Lajme

S’ka kuorum për votim të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për zyrtarët publikë

Autori: Gazeta inFokus 17:34 | 27 July 2023

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk arriti që në seancën e sotme ta miratojë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128. Në votim morën pjesë vetëm 59 deputetë dhe dy të tjerë që ishin të pranishëm.

Derisa mazhoranca e mbështeti këtë projektligj, kritik dhe kundër ishin deputetët opozitarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi tha se ky projektligj ka për qëllim përmbushjen e objektivit kryesor për një administratë profesionale dhe të përgjegjshme në pajtim me standardet më të mira.

-Advertisement-

“Ky projektligj ka për qëllim që të ndryshojë dhe plotësojë ligjin për zyrtarët publikë i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin 08/L0-128 dhe jo atë që e u pretendua më herët para ardhjes nga kjo pikë nga një kolegë opozitar, që tha se trajtohet ligji, i cili është subjekt i trajtimit në Gjykatën Kushtetuese, sepse atje subjekt i trajtimit në Gjykatën Kushtetuese është ligji 08/L-197, i cili është miratuar në këtë Kuvend më 22 dhjetor 2022. Pra, fjala është për ligjin aktual, i cili është në fuqi që nga korriku i vitit 2020….Projektligji ka për qëllim përmbushjen e objektivit qendror që ka Kosova që të ketë një administratë profesionale dhe të përgjegjshme në pajtim me standardet më të mira për administratë publike…mundëson që të fillojnë dhe përfundojnë procedurat e rekrutimit në afate që sigurojnë efikasitetin dhe efiçiencën në kuadër të pozitiva të lira”, tha ai.

Kritik për këtë projektligj u shpreh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili tha se kjo nismë legjislative është e çuditshme dhe antikushtetuese.

Sipas tij, me këto veprime po tregohet se pushteti po bën gjithçka për të shkatërruar administratën shtetërore.

“Kjo nismë legjislative sa është e çuditshme është po aq është edhe në kundërshtim me çdo praktikë të jetës parlamentare që e kemi tash e sa vite në Kosovë. Është ligji i tretë apo katërt që lidhet me administratën publike dhe ministri i Administratës Publike nuk e thotë asnjë fjalë as për ligjit për pagat e zyrtarëve publik, por as për ligjet paraprake që lidheshin me zyrtarët publik…tani na vjen një projektligj për një çështje, e cila duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese jashtë çdo logjike dhe praktikës parlamentare dhe unë mendoj se është kundër rendit juridik kushtetuese të ndërtuar në Kosovë“…Kjo ka vetëm një arsyetim ju nuk po doni mos me humb asnjë ditë për me kap administratën e shtetit dhe për ta shkatërruar unë mendoj se jeni duke i bërë dëm të madh vendit dhe jeni duke shkatërruar një administratë“, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri se ky projektligj nuk rregullon pozicionin e zyrtarit publik, por është ligj që rregullon pozicionin politik dhe partiak në nivel të lartë.

“Kuvendi i Kosovës po e bën një histori që nuk ka ndodhur deri më tani dhe ajo histori nuk është e faqes të bardhë, por e faqes së zezë për secilin deputet. Sot në seancë të jashtëzakonshme po e trajtojmë një ligj, i cili është i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për të cilin pritet të Gjykata Kushtetuese ta merr një vendim që ta kundërshtoj apo miratoj. Sot ka ardhur një amendamentin i ligjit që është për zyrtarët publik, i cili në esencë nuk është ligji për rregullimin e pozicionit të zyrtarit publik, por është ligji për rregullimin e pozicionimit politik dhe partiak në nivel të lartë“, tha ai.

Akuza për partinë në pushtet hodhi edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

“Juve iu mjafton kjo periudhë kohore vetëm që të vazhdoni me largime e me emërime të reja dhe nuk do të ishte kjo linjë e argumentimit aq ndoshta le të themi e arsyeshme nëse nuk do të tentonit ta bënit të njëjtën me Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për shërbimi civil, ju keni sjell një ligj për ta që është gjithashtu kushtetues…çka keni bërë aty keni thënë që ai Këshill nuk duhet me vendos për pozitat e nivelit të lartë sepse keni dashur të vendosni vetë dhe keni dashur që në ato pozita t’i shkarkoni e emëroni ata që doni ju”, theksoi ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera