Opinione

Situata është e pashpresë…por jo serioze

Autori: Gazeta inFokus 11:49 | 23 February 2018

Politikë bylbyli dhe dëmi kosovar në rrugën evropiane të Shqipërisë.

1.

Është një thënie e vjetër vjeneze, e shndërruar në film komik të viteve gjashtëdhjetë me titullin “Situata është e pashpresë…por jo serioze”. M’u kujtua kur dëgjoja në Kosovë analizën e njerëzve të esëllt dhe shumë proevropianë që u ndeshën me një konstatim të vetin se Kosovës po i mbyllen apo iu kanë mbyllur alternativat evropiane. Në Strategjinë e zgjerimit të BE-së, të nënshkruar nga Jean Claude Juncker, pesë vende të Ballkanit Perëndimor dinë përafërsisht se si do të shkojë rruga e integrimit për në BE. Serbia e Mali i Zi kanë gjasa të jenë shtete anëtare më 2025, Shqipëria e Maqedonia kanë gjasa që të hapin negociata për anëtarësim, Bosnjë-Hercegovina ka gjasa të aplikojë për status kandidati. Kosova ka, nga aspekti institucional, të trasuar vetëm fjalën “shpresë”, si në “situata është e pashpresë”. BE-ja, dje, sot dhe nesër, pranon si anëtare të reja vetëm shtete, e Kosova për pesë anëtare të BE-së nuk është shtet. Për më tepër, këtë cilësim Kosova ia ka bërë edhe vetes, kur më 2011 pranoi se është për të juridikisht e barasvlershme shpallja e Pavarësisë me mohimin e Serbisë (dhe të pesë anëtareve të BE-së) të shtetësisë së saj.

-Advertisement-

2.

Sot janë punët edhe më të ndërlikuara se ç’ishin më 2011. Kosova atëbotë kishte mundësinë që nëpërmjet një procesi negociator ta kushtëzonte statusin e kandidatit të Serbisë me pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në. Me gabime të thella strategjike, Kosova e ndihmoi Serbinë që të avanconte më tutje në integrime, me statusin e kandidatit, madje duke e dëmtuar sistemin e brendshëm kushtetues, me obligimin për Bashkësinë e komunave serbe. Shtatë vjet negociatash të kota e paralizuan Kosovën, por e avancuan Serbinë në hapje të kapitujve të rinj të negociatave me BE-në.

Dhe, në këta shtatë vjet roli i Rusisë vetëm sa fitoi në peshë. Rusia arriti ta konfrontonte Perëndimin gjithkund: në urën e Mitrovicës, në Ukrainën Lindore në e aneksim të Krimesë, në Siri e në zgjedhje presidenciale amerikane.

Në një kontekst gjeopolitik, ku u rrit veprimi çrregullues i Rusisë, Kosova e dëmtoi (ndonëse pa dashje) Shqipërinë. Shqipëria ishte më e hershme në integrime evropiane krahasuar me Serbinë e Malin e Zi, duke filluar me MSA-në më 2003 e nënshkruar atë më 2006, dy vjet të plota para Serbisë e Malit të Zi. Por Shqipëria e ndali veten pak pse ia dorëzoi rolin prijës për krijimin e konsensusit reformues ambasadorit amerikan dhe asaj të BE-së, e pak më shumë sepse me Shqipërinë nuk u mor Rusia. Në sytë e BE-së Shqipëria ishte shteti i cili ende nuk ka shumë forcë të brendshme për të mirë, por nuk ka forcë as për sherr. Krahasuar me të, Serbia e Mali i Zi kishin të qartë narracionin proreformist dhe akoma më të qartë potencialin shkatërrues që mund ta kishte Rusia. Tentim grusht shteti në Mal të Zi nga ana e shërbimeve ruse dhe ulja në dy karrige (BE-Rusi) e presidentit Vuçiq qenë shtytës të mëdhenj për integrimin e shpejtuar të Serbisë e Malit të Zi.

Kështu, Shqipëria dhe shqiptarët, si properëndimorë, e aq më shumë si proamerikanë, nuk janë në rend të ditës së integrimit evropian si ushtrim i menaxhimit të krizave (crisis management excercise).

Ah, po , dikush do ta përmendë se në Shqipëri strukturat e sigurisë i mbyllin sytë ndaj kultivuesve dhe trafikantëve të drogës. Në shkallë krahasimtare, nuk besoj të jetë problem më i madh sigurie sesa fakti se strukturat e sigurisë në Serbi as që ndiejnë nevojë të mbyllin sytë ndaj vrasësve të fëmijëve, grave dhe burrave, të shumtën civilë, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Për më tepër, në Serbi, e cila është më e avancuar se Shqipëria në integrime evropiane, përgjegjësit për krime lufte kanë poste të larta ekzekutive apo trajtim të lartë moral .

3.

Përgjigjet shqiptare të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare gjatë kësaj periudhe kanë qenë në masë të madhe instinktive.

Prishtina ka zbatuar atë që kushtimisht mund ta quajmë politikën e bylbylit, të kërcimit prej njërës degë në tjetrën, me cicërimën e “së shpejti vjen njohja e Pavarësisë nga ana e Serbisë”. Kur u dështua me Marrëveshjen e Brukselit dhe u pa se ajo nuk e ndryshon cilësinë ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, u provua aventura e anëtarësimit në UNESCO, e cila dështoi, duke i dhënë një fitore diplomatike Serbisë. Madje kjo aventurë do të ishte dështim edhe po të anëtarësohej Kosova, sepse ashtu do të hynte në një vend me Palestinën. Tash e disa vjet, madje përfshirë edhe në Strategjinë e Qeverisë për vitin 2018, është paraparë që Kosova të aplikojë për status kandidati për anëtarësim në BE. Gjasat janë shumë më të mëdha që politika e bylbylit të marrë dy shuplaka njëkohësisht: që Kosovës t’i thuhet se nuk ka përmbushur gjë prej gjëje nga obligimet që i ka me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe pastaj t’i thuhet se edhe po t’i kishte përmbushur, nuk do të mundë të merrte atë status, sepse pesë shtete nuk e konsiderojnë si shtet.

Tirana ka zbatuar politika të prekjes provokative të pulsit. Herë pas here i është përkujtuar BE-së se Shqipëria ka mik të madh Turqinë e Erdoganit, madje edhe Erdoganin personalisht. Tash së fundmi i përkujtohet BE-së se në mungesë perspektive integruese, shqiptarët e kanë gjithnjë alternativën e integrimit të ndërsjellë. Meqë me të dyja veprimet Shqipëria nuk do të mbërrijë efektin që e mbërrin Serbia me vetëm përmendjen e sondazheve, që tregojnë se mbi gjysma e popullatës e do më shumë Rusinë sesa BE-në.

Turqia, madje edhe ajo e Erdoganit, nuk është rrezik gjeopolitik çfarë është Rusia; për më tepër, me gjithë vështirësitë, Turqia është ushtria e dytë më e fortë e NATO-s.

E integrimet shqiptare nuk shërbejnë as si kërcënim: dy vende që nuk mund të zgjidhin hallin e kalimit të patates përtej kufirit kanë pak çka të flasin për kapacitetin e tyre politik dhe administrativ. Sot, më shumë përbashkësi institucionale kanë, me gjithë distancën gjeografike dhe kulturore, Greqia dhe Irlanda sesa Shqipëria dhe Kosova.

4.

Në konditat e tanishme situata është e pashpresë. Kosova duhet të hyjë në negociata me Serbinë, duke tërhequr zvarrë dështimin e negociatave të kaluara shtatëvjeçare. Këtë e bën në mungesë konsensusi e në kushte të kapjes së shtetit; nuk ka gjë të re që ka prodhuar Kosova si platformë, pos cicërima bylbylash dhe keqpërdorim të pasurisë publike. Edhe dokumenti për të cilin duhet të negociojnë ende nuk ka formë, as si parime prijëse. Për më tepër, Kosova ka së paku tre rrathë koncentrikë për të negociuar: me Serbinë për dokumentin e normalizimit, me pesë shtete të BE-së për njohje, dhe me Rusinë për anëtarësim në OKB. Edhe po të mbërrihet një marrëveshje me Serbinë, sido që të duket, kjo nuk e obligon Spanjën që ta njohë Kosovën e as Rusinë që të votojë për ulëse të saj në OKB.

Vizitat, qoftë edhe javore të presidentit Erdogan në Prizren e Shkodër, nuk do ta ndryshojnë këtë pamje. As paralajmërimi çdo të premte se Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një president, e pse jo edhe bartës të tjerë institucionesh të përbashkët. Këto veprime nuk e frikësojnë kë, por vetëm sa mund të forcojnë pozicionin negociator të Serbisë dhe pozicionin gjeopolitik të Rusisë.

Në fund, situata është e pashpresë, sepse Kosova prapë duhet të hyjë në negociata me Serbinë. Por, siç thotë fryma komike e filmit, nuk është edhe aq serioze. Ka dalje edhe nga kjo situatë, e gjëja e parë që duhet bërë është të mos vazhdohet me politikat e njëjta. Ato do të prodhojnë rezultat të njëjtë. Atëherë titulli i filmit do të jetë “Situata është aq joserioze..sa është e pashpresë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera