Fokus

Skandal|Fëmijëve u shiten stimulues për seks në shkollën “Maarif” në Prizren

Autori: Zekirja Shabani & Xhejlane Kaçiu 15:10 | 26 February 2019

Nxënësve të “Shkollës Ndërkombëtare Maarif” në Prizren u hyri frika në palcë, kur ilaçi i “inteligjencës” filloi të jepte efekt. Hapi për të cilin kishin paguar nga një euro, në vend të njohurive, po ua shtonte dëshirën për seks fëmijëve.

Dhjetë prej tyre po prisnin vdekjen brenda 24 orëve, siç u kishin thënë shokët në shkollën e vetme të autorizuar që të zhvillojë aktivitetet arsimore të Turqisë, jashtë këtij vendi.

E tërë situata, në të cilën është përfshirë edhe fëmija i një politikani kosovar, është mbajtur e fshehtë nga udhëheqësit e shkollës dhe vetë prindërit. Të parët për të ruajtur imazhin e shkollës, ndërsa të dytë kanë zgjedhur të mos flasin në publik për të shmangur telashet me shtetin e Turqisë për shkak të lidhjeve afariste dhe familjare që kanë.

-Advertisement-

Gazeta inFokus, ka siguruar dëshmi të skandalit që vuri në rrezik jetën e dhjetëra nxënësve, e që u fsheh për afro një muaj.

Me qëllim të ruajtjes së identitet të fëmijëve dhe mundësinë që ata të ekspozohen, inFokus nuk do të publikoj asnjë informatë që në çfarëdo forme çon drejtë identifikimit të tyre.

Në kushte anonimiteti prindërit kanë rrëfyer se rasti ka ndodhur brenda objektit të shkollës, ndërsa nxënësit kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore.

Megjithatë, organet e rendit duket se nuk janë njoftuar fare me këtë situatë.

Rrëfimi i prindit për fëmijën që piu “Kamagra” në shkollë

Gazeta inFokus ka mësuar se gjithçka kishte ndodhur me 23 janar të këtij viti, kur një nga nxënësit e “Shkollës Ndërkombëtare Maarif” në Prizren kishte sjellë në shkollë disa pako me substanca stimuluese seksuale të llojit “Kamagra”. (Kamagra është një lloj stimuluesi seksual i ngjashëm me Viagra – molekula Sildenafil)

Bashkë me dy shokë të tjerë u kishte shitur nga një euro këtë barë së paku dhjetë nxënësve të kësaj shkolle me arsyetimin se do t’ua rriste inteligjencën.

“Pasi e kanë pi këtë hap u kanë thënë se brenda 24 orëve keni me vdek”, tregon ngjarjen një nga personat e afërt me këtë situatë, i cili nuk dëshiron të identifikohet.

Në këtë rast, sipas tij, fëmijët i ka kapur paniku dhe është alarmuar shkolla.

“Nxënësit të turpëruar kanë biseduar me prindërit dhe ata janë interesuar se çfarë ka ndodhur. Kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore për fëmijët e tyre dhe disa veç se është dashur të marrin terapi”, thotë ky burim.

Këtë e konfirmon edhe njëri nga prindërit për të cilin gazeta inFokus ka mësuar se fëmija i tij është trajtuar nga mjekët.

Megjithatë, ai mohon që fëmija i tij të ketë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, por pranon se ka marrë ilaçin stimulues seksual.

“Ai është fëmijë 11-vjeçar edhe mundet me u mashtru si çdo fëmijë. … Është fakt që dmth kanë shit fëmija aty, por fëmija nuk kanë pas kurgjo, nuk kemi kurrfarë komplikimi. Kemi mendu mos ka dhanë naj drogë a najcka. Fëmija janë mirë edhe sa e di unë ndaj atyre nxansave janë ndërmarrë masa, janë përjashtu prej shkollës”, ka thënë për gazetën inFokus njëri nga prindërit.

Nxënësit që ia kishin shitur birit të tij barin, ishin më të rritur dhe një klasë tjetër.

“Po, kanë qenë nxënës pak ma të rritun, në klasën e 9. Nuk e kemi paraqit rastin në polici por veç me shkollën jemi marrë. Shkoni në shkollë edhe i merrni krejt informatat”, është shprehur ai.

Ndërsa nëna e njërit nga nxënësit tjerë me të dëgjuar për interesimin e gazetës është larguar nga takimi duke mos dashur të zbuloj detaje se çfarë ka ndodhur me djalin e saj.

Flet mjeku që e kontrolloi njërin nga nxënësit

Pas shumë insistimeve të gazetës inFokus, zyrtarë të shkollës “Maarif” kanë konfirmuar skandalin me stimulues seksi.

Edhe pse në takim me gazetarë drejtori i përgjithshëm i Fondacionit “Maarif”, Mesut Ozbaysar dhe zyrtari tjetër Nexhmi Syla kanë konfirmuar se ngjarja ka ndodhur në shkollë, në përgjigjen përmes e-mailit kanë thënë se “nuk bëhet fjalë për shitblerje të ndonjë ilaçi brenda ambienteve te shkollës tonë”.

Megjithatë, mësohet se për shkak të përfshirjes në këtë rast, janë larguar tashmë dy nxënës të cilët dyshohen si kryesorët që shitën këtë stimulues dhe ndaj një tjetri janë marrë masa disiplinore.

“Duke u bazuar në deklaratat e nxënësve të cilët janë të implikuar në këtë rast, bëhet fjalë për një shaka të cilën ata kanë dashur të ua bëjnë shokëve, ndërsa transferimi i tyre është bërë me kërkesën e prindërve”, kanë thënë në përgjigjen e tyre zyrtarët e “Maarif”.

Sipas tyre ngjarja nuk ka qenë e një natyre e cila do të kërkonte ndërhyrjen e policisë, madje as nuk ka pasur nevojë për intervenim shëndetësor.

“Në shkollën tonë, merren të gjitha masat parandaluese të cilat rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e nxënësve. Gjithashtu në shkollat tona kemi të angazhuar rojën e sigurisë, pedagogen dhe psikologen, si dhe për raste kur ka nevojë për ndërhyje shëndetësore kemi të angazhuar infermieren”, thonë nga “Mariff”.

Por, situata del të jetë krejt ndryshe në realitet.

Gazeta inFokus ka gjetur se njëri nga nxënësit pasi ka pirë kamagran është dërguar nga prindi i tij në emergjencën e Spitalit të Prizrenit.

Këtë e konfirmon vetë mjeku, Sadri Ulaj, i cili e ka trajtu 13-vjeçarin që ka kërkuar ndihmë mjekësore me 23 janar.

“Në rastin në fjalë, nga shënimet që kemi ne, në ora 14:15 është sjellë personi, fëmijë i gjinisë mashkullore. Sipas të dhënave është i moshës 13 vjeçare dhe se ai person është sjellë nga prindi, për shkak se i ka tregu prindit që në ditën e djeshme i ka përdorë disa preparate, disa barna në shkollë, për të cilët as ata nuk dinin mirë se për çka është fjala dhe neve nuk na bënte përshtypje se bëhej fjalë për një rast të rëndë, ndonjë shqetësim apo helmim me barna”, ka treguar Ulaj.

Pacienti, sipas mjekut është sjellë në emergjencë një ditë pasi kishte ndodhur rasti, pasi që efektii medikamentit ka përfunduar.

“Gjatë bisedës që e kemi ba, i kam kontrollu edhe organet gjenitale të tij, pasi ka tregu prindi i tij për preparatin që e ka marrë, se edhe ne nuk e dishim për shkak se sot në treg ka preparate të ndyshme, nxitëse, stimulative dhe për atë e kemi ba edhe vizitën e organeve gjenitale të fëmijës, nuk kemi vërejt abnormalitete, apo dicka”, thotë Ulaj.

Për këtë arsye edhe ishte lëshuar në shtëpi pa terapi dhe ishte njoftuar policia.

“Po të kishin ardhur dy tre raste të ngjashme, do të kisha kërku ndihmën e policisë. Ky është rasti i vetëm që  e kam trajtu unë”, thotë ai.

Në Policinë e Kosovës, nuk kanë informacione se çfarë ka ndodhur në shkollë.

As shkolla, as mjeku e as prindërit nuk kanë komunikuar me policinë lidhur me rastin.

Cilat janë pasojat e përdorimit të Kamagras?

Valon Krasniqi, pediatër dhe asistent i farmakologjisë shpjegon se problemet kryesore që mund t’i ndodhin përdoruesit të stimuluesit të cilin e kanë marrë nxënësit, lidhen kryesisht me shtypjen e gjakut e kokëdhembje.

“E bashkë me këto personi në fjalë mundet me pasë edhe të rrahuna të shpejtume të zemrës. Këto janë ato që mundesh me i pa dhe me i evidentu, pastaj janë do probleme më të mëdhaja”, shpjegon Krasniqi.

Sipas tij sildenafili vepron më gjatë, për dallim prej disa llojeve të tjera të Viagrave. Kjo mund të zgjasë deri në dy ditë.

“Varet edhe prej llojit të prodhimit, ka prej tyre që veprojnë dy ditë, megjithatë efektet zbehen me kalimin e orëve, brenda ditës mundesh me i pa rezultatet por qysh ditën e nesërme zbehen. Të nesërmen e ki vështirë me gjet diçka të evidentueshme me thanë që janë efekte të ilaçit”, thotë ai.

Farmakologu shpjegon se rreziku më i madh është te të rritur dhe të rinjtë që kanë probleme me zemër, kur kanë enët e ngushtuara të zemrës, “apo probleme tjera me zemrën që ky ilaç mundet me ju shtu probleme shtesë edhe ky ilaç mund të shkaktoj edhe infarkt, e rrit dmth punën e zemrës. Kur zemra është e lodhur, dhe kjo lodhje mundet me ardh për shkak se paraprakisht ka pas probleme, kur ka  disproporcion mes asaj se çka po kërkohet dhe çka e shtyn përpara zemrën ndodhin këto probleme”.

Në cilëndo situatë, “Kamagra” nuk guxon të shitet pa recetë. Kështu thonë farmacistët në barnatoret e qytetit.

Por, pako të tilla sipas informatave të gazetës kanë rënë një muaj më parë në dorë të fëmijëve të shkollës “Maarif” në Prizren duke vënë në rrezik jetën e nxënësve./Gazeta inFokus/

Kush është “Shkolla Ndërkombëtare Maarif”?

Fondacioni “Maarif” ka nisur punën më 1 shtator të vitit 2016, me vendimin e Kuvendit të madh popullor të Turqisë. Misioni i tij është, siç thuhet, “ofrimi dhe zhvillimi i shërbimeve arsimore formale dhe joformale, të bazuara në njohuritë e përbashkëta dhe vlerat njerëzore në të gjithë botën”. Fondacioni “Maariff” është themeluar për të hapur shkolla në të gjithë botën. Planifikon edhe bursat për nxënësit, për studimet e mëtutjeshme bachelor.

Në Kosovë, “Maarif” në vitin 2017 ka nisur hapjen e shkollave, që e bën Kosovën vend të parë në botë, në të cilin ky fondacion ka filluar të veprojë.

Nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, patën thënë për radion Evropa e Lirë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës, por nuk kanë njohuri se kush qëndron pas tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera