Opinione

Skandali austriak godet nacionalizmin evropian të ushqyer nga Rusia

Autori: Gazeta inFokus 18:39 | 22 May 2019

Shkruan: Agron HOTI

Me qëllim të tejkalimit të gjendjes dëshpëruese që mbretëronte pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, dhe jo vetëm, SHBA-të mbështetën fuqimisht një model që bazohej fuqishëm në zhvillimin e demokracisë dhe mirëqenies sociale në Evropën Perëndimore. Ky mega-transformim i Evropës mbështetej nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar si dy institucionet financiare më me ndikim në glob, të cilat koordinuan politikat ekonomike mes shteteve duke u siguruar këtyre të fundit fleksibilitet për të vepruar për interesa të tyre nacionale dhe në interes të rritjes së mirëqenies së përgjithshme sociale.

Në vitet e fundit jemi duke përjetuar rritje të nacionalizmit popullist gjithandej Evropës. Këto forca tashmë kanë shtrirë ndikimin e tyre në pothuaj të gjitha vendet evropiane, me theks të veçantë në BE. Këto forca të së djathtës ekstreme janë duke sfiduar seriozisht përpjekjet e SHBA-së pas Luftës së Dytë Botërore, për të krijuar dhe fuqizuar një rend liberal, i cili për synim kishte baraspeshimin e nevojës mes rritjes së bashkëpunim ndërkombëtar dhe kërkesave ekzistuese të popujve për pavarësi sa më të madhe nacionale. Sigurisht që kjo dinamikë globale liberale mbështetej dhe promovohej nga SHBA-të me qëllimin e vetëm të mënjanimit të frymës agresive nacionaliste që mbizotëronte që qendër të Evropës, e cila ishte dëshmuar shkatërruese mes Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Pas rënies së komunizmit dhe intensifikimit të globalizmit, rendi liberal kishte filluar të sfidohej gjithnjë e më shumë. Kjo sepse kontrolli politik i menaxhimit të kapitalizmit që kishte funksionuar pas Luftës së Dytë Botërore deri në rënien e komunizmit, kishte filluar t’u ikte nga dora gjithnjë e më shumë forcave politike të botës së zhvilluar. Krijimi i Zonave të Tregtisë së Lirë anembanë globit dhe humbja graduale e sovranitetit të shteteve duke bartur e përgjegjësitë e tyre te organet drejtuese të këtyre Zonave të Tregtisë së Lirë dhe integrimeve të ndryshme rajonale siç është BE – gjithnjë me qëllimin parësor të përshtatjes ndaj interesave trans-nacionale dhe tregjeve ndërkombëtare – ka ndikuar që qytetarët e shteteve të pasura ta ndiejnë veten të përjashtuar nga vendim-marrja politike.

Dhe pikërisht këtu fillon dhe lind fenomeni i nacionalizmit popullist, i cili ka filluar ta mbërthejë Evropën. Sipas një analize të BBC-së të muajit prill 2019 shihet se janë 17 shtete evropiane në të cilat nacionalizmi është në rritje. Tri shtetet të cilat prijnë në listë me nacionalizëm në rritje janë Zvicra (29% të votave nga Partia Popullore Zvicerane), Austria (26% Partia e Lirisë) dhe Danimarka (21% Partia Popullore Daneze). Sigurisht që një pasqyrë e tillë përbën sfidë dhe sinjalizon projeksione të rrezikshme për të ardhmen e projektit Evropian. Se në ç’masë do të fitojnë këto parti mbetet të shihen rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që do të mbahen prej 23-26 maj 2019.

Shqetësimi i forcave pro-evropiane është plotësisht i bazuar, kur kihen parasysh qëllimet dhe veprimet e këtyre forcave politike të ekstremit të djathtë, për kundërvënien e të cilave kërkohet veprim i përgjegjshëm, i koordinuar dhe mirë-menduar shumë mirë ndaj këtyre forcave që për synim kryesor kanë shkatërrimin e projektit Evropian dhe kthimin e pasigurisë anë e mbanë Kontinentit Evropian. Nuk janë shumë të largëta në kohë projekte nacionaliste që patën dërmuar kontinentin e Evropës me dëmet e pariparueshme, të cilat i pati përjetuar jo vetëm Evropa, por tërë bota.

Ajo që është duke ushqyer më konkretisht rritjen e ndikimit të së djathës ekstreme nëpër shtete të ndryshme të BE-së është ndjenja kundër elitave politike qeverisëse, frika nga globalizimi dhe humbja e vendeve të punës, migracioni ilegal dhe stagnimi i zhvillimit ekonomik gjithandej BE-së. Të gjithë këta faktorë është duke i shfrytëzuar Rusia, e cila ka filluar ta shtrijë ndikimin e saj kryesisht te ato forca që janë pak a shumë në linjë me projektin rus dhe që për synim kanë shkatërrimin e BE-së.

Nxjerrja e rezolutës së Parlamentit Holandez për ri-vënien e vizave për qytetarët e Shqipërisë, të cilët sipas statistikave zyrtare të shtetit holandez janë pothuaj in-ekzistent në Holandë sa i përket krimit të organizuar, pastaj izolimi i pakuptimtë dhe deri në absurd i qytetarëve të Kosovës në kohën kur bota po shkon drejt hapjes e jo izolimit, pastaj dobësimi dhe pse jo ç’orientimi i vendim-marrjes politike të shteteve kyçe të BE-së, flirtimet haptazi të profileve të larta të politikës evropiane me segmente të shtetit rus dhe pse jo kinez, janë disa nga simptomat e rënda që kanë kapluar projektin Evropian.

Të gjitha këto forca ekstreme të mbështetura kryesisht nga Rusia janë duke bërë të pamundurën që shqiptarët të mos avansojnë as edhe një hap të vetëm drejt BE-së. Ri-konsolidimi i shtetit rus përmes Putinit, së paku përkohësisht, dhe përdorimi i energjisë si instrumenti kryesor të politikave ekspansioniste ruse përbën sfidë për shqiptarët drejt BE-së në përgjithësi.

Pyetja që do të duhej të shtrohej është kjo: A u publikua video-skandali i Zëvendëskryeministrit Austriak, Strache, në momentin më delikat për të ardhmen e BE-së? A ishte i nevojshëm një shpërthim i tillë? Kjo më së miri mund të kuptohet nga deklarata (menjëherë pas publikimit të videoskandalit) e Kancelares Merkel më 18 maj 2019, në Zagreb, pas, ku u bënte thirrje politikanëve evropianë që të zgjohen dhe të ballafaqohen me të djathtën ekstreme.

Zonja Merkel nga Kroacia bëri me dije se e djathta ekstreme evropiane ka për synim shkatërrimin e projektit Evropian dhe se “nacionalizmi është armiku i projektit Evropian, dhe këtë duhet bërë të qartë në ditët e fundit para zgjedhjeve”. Poashtu, reagimi i shpejtë i Kryeministrit Austriak ndaj kësaj afere, dëshmonte se sa ishte vështirësuar vendim-marrja politike në Austri si rezultat i politikave anti-evropiane të krahut të djathtë që bashkëqeveriste me Kryeminstrin Kurz.

Pra, Evropa duhej të ndërmerrte diç për të ndërprerë diskursin e mbrapshtë që kishin instaluar partitë e së djathës ekstreme. Shpërthimi i video-skandalit në Austri është goditja e parë serioze, por jo vendimtare ndaj këtyre forcave, të cilat në njërën anë duan të shihen si ‘Parti për Popullin dhe të Popullit’ e në anën tjetër bëjnë marrëveshje të fshehta për rrënimin e demokracisë dhe vlerave evropiane si dhe për shkatërrimin e projektit Evropian aq shumë të dëshiruar nga qytetarët evropianë, dhe orientimin e politikave të BE-së në favor të interesave ruse e kineze.

Mbetet të shihet se si do të përgjigjen, nëse do të mund të përgjigjen, qeveritë e shteteve tjera të vendeve të BE-së ndaj këtyre forcave të djathta, të cilat që nga kriza financiara globale e vitit 2008 dhe krizës financiare që pati goditur në zemër Eurozonën, sidomos Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë, si dhe krizën e refugjatëve sirianë, kanë shfrytëzuar me përpikëri mjedisin politik duke kontaminuar dhe anatemuar establishmentin politik gjithandej BE-së.

Shikuar të gjitha që u përmendën më lartë mbetet të shihet nëse Bashkimi Evropian do të hapë negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë besueshmëria BE-së karshi qytetarëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor do të shënonte rënie të lirë duke kontribuar kështu edhe më tej thellimin e krizës në rajon, të cilën tabloidi gjerman “Bild” duke iu referuar zhvillimeve politike në Shqipëri jo rastësisht e kishte titulluar “Ballkani po digjet”. Çdo destabilizim i Shqipërisë dhe rajonit do të çonte ujë te interesat ruse, ndërsa çdo avansim i rajonit do të mbante gjallë projektin Evropian.

Nëse BE nuk do të jetë në gjendje që në takimin e qershorit 2019 të ecën përpara me Shqipërinë dhe Maqedoninë duke u hapur negociatat të dyja vendeve, atëherë kjo do të konfirmojë pakënaqësinë e qytetarëve për paaftësinë e BE-së për të zgjidhur çështje specifike, përfshirë këtu dhe çështjen e migracionit dhe sfidat ekonomike. Askush nuk mund të garantojë që pas referendumit për Brexit-in, nuk do të kemi edhe referendume tjera, të cilat nëse do të ndodhnin, do të fundosnin përfundimisht projektin Evropian.

Të tjera