Lajme

Sistemi i drejtësisë me shumë mangësi elementare për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale

Autori: Gazeta inFokus 15:23 | 10 September 2022

Për javë të tëra të dyshuarit për dhunim qëndruan të lirë, ndërkohë që 11 vjeçarja nuk u intervistua në mungesë psikologu. Kështu u bë e ditur javës që shkoi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, derisa u tha se në rastin e qershorit të të miturës, prokurori i rastit e pati të pamundur të intervistojë atë pa prezencën e psikologut. Profesionistë të shëndetit mendor konsiderojnë se është e domosdoshme që dëshmia e viktimës të merret menjëherë. Ndërkaq, justifikimi i prokurorisë për shtyrjen e intervistimit nga shoqëria civile po quhet absurd.

Më shumë se dy javë nuk u morr në intervistim nga prokurori i rastit, 11 vjeçarja e cila më 21 qershor u raportua si e zhdukur nga nëna e saj. Ajo dyshohet se u shfrytëzua seksualisht nga gjashtë persona, të cilët u arrestuan në shtator, vetëm pasi u bë e ditur edhe për rastin tjetër në fund të gushtit, ku po ashtu dyshohet për dhunim seksual nga pesë persona të tjerë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se e dëmtuara nuk ka pasur mundësi të intervistohej në mungesë të psikologëve.

-Advertisement-

“Prokurori si pasojë e mungesës së psikologëve të angazhuar në prokurori, që është një nevojë esenciale dhe kemi kërkuar kërkesa të ndryshme që të aprovojnë këtë kërkesë dhe të angazhojnë një psikolog në prokurori përkatëse. Dhe meqenëse është dashur të sigurojmë prezencën e psikologës, ka marrë kohë derisa është siguruar psikologia dhe derisa është intervistuar e dëmtuara në prezencë të psikologes. Prokurori i Shtetit nuk ka pasur mundësi ta intervistojë të dëmtuarën pa prezencën e psikologes”, ka thënë Ulaj.

Dhunimi seksual konsiderohet një nga traumat më të rënda që mund të përjetojë njeriu, thotë psikologia Selvi Izeti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

“Kur një person përjeton dhunë seksuale, gjëja e parë është që përjeton ankth dhe frikë se diçka shumë e rëndë do të ndodhë përsëri. Nuk ka besim edhe nuk ka ndjenjë të sigurisë fare. Duke kaluar në këtë proces të vazhdueshëm që mund të zgjas disa ditë, mund të vie edhe çrregullimi postraumatik ku personi i cili ka përjetuar një traumë të tillë, vazhdimisht e ka në kujtesë ngjarjen, mënyrën se si ka ndodhur. Edhe në gjendje të zgjuar, por edhe përmes ëndrrave. Vazhdimisht ka sulme të panikut, feikë dhe ankth tejet të theksuar. Izolohet në vetvete, tërhiqet nga familja. Ka një ndjenjë të theksuar të mërzisë, shpesh herë bie edhe te ndjenja që nuk ia vlen të jetojë dhe të tentojë tentim vrasjen ose kanë mendime të shumta për vetëvrasje”, thotë ajo për KosovaPress.

Ajo derisa flet për rastet kur kanë qenë prezent në intervistimin e të dëmtuarve, thotë se një gjë e tillë ka qenë e domosdoshme të ndodhë edhe në rastin e 11 vjeçares. Sipas saj, prokuroria është dashur me urgjencë të sigurojë psikologun dhe të deponojë dëshminë e saj për rastin e qershorit.

“Është tejet e rëndësishme që pas një ngjarje traumatike, aq më tepër kur kemi të bëjmë me mosha kaq të vogla duhet të deponohet dëshmia menjëherë, sepse është shumë e rëndësishme që t’i jepet mundësia edhe ekzaminimeve ligjore në Forenzikë, ku mund të evidentohet saktë se çfarë ka ndodhur. Por në të njëjtën kohë duke dhënë dëshmi kuptohet se çfarë ka ndodhur edhe me të mbijetuarin dhe i ofrohet menjëherë ndihma psikologjike. Që do të thotë se psikologu është i nevojshëm jo vetëm prezenca e tij gjatë dëshmisë që lehtëson shumë procesin e prokurorisë dhe vet viktimës, por në të njëjtën kohë evidentohet nevoja e madhe për te ofruar shërbime psikologjike jo vetëm viktimës por edhe familjes”, shton Izeti.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljetë Demolli deklaron se justifikimi i Prokurorisë se kanë pasur mungesë të psikologut, është absurd.

“Është banale, është absurde që të kemi një mungesë të tillë dhe të kemi një zvarritje të rastit vetëm për shkak të mungesës së burimeve njerëzore që sistemi i drejtësisë do të duhej t’i kishte për të procesuar një rast. Ka kërkesa nga ana jonë si shoqëri civile që të krijohen disa udhëzime administrative, që të jemi më efikas në mënyrën më me urgjencë që një rast më së shumti të ketë tri ditë në procesim të krejt deri tek gjetja e dhunuesit dhe burgimi i tij. Jo aq sa ndodhë tani në rastet e tilla. Ky rast na ka treguar se sa gapa, hapësira e hendeqe ka sistemi i drejtësisë edhe sidomos ai starti kur viktima lajmërohet. Nuk ka më rëndë se sa të thuhet se nuk mund t’i marrim krejt informatat prej teje sepse nuk e kemi një psikolog i cili duhet të qëndrojë afër teje”, deklaron Demolli.

Në lidhje me këtë, KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, por të njëjtit nuk kanë treguar se sa po zgjat procesi i intervistimit të viktimave dhe a kanë mungesë në secilin rast.

Mungesa e psikologëve e punëtorëve social nuk janë të vetmet. Demolli tregon se personat të cilët vendosin të raportojnë rastet e dhunës, hasin në pengesa të mëdha.

“Ndodhë që një veturë nuk është për të shkuar me marrë me dërgua në strehimore. Policia nuk e ka një veturë ose stafi civil i shtetit ose punëtorët social nuk e kanë një veturë që të shkojnë të marrin viktimën dhe ta dërgojnë në strehimore. Një viktimë pret me orë derisa të vjen dikush për ta vendosur në strehimore. Ka mungesa të shumta, dhoma për fëmijë nuk ka aspekt miqësor. Policia nuk ka mundësi për ta investiguar një rast, kur ka të bëjë me ngacmimet seksuale”, shprehet drejtoresha e Qendrës për Barazi Gjinore.

Kujtojmë se tashmë 11 persona ndodhën në paraburgim prej 30 ditëve. Në fund të gushtit dyshohet se e mitura u dhunua seksualisht nga pesë persona për shtatë orë radhazi, përfshirë edhe nga të mitur. Ndërkaq, gjashtë personat e arrestuar për rastin e raportuar në qershor dyshohen për kryerjen e veprës penale të dhunimit, të trafikimit me njerëz dhe të shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera