Fokus

Skandal | Rusia mbushë Kosovën me naftë, embargo nuk respektohet

Autori: Agnesa Çitaku 10:34 | 15 November 2018

Një pjesë e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me shumë gjasë veturat e tyre i mbushin me naftë të Rusisë.

Duket e pa besueshme, por të dhënat e Doganës së Kosovës, të cilat i posedon Gazeta inFokus, tregojnë se vetëm nga janari i këtij viti deri në muajin tetor nga ky shtet i largët kanë hyrë afër 17 milionë litra naftë.

Por kjo nuk është sasia e vetme e naftës nga Rusia.

Ajo eksporton edhe përmes shtetit fqinjë Serbisë, vend të cilit ditë më parë Qeveria e Kosovës i vuri taksë 10 për qind në të gjitha importet.

Nga Serbia këtë vit janë importuar rreth 50 milionë litra naftë ose saktësisht 48 milionë e 352 mijë litra naftë, e që pjesa më e madhe është nga shteti rus.

Kjo pasi kompania ruse Gazprom Neft zotëron 56.15 për qind të aksioneve në kompaninë më të madhe të Serbi ‘NIS.

“29.87% të aksioneve të NIS-it mbahen nga Republika e Serbisë. Pjesa e mbetur i takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë të vegjël. Aksionet e NIS janë të listuara në Bursën e Beogradit”, thuhet në të dhënat e kësaj kompanie.

Kosova nuk e respekton embargo për naftën e Rusisë

Nis Petrol nga dhjetori i vitit 2016 ka hapur pikat e derivateve në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan.

Kjo në atë kohë ishte vlerësuar nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës si thyerje e embargos për tregti të Kosovës me Rusinë.

Qeveria e Kosovës vendosi sanksione kundër Rusisë më 17 shtator 2014 në harmoni me Bashkimin Evropian, lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë.

Në mesin e shumë kompanive dhe individëve që u ndalohet të bëjnë biznes me Kosovën, në mënyrë specifike është kompania “Gazprom Neft”.

Por, edhe pas pesë vite që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur embargo nafta e kësaj kompanie nuk është ndaluar të futet në Kosovë.

Ka rreth një muaj që Gazeta inFokus ka kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nëse është larguar embargo por mallrat ruse mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa nga Dogana e Kosovës kanë thënë se embargo për mallrat ruse vlen vetëm për eksport.

“Nuk ka embargo në import por në eksport (edhe atë disa produkteve). Vendimin e Unionit Evropian, vendim të cilin Qeveria jone e ka fuqizuar përshkruan këto ndalesa”, thonë në Doganë.

Megjithatë, në dokumentin të cilin e posedon gazeta inFokus nuk bëhet ndonjë dallim në import apo eksport të produkteve me Rusinë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, bazuar në vendimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës më datë 16 Korrik 2014 si dhe institucioneve të Bashkimit Evropian datë 31 Korrik 2014, vendos sanksione ndaj pasurisë së këtyre entiteteve juridike, autoriteteve dhe individëve, që kanë shkelur sovranitetin e Ukrainës”, thuhet në shtojcën 1 të vendimit për sanksionet.

Ndërkaq, importin e naftës ruse në Kosovë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani e sheh si skandaloze.

Sipas tij përgjegjëse për këtë import janë dogana dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Ky është skandal ne kemi një vendim për sankisonte e ndërmarra nga USA dhe BE-ja lidhur me respektimin e embargos nga kompanitë e naftës ruse pra për ketë është përgjegjëse Dogana e Kosovës si dhe MTI-ja e cila lejon të ketë import të naftës nga Rusia”, thotë ai.

Prej nga importon Kosova naftë?

Por ekspertuesja më e madhe e naftës në Kosovë këtë vit është Greqia dhe Italia. Vetëm gjatë këtij viti nga rafineritë e këtyre vendeve kanë hyrë në Kosovë nga 83 milionë litra naftë.

Rumania radhitet e treta me 57 milionë e 423 mijë litra, ndërsa e katërta Serbia me 48 milionë e 352 mijë litra naftë.

Sasi nën 50 milionë litra janë importuar nga Spanja, Maqedonia, Shqipëria, Bullgaria, Izraeli, Federata Ruse, dhe Izraeli.

Ndryshe gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë importuar në total rreth 557 milionë e 990 mijë litra naftë.

E shteti nga i cili është importuar më së shumti naftë është Greqia me gjithsej 187 milionë e 57 mijë litra naftë.

E dyta radhitet Italia me 101 milionë e 252 mijë litra naftë ndërsa në vendin e tretë Spanja me rreth 55 milionë litra ose saktësisht 54 milionë e 943mijë litra naftë.

Më pak se 40 milionë litra naftë janë importuar nga Bullgaria, Serbia, Rumania, dhe Maqedonia.

E nga Shqipëria janë importuar mbi 22 milionë litra naftë ose 22 milionë e 304 mijë litra.

Nga Federata Ruse vjet janë importuar 17 milionë e 403 mijë litra.

Shtete nga të cilat Kosova ka importuar naftë nën 15 milionë litra janë, Izraeli, Kroacia, Shtetet e Bashkuara, Franca Turqia, Qipro, Mbretëria e Bashkuara, Emiratet, Austria dhe Holanda. /Gazeta inFokus/

Të tjera