Fokus

Skandal: IuteCredit kërcënon Kosovën me çnjohje nga Estonia

Autori: Gazeta inFokus 15:41 | 20 December 2019

Tre avokat me nam dolën të premten para medieve për ti mbrojtur shefat e kompanisë nga Estonia, të dyshuar për aktivitete të kundërligjshme dhe përfitim multi milionësh në kurriz të qytetarëve të varfër në Kosovë.

Ata nuk po pajtohen me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për revokimin e licencës, të “IuteCredit”, dhe paralajmëruan padi ndaj këtij institucioni, pavarësisht se pranojnë që nuk ishin në tërësi brenda planit të cilit ishin licencuar.

Madje Rauno Kinkar, avokat i ardhur posaçërisht për këtë rast nga Estonia ka kërcënuar institucionet e Kosovë se tërheqja e licencës mund të qoj në prishje të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.

-Advertisement-

“Kjo tani është shndërruar në çështje ndërkombëtare dhe diplomatike. Estonia e ka njohur Kosovën ndër vendet e para. Ministri i punëve të jashtme e ka kontaktuar ministrin e jashtëm këtu në Kosovë. Kjo nuk është koha për përleshje diplomatike, ne jemi këtu që të gjejmë zgjidhje miqësore dhe procesi i likuidimit të ndërpritet dhe të shmangen dëmet e tjera të Iute Credit”, ka thënë Kinkar.

Por, fillimisht paralajmëruan padi në Gjykatë Themelore ndaj vendimit e pastaj deri në Arbitrazh për siç thonë padrejtësinë dhe dëmin që i ka shkaktuar IuteCredit-it.

Megjithatë, përfaqësuesit e kompanisë që operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë nuk sqaruan përse “IuteCredit” devijoi nga plani i biznesit duke lëshuar kredi me norma astronomike të interesit.

Madje, konfirmuan se nuk ishin 100 për qind në harmoni me ligjin.

“Banka Qendrore e Kosovës ka bërë auditimin në Iute Credit. Kemi bashkëpunuar me Bankën Qendroire dhe kemi bërë përpjekjet tona maksimale që ti përshatemi rekomandimeve që janë dhënë nga BQK, sepse po, ne nuk kemi qenë 100 për qind brenda planit fillestar biznesor që e kemi dorëzu. Por, gjithashtu kemi bërë ndryshime dhe kemi dorëzuar planin e ri të biznesit”, ka thënë Evelin Kanter, kryesuesie e ekipit ligjor të kompanisë.

Sipas të dhënave të prezantuara në konferencë, IuteCredit e kishte njoftuar Bankën Qendrore për ndryshim të planit të biznesit tek me 14 nëntor të këtij viti, ndërsa nga hyrja në treg në vitin 2017 kishte rritur në vazhdimësi normat e interesit ndryshe nga çfarë kishte deklaruar në fillim.

Për shkak të mashtrimit me norma të interesit, vitin e kaluar kjo kompani ishte ndëshkuar nga BQK.

Përfaqësuesit ligjor të IuteCredit kanë hedhur poshtë akuzat se aksionarët e tyre janë të përfshirë në skema mashtrimi dhe aktivitete të kundërligjshme.

“Iute Credit” rrezikonte sigurinë kombëtare, priten arrestime?

Gazeta inFokus ka raportuar se njësitë e inteligjencës financiare dhe institucionet kryesore të sigurisë në Kosovë që nga shtatori po e hetonin këtë institucion financiare  bashkë me institucionin tjetër “Monego”, të cilat u mbyllën me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës.

Dyshimet ishin se përveç kredive me norma astronomike të interesit, ato po shpërlanin para për biznesmen dhe persona të fuqishëm nga Estonia dhe Rusia.

Së paku kështu i kanë thënë gazetës inFokus, burime brenda institucioneve të sigurisë në vend.

Këtë në njëfarë mënyre e ka konfirmuar edhe Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti i cili në konferencën për media tha se bëhej fjalë për sigurinë nacionale.

“…Ne nuk do të lejojmë asnjë aktivitet që cenon sigurinë tonë kombëtare”, ka thënë Mehmeti duke shpjeguar arsyen e tërheqjes së licencave të këtyre instucioneve.

Gazeta inFokus ka mësuar se përfshirja në këto aktivitete të dyshimta, rrezikon ti vë prapa grilave udhëheqësit e këtyre dy institucioneve financiare jo bankare.

Megjithatë, avokati Korab Sejdiu, i angazhuar nga IuteCredit nuk ka konfirmuar nëse deri më tani ka një kallëzim penal për udhëheqësit e kompanisë që ai përfaqëson.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera