Lajme

“S’ka rrezikim të sovranitetit të Kosovës nga SHBA-ja”

Autori: Gazeta inFokus 22:09 | 18 February 2020

Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, tha se kryeministri Albin Kurti është ngutur kur e ka proklamuar reciprocitetin me Serbinë, pasi sipas tij, masat e reciprocitetit është dashur të bëhen hap pas hapi.

“Mendoj që kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë një gabim në hapa kur e ka proklamuar reciprocitetin. Reciprociteti duhet të bëhet hap pas hapi dhe jo të shpallet. Unë mendoj që nuk duhet të shpallet reciprocitet, duhet të hiqet taksa sepse ky është parakusht për marrëveshje me Serbinë dhe mund të merren vendime pa u proklamuar për çështje të caktuara. Serbia nuk t’i njeh targat, ti ia kërkon targat, Serbia nuk t’i njeh dokumentet, ti ia kërkon dokumentet – pra një qasje hap pas hapi”, thotë Paçarizi.

Nëse ka një “honest broker” për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu tha për Rubikon të KTV-së, njohësi i çështjeve të BE-së, Besnik Vasolli

-Advertisement-

Ai tha se nuk do të ketë ndonjë rrezikim të sovranitetit apo pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja.

“Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë pak të lodhura me energjinë që i është dedikuar dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përderisa konflikti mes këtyre dy shteteve është i ngrirë kjo ndikon në gjithë rajonin”.

“Unë e kam ndjenjën që SHBA-ja dëshiron t’i japë fund këtij dialogu dhe ai fund jepet nëse ka marrëveshje mes dy vendeve dhe hapet perspektiva për integrim në BE. Unë mendoj se nëse ka ‘honest broker’, atëherë ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk pres që të ketë ndonjë rrezikim të sovranitetit dhe pavarësisë (së Kosovës) nga SHBA-ja”, tha Vasolli.

Opinionisti Ernest Luma tha se njëra duhet të shkojë – ose taksa ose qeveria.

“Unë konsideroj që në këtë drejtim kanë shkuar gjërat, serioziteti, tempoja dhe intensiteti me të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke u marrë me këtë çështje më bëjnë të besoj se kjo do të jetë situata”, tha Luma.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha për Rubikon të KTV-së se vendimi për taksën ndaj Serbisë ka qenë politik, prandaj edhe efektet duhet të maten nga ky aspekt. Ai tha se tarifa dhe barrierat tjera jotarifore duhet të eliminohen dhe se çështja e rëndësishme aktualisht janë masat e reciprocitetit.

“Mendoj se çështja e tarifës është çështje ditësh, çështja e rëndësishme tash është fillimi i reciprocitetit. Arsyeja pse e thash që është çështje ditësh është sepse me këtë slogan të dyja partitë kanë hyrë në fushatë zgjedhore, nuk është një diskurs që është shfaqur tash”, tha Zeka.

Sipas Zekës, përfituesi më i madh nga taksa ndaj Serbisë ka qenë Shqipëria pasi importi nga ky vend është rritur me 10 për qind që nga vendosja e taksës.

“Nëse e shohim se kush ka përfituar është se ka pasur një rritje prej 10 për qind të eksporteve prej Shqipërisë. Dhe pyetja është a do të vendosim reciprocitet ndaj Shqipërisë meqenëse edhe ky vend ka barriera ndaj produkteve tona”, tha më tej Zeka.

Duke folur për marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e të dërguarit special të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Zeka tha se përmes këtyre marrëveshjeve që kanë sfond ekonomik synohet të bëhet më e lehtë shkuarja drejt marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera