Lajme

S’ka afat, shumë zyrtarë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë

Autori: Gazeta inFokus 22:59 | 19 May 2020

Për herë të parë, këtë vit Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka arritur ta përfundojë deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë në kohën e paraparë me Ligjin mbi deklarimin e pasurisë, e cila zgjat një muaj.

Masat e marra nga Qeveria shkaku i pandemisë ka bërë që Agjencia Kundër Korrupsionit ta shtyjë në afat të pacaktuar deklarimin e pasurisë, duke ua mundësuar zyrtarëve që këtë ta bëjnë vetëm në formë elektronike, raporton KTV.

E ndonëse deklarimi ka nisur më 1 mars, jo të gjithë zyrtarët publikë i janë përgjigjur thirrjes.

-Advertisement-

Megjithatë, zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit thonë se ata ende nuk do të caktojnë një afat për deklarim të pasurisë.

E si pasojë e masave të Qeverisë, AKK nuk posedon as numrin e zyrtarëve të cilët për herë të parë do ta deklarojnë pasurinë këtë vit.

Këtë vit, 4 mijë e 694 zyrtarë e kanë për obligim ligjor deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Deklarimit vjetor të pasurisë janë të obliguar t’i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera