Lajme

Situata ekonomike e bënë të nevojshme rishikimin e pagës minimale

Autori: Gazeta inFokus 08:15 | 02 March 2022

Situata ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi e bënë të nevojshme rishikimin e pagës minimale, por duke mos shkaktuar shpenzime shtesë në buxhetin e Kosovës. Shoqatat e bizneseve vlerësojnë se para se të merret vendimi për rritjen e kësaj page, duhet të merren parasysh disa faktorë.

Sipas tyre, çdo vendim i pa analizuar mirë, do të kthehet në ndëshkim të punëtorëve nga ana e bizneseve dhe rritje të informalitetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale. Ai ka shkruar se për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Si hap i parë, sipas tij, është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e kësaj page. Edhe shoqatat e bizneseve vlerësojnë se para se të merret vendimi për rritjen e pagës minimale, duhet të merren parasysh disa faktorë.

-Advertisement-

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në një prononcim për Radio Kosovën, bënë thirrje për çdo shmangie të kompensimeve të çfarëdo kategorie, nga e cila do të pësonin tatimpaguesit.

“Të shmanget çfarëdo lidhshmërie ndërmjet ngritjes së pagës minimale dhe kompensimeve për çfarëdo kategorie. Me legjislacionin aktual, qeveria duhet të kishte parasysh që të mos shkakton krizë buxhetore dhe të mos rriste shpenzimet e buxhetit të vendit për këto kategori sociale e në kurriz të tatimpaguesve”, tha ai.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, vlerëson se nëse shikohen kriteret për rritjen e pagës minimale, e që janë rritja e GDP-së dhe indeksi i harmonizuar i çmimeve, paga minimale në Kosovë nuk mund të jetë më e lartë se 225 euro:

“Pagat në Kosovë janë të vogla, të gjitha duhet të rriten, por ato nuk mund të rriten pa u rritur aktivitetet ekonomike. Nëse pagat minimale rritet në 350 euro siç po kërkojnë punëtorët, atëherë rriten implikimet buxhetore mbi 120 milionë euro, dhe kjo do të ishte një goditje e thellë për buxhetin e vendit, që po ballafaqohet me kriza të njëpasnjëshme dhe ngritje të çmimeve”, tha ai.

Ndërkohë, kryetari i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, duke folur për Radion tonë, vlerëson se çdo vendim i pa analizuar mirë, do të kthehet në ndëshkim të punëtorëve nga ana e bizneseve dhe rritje të shkallës së informalitetit.

“Qeveria e Kosovës me infrastrukturën ligjore duhet të krijojë kushte që çdo rritje e pagave të mos dëmtojë bizneset me detyrim të largimit të punëtorëve, apo mbyllje të biznesit që afekton drejtpërdrejt me punëtorët të cilët mbesin pa punë.”, tha ai.

Rritja e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndodhur që nga viti 2011. Aktualisht paga minimale në vendin tonë është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit deri në 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi këtë moshë. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka kërkuar që paga minimale të mos jetë nën 350 euro.

Kurse, Sindikata e Punëtorëve së Sektorit Privat ka njoftuar se duke marrë parasysh rritjen e çmimeve për shumicën e artikujve bazik që kanë ndodhur në muajt e fundit, nuk do të pranojnë pagë minimale nën 400 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera