilën e ka siguruar Paparaci.

Padia është ushtruar nga Avokatura Shtetërore, e cila e përfaqëson Ministrinë e Tregtisë në këtë lëndë.

-Advertisement-

Kontesti është parashtruar në Gjykatën Komerciale në Prishtinë fiks gjashtë ditë pas raportimit të portalit Nacionale për skandalin e Rezervave Shtetërore dhe mungesës së një sasie të grurit.

Deri të hënën e 3 gushtit, kur Avokatura Shtetërore parashtroi padi kundër kompanisë turke “YAFE TURIZM INSAAT SANAYI VE TICARET ANONIM SIRKETI” kishin kaluar 18 muaj nga pagesa pesë-milionëshe.

Për 18 muaj, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk e kishte bërë asnjë hap për ta vënë para përgjegjësisë, siç parashihej në kontratë, kompaninë me të cilën kishte negociuar në mënyrë sekrete dhe nga e cila kishte blerë 10 mijë ton grurë.

“Përmbushje e kontratës – kthim i mjeteve të paguara më tepër”, thuhet në objektin e padisë, të ushtruar nga Avokatura Shtetërore kundër kompanisë turke “YAFE TURIZM INSAAT SANAYI VE TICARET ANONIM SIRKETI”.

Dëmi që pretendohet t’i jetë shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm për grurin e dedikuar për mbushjen e Rezervave Shtetërore, kap vlerën e 2 milionë eurove, thuhet në padi.

Sipas padisë, kontrata për furnizim me 10 mijë ton grurë mes MINT-it dhe kompanisë private nga Turqia është nënshkruar më 14 mars të vitit 2022.

Vlera totale e kontratës peshon 4.834.778,00 euro. Pagesa përmes pro-faturave nga Ministria e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë ishte realizuar katër ditë para nënshkrimit të kontratës, më 9 mars 2022, dëshmon një faturë të cilën e ka siguruar Paparaci.

Megjithatë, pavarësisht prej faktit se MINT-i i kishte kryer pagesat, 52 tonë grurë nuk kishin ardhur kurrë.

“Ndërsa nga ana tjetër kompania turke nuk i ka përmbushur detyrimet e veta kontraktuale, pasi që nga sasia e porositur mungonin 52.5 ton grurë sipas matjeve të mullistëve. Më saktësisht nga matjet e bëra është konfirmuar se në Kosovë kishin arritur vetëm 9947,5 ton, ndërsa pjesa tjetër mungonte”, thuhet në padi.

Kompania turke, me të cilën kishte lidhur marrëveshje MINT-i, pretendonte se sasia e munguar mund të jetë zhfukur gjatë rrugës.

“Pas njoftimit për mungesën e cilësisë së kontraktuar të grurit, kompania turke tani i paditur e ka kundërshtuar mungesën e sasisë së grurit me arsyetimin se në portin turk e ka dorëzuar tërë sasinë e kontraktuar, duke pretenduar se mund të ekzistojë mundësia që gjatë rrugës qoftë me anije apo edhe me kamionët bartës të jetë zhdukur”, shkruhet në padinë e ushtruar nga Avokatura Shtetërore.

Përfundimisht, MINT-i i ka propozuar Gjykatës që të nxjerrë vendim në favor të shtetit. Të detyrojë kompaninë turke që ta sjell pjesën e mbetur të grurit të munguar ose të paguajë një shumë parash që pretendohet të kap vlerën e 2 milionë eurove.

“Në emër të përmbushjes së detyrimeve kontraktuale të dala nga kontrata e datës 14.03.2022 t’ia sjell paditëses Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sasinë e munguar të grurit prej 52.5 ton ose në të kundërtën ta detyrojë të paditurin Yafe Turizm Insaat Sanayi, që shumën e cila do të caktohet më saktësisht me ekspertizë financiare t’ia kthejë paditëses në llogarinë e vetme bankare të Thesarit në afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.

Paparaci, ka raportuar të hënën për përfshirjen e ministres Rozeta Hajdari dhe kryeministrit Albin Kurti në aferën e Rezervave Shtetërore.

Dosja e rastit, të cilën e ka siguruar Paparaci, i implikon edhe dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, dy kompani private turke e polake dhe sekserin Ridvan Muharremi.

Hulumtimi përmban vendime të dyshimta të shefit të qeverisë, komunikime me e-maile të ministres së Tregtisë direkt me Ridvan Muharremin, sekserin i cili ndërmjetësoi mes qeverisë dhe kompanive, si dhe pro-faturat për mallin.

Ajo, duke ua anashkaluar kompetencat e komisionit të caktuar për negocimin e kontratave, i merr përsipër negociatat me kompanitë private përmes komunikimit direkt me e-maile me ndërmjetësuesin Ridvan Muharremi.

“I nderuari zotëri Ridvan”, i drejtohet me e-mail ministrja Hajdari, afaristit Muharremi. “Jemi në urgjencë të gjetjes së rezervës për vaj gjersa kemi manipulime të çmimeve në treg”.

Dhe, komunikimi vijon: “Kemi nevojë për rezervën shtetërore për 200,000 litra vaj. Ju lutem a mund të na dërgoni ofertën sot”.

Ky komunikim është realizuar më datë 14 mars të vitit 2022, tregojnë dokumentet të cilat i ka siguruar Paparaci. Në dijeni për këtë komunikim ishin vënë edhe u.d. i Sekretarit të Përgjithshëm të MINT-it, Irfan Lipovica dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara.

Në një komunikim tjetër përmes e-mailit, më 14 shkurt të 2022-s, ministrja Hajdari u drejtohet drejtpërsëdrejti Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit që t’iu vihej në dispozicion formulari për regjistrim të kompanive për pagesa.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka po ndodh me DITËLINDJEN e Viva Fresh Store?!
-Advertisement-

Të tjera