Lajme

Sindikalistët e arsimit paralajmërojnë grevë për shtator

Autori: Gazeta inFokus 10:15 | 20 August 2017

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, ka paralajmëruar se në shtator do të organizojë greva në arsim për realizmin e kërkesave të mësimdhënësve, të cilat janë të garantuara me kontratën e re kolektive. Mirëpo, sipas drejtuesve të kësaj sindikate greva nuk do të fillojë në fillim të vitit të ri shkollor më 4 shtator.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jashari në një intervistë për KosovaPress tha se më 21 qershor me të përfunduar viti shkollor, iu kanë dërguar të gjithë kryetarëve të komunave të Kosovës nga një shkresë zyrtare për t’iu rikujtuar se kanë nënshkruar kontratën e re kolektive për tërë arsimin e Kosovës dhe kjo kontratë i obligon ata edhe me ligj që t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj të punësuarve në arsim.

“Komunat duhet të paguajnë 70 përqind të vlerës së biletave për mësimdhënësit dhe të punësuarve tjerë në arsim. Po ashtu, duhet të paguajnë tri paga suplementare dhe tri paga me rastin e pensionimit, si dhe çështje tjetër që kemi filluar ta ngrisim tani, të cilën qe një kohë e kemi heshtur disi, është çështja e shujtës… që është vlera dy euro për çdo ditë pune. Meqenëse nga 21 qershori e deri më sot, komunat nuk kanë reflektuar dhe nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, e as nuk i kanë ftuar kryetarët që i kemi të nivelit komunal… Ne iu kemi thënë se SBASHK-u nuk do të hesht për këto kërkesa, por kemi frikë se muaj shtator mund të përcillet në arsimin para-universitar edhe me greva dhe me veprime të tjera, që do të thotë se ne do të vazhdojmë me dërgimin e lëndëve nëpër gjykata lidhur me çështjen e këtyre kërkesave”, theksoi Jashari.

-Advertisement-

Ai ka thënë se si sindikatë dhe mësimdhënës nuk do të futen në grevë më 4 shtator, në fillim të vitit të ri shkollor, sepse mund të jenë të keqkuptuar nga prindërit e nxënësve.

“Nuk hymë më 4 shtator(në grevë), sepse disa individë pastaj do të thoshin se këta nuk po bëjnë grevë për t’i realizuar çështjet, por kanë bërë grevë që ta zgjasin pushimin, e po ashtu do na hidhëroheshin prindërit, sidomos ata të fëmijëve të klasës së parë… por edhe gjenerata të tjera por edhe nxënësit më të rritur”, theksoi Jashari.

Po ashtu, kreu i SBASHK-ut shpreh frikën tjetër se muaj tetor mund të jetë i shoqëruar me greva të administratës në Universitet të Prishtinës, ngase sipas tij, edhe ata kanë kërkesat e tyre.

Sipas tij, nuk janë realizuar tri pagat me rastin e pensionimit, pastaj pagat suplementare dhe as çështje të tjera nuk janë të rregulluara.

Jashari ndër të tjera ka thënë se po presin edhe themelimin e institucioneve, sepse siç tha ai do të kenë përplasje me drejtues të këtyre institucioneve për realizimin e premtimeve të cilat janë bërë gjatë fushatës zgjedhore për arsim.

“SBASHK-u është i gatshëm dhe ne po presim me të themeluar organet e nivelit qendror, ne përveç përplasjeve me komuna do të kemi përplasje edhe me nivelin qendror, sepse ata edhe në takimet që i kemi pasur, edhe gjatë fushatës janë zotuar se kërkesat tona do t’i realizojnë”, theksoi ai.

Kosova sipas të dhënave të MASHT ka rreth 400 mijë nxënës në arsimin fillor dhe në arsimin e mesëm, si dhe janë diku 25 mijë të punësuar, prej të cilëve 23 mijë e 366 janë mësimdhënës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera