Lajme

S’ka viza për këtë vit, VV: S’mund të ketë liberalizim me këtë Qeveri, ku s’luftohet korrupsioni e vidhet Thesari i Shtetit

Autori: Gazeta inFokus 17:38 | 21 November 2020

Kosova ka humbur shansin për ta finalizuar procesin e liberalizimit edhe përgjatë këtij viti, duke bërë kështu që ky proces të shtyhet për vitin 2021, shkruan GazetaBlic.

Përkundër që pritjet kanë qenë të larta që gjatë presidencës gjermane të Këshillit të BE-së të arrihet një gjë e tillë, mirëpo liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës nuk do ketë as gjatë këtij viti.

Se që s’do ketë liberalizim të vizave në vitin 2020, e ka thënë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Cramon thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të vihet në rend të ditës në takimet e mbetura të kryesuara nga Gjermania, por liberalizimi formal i vizave mund të vijë vetëm në presidencat e mëvonshme të Këshillit.

-Advertisement-

E, shtyrjen e liberalizimit të vizave e ka lidhur kryekëput me skandalet e vjedhjeve në Qeverinë Hoti partia aktualisht më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie, Mefail Bajqinovci, në një bisedë për GazetaBlic ka deklaruar se qeveria aktuale, sipas tij, s’e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, gjë kjo që siç potencon ai, ka çuar që të shtyhet “ëndrra” e kosovarëve për liberalizim vizash.

“Nuk mund të ketë liberalizim të vizave për Kosovën, kur kjo qeveri më shumë i lufton institucionet që janë të thirrura për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sikurse Task-Forca, e që ishin një pjesë e zyrtarëve të LDK-së nën hetime dhe u hakmor me shfuqizimin e saj. Nuk mundet një qeveri ku vidhen dy milionë euro në Thesarin e Shtetit, e të bëhet liberalizim i vizave. Andaj, kjo qeveri nuk është e ndershme të luftojë korrupsionin, për çka shtetet e BE-së s’munden me pranua një shtet që renditet në listën transparente “International” me vende të botës së tretë. Kemi edhe skandale të tjera si ajo në AUV, dhe shumë skandale që po iu dalin. Vetë ky kryeministër ka qenë i intervistuar nga ajo Task-Forcë në cilësinë e dëshmitarit për 53 milionë euro”, thotë ai.

Bajqinovci shton se kjo qeveri duhet të bie, pasi që sipas tij, ky shtet nuk mund të jetë funksional dhe mund të ketë penalizime tjera.

“Pra, mos të pritet që shtetet e BE-së kësaj qeverie t’ia japin liberalizimin e vizave. Është imediate që kjo qeveri të bie dhe të vije Qeveria Kurti që vetë BE-ja e ka proklamuar se është qeveri anti-korrupsion. Për pranim të liberalizim të vizave duhet shteti të funksionalizohet. Ky shtet nuk është funksional sepse krimi dhe korrupsioni e ka mbuluar me vite të tëra, duke përfshirë edhe këtë qeveri, e cila lufton institucionet e sigurisë. E kemi nënkryetarin e kësaj partie, njeriun e dytë e partisë që udhëheq me këtë qeveri. Pra, nuk pritet të ketë liberalizim të vizave kur vetë akterët e kësaj qeverie janë të involvuar në korrupsion”, thotë ai.

Ndërkohë, të njëjtin mendim e kanë edhe analistët politikë në vend. Ata theksojnë për t’u arritur një gjë e tillë, sipas tyre, duhet të luftohet veçmas korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Në anën tjetër, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera