Fokus

SKANDAL: Askush nuk i kontrollon bombolat e gazit në Kosovë

Autori: Doresa Geci 16:42 | 07 January 2021

Në gjithë Kosovën është vetëm një inspektore e autorizuar që t’i kontrolloj pajisjet e gazit. Por ajo asnjëherë nuk del nga zyra.

Në Kosovë janë dy kompani të autorizuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për kontrollin e bombolave të gazit.

Pajisje të ngjashme shpërthyen të martën në një lokal në Ferizaj.

-Advertisement-

Atyre nuk iu kishte bërë asnjë test viteve të fundit.

Madje ka dy vjet që kompania “SHALA GT” nuk ka bërë asnjë kontroll të bombolave të gazit natyrorë në asnjë vend të Kosovës.

Kjo pasi sipas drejtori të kompanisë, Hamdi Shala ata nuk kanë licencë për të bërë një kontroll të tillë, shkruan Gazeta Infokus.

“Ne licencën e kemi pas por ka dy vjet nuk bëjmë më kontrolle. Licencës tonë i ka dalë afati, pasi që nuk ka ardhur njëri i gjallë me testu. Makina për testim të cilat i kemi nuk kemi përdor për shkak të mos internimit. Kështu për shkak të mungesës së internimit se kam licnecu me”, ka thënë Shala për Infokus.

Sipas tij, për shkak të mos interesimit të qytetareve e bizneseve për të bërë testime, “SHALA GT”, nuk e bënë më ketë punë.

Megjithatë, në Ministrinë e Ekonomisë e Ambientit këtë kompani ende e mbajnë në listën e të autorizuarve për testime të bombolave të gazit.

“Një trupë për “Trupë e autorizuar për shqyrtimin dhe mbushjen e bombolave me gazra teknike” dhe atë – “SHALA GT” – Suharekë dhe “EDOGAZ” – Malishevë”, ka thënë, Hysni Komoni, Udhëheqës i Inspektoratit të Energjisë.

Në bazë të Ligjit për pajisjet në presion, trupi i autorizuar nënkupton “operator ekonomik të regjistruar dhe autorizuar për vlerësimin e konformitetit duke përfshirë kontrollet periodike dhe shqyrtimet e pajisjeve dhe instalimeve nën presion.

Gazeta Infokus ka provuar të bisedoj edhe me pronarin e kompanisë “Edo Gas”, por drejtori i saj nuk ka dashtë të tregoi nëse bëjnë kontrolle të gazit.

Infokus ka mësuar se as kjo kompani nuk ka testuar bombolat të cilat mund të kenë qenë në përdorim nga lokali në të cilën shpërthyen së fundmi.

Këtë nuk mund ta konfirmojnë as në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Në këtë institucion kanë treguar se në Kosovë është vetëm një inspektore, por as ajo nuk bënë kontrollime.

“Po është e vërtet ne kemi vetëm një inspektore është një zunjushë e cila nuk bënë kontrollim por ajo bënë vetëm mbikëqyrjen e zbatimit administrativ të ligjit për pajisje nën presion, por janë trupat e autorizuar që bëjnë kontrollet”, ka thënë Hysni Komoni, Udhëheqës i Inspektoratit të Energjisë.

Se përdorimi i bombolave të gazit nuk është i sigurt e thotë edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

Gazi i cili importohet nga Shqipëria, Maqedoni e Serbia sipas tij nuk kontrollohet nga askush.

“Sa i përket bombolave të gazrave sa janë të sigurta, ato janë ne dorën e Zotit, sepse te ne nuk kalibrohen nuk kontrollohen. Nuk kontrollohet cilësia e gazit. Nuk kem laborator të gazit”, ka thënë Berjani.

Sipas tij, Shoqata e Naftëtarëve këtë problem e ka adresuar më herët por kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Kemi pas shumë raste qe kanë ndodhë me fatalitet po askush nuk ka marr përgjegjësin. Duhet të autorizohen disa kompani për kalibrimin e bombolave”, ka thënë Berjani për Gazetën Infokus
.
Kujtojmë që të martën në Ferizaj ka shpërthyer bomobola e gazit ku kanë mbetur të lënduar mbi 40 persona, ku 14 prej tyre janë në gjendje me të rëndë shëndetësore./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera