Opinione

Sikur BE vërtetë ta kishte dashur Ballkanin

Autori: Agron Hoti 14:07 | 10 April 2025

Nuk është kurrfarë sekreti të thuhet që po të mos kishte qenë SHBA, sot BE dhe tërë Evropa (përfshirë Ballkanin) do të kishte folur rusisht dhe fotografitë e Leninit, Stalinit e deri te Putini do t’i kishim pasur të varura pranë oxhaqeve tona.

Por, ishte SHBA ajo që e pati shpëtuar Evropën, duke e krijuar, kështu, NATO-n dhe BE-në së pari për Evropën Perëndimore e pastaj për tërë Evropën. E për ta shpëtuar botën (veçanërisht Perëndimin) nga komunizmi i kryesuar nga BRSS, SHBA e kishte hapur megatregun e saj dhe kishte nisur investime të mëdha për BE dhe pjesë tjera të botës, në mënyrë që ekonomitë kryesore në glob t’i mbante të lidhura për ekonominë e saj, derisa në vitin 1991 përfundimisht e pati rrëzuar komunizmin dhe e pati çranguar BRSS-në nga superfuqia në fuqi rajonale siç është Rusia sot.
Paramendoni, SHBA edhe sot përmes rezistencës së Ukrainës po mundohet që kufijtë e NATO-s dhe BE-së t’i shtyjë sa më afër Moskës dhe tërë këtë po e bën për të mirë të Evropës dhe Perëndimit.

Ndërsa BE nuk veproi me Ballkanin nga viti 1991-2025 siç pati vepruar SHBA me BE-në nga viti 1945-1991. Sepse, sikur BE ta kishte hapur tregun e saj që në vitin 1991 për Ballkanin dhe të kishte nisur aty megainvestime, atëherë Ballkani sot do të ishte së paku i zhvilluar si Polonia, Çekia apo Spanja e Portugalia dhe nuk do të përballej me shpopullim të frikshëm.
Ndërsa, SHBA s’pyeste fare për kushte, por bënte të pamundurën për ta lidhur BE-në sa më shumë me ekonominë e saj. Kurse BE – ashtu sikurse deri dje – edhe sot vazhdon ta dekurajojë Ballkanin me kushte (standarde e praktika) të shpifura, të cilat as vetë s’i plotëson e as që i ka plotësuar ndonjëherë. Dhe duke e lënë kështu, Ballkani çdo vit e më shumë po rrëshqet kah Rusia, Kina, Turqia dhe Vendet Arabe. Shumë më tepër e duan dhe e adhurojnë sot Putinin dhe Erdoganin vende të Ballkanit, sesa çdo lider tjetër të ndonjë vendi të BE-së. Dhe kjo flet shumë për orientimin e Ballkanit kah lindja, së cilës shqiptarët më shumë se çdo kush tjetër historikisht ia kanë parë sherrin dhe vazhdojnë t’ia shohin.

-Advertisement-

Dhe në fund, kur BE e pa që është bërë vonë, filloi të ankohej se rajoni po na rrëshqitka kah lindja. Sigurisht që rrëshqet, sepse kur nuk investon në derë të shtëpisë (siç BE e ka Ballkanin), atëherë dikush tjetër ta zë vendin, kjo është logjike në ekonomi. Paramendoni se ç’dëme i bënte BE Kosovës, shtetit më të ri në glob: në vend që qysh në 1999 t’ia hapte të gjitha dyert, ajo përkundrazi, po e mbante të superizoluar dhe pa investime siç vazhdon ta mbajë edhe sot. Ndërkohë që askush nuk ka nevojë më shumë për investime sesa një shtet i ri siç është ende Kosova dhe një rajon i tërë si Ballkani që po shpopullohet frikshëm për shkak të mosinvestimeve të qëllimshme të BE-së.

Sikur BE të mos kishte investuar nëpër ekonomitë më të superkorruptuara në glob (p.sh. në Rusi, Kinë, Amerikë Latine, Lindje të Mesme, Turqi, Azi Jugore e Juglindore, Afrikë, etj.), atëherë do t’i kishim besuar për standarde e kritere që do të duhej t’i plotësonim. Por, kur dikujt që e ke shumë larg gjeografikisht s’i kërkon fare standarde e kritere, ndërsa dikujt që e ke në derë të shtëpisë i kërkon standarde e kritere që as vetë s’i plotëson, atëherë është pikërisht kjo që e shtyn Ballkanin të rrëshqasë kah lindja. Paramendoni, sikur BE nga viti 1991 (kur ra komunizmi) e deri në 2025 ta kishte financuar lidhjen e kryeqyteteve dhe qyteteve kryesore të Ballkanit me porte, aeroporte, hekurudha e autostrada moderne, Ballkani sot së paku do të ishte i zhvilluar si një Kore Jugore.

Por, ja që BE edhe sot vazhdon të mos investojë në Ballkan duke e nxitur, kështu, frikshëm, shpopullimin e rajonit dhe rrëshqitjen e mëtejme drejt lindjes. Prandaj, pati ndërhyrë SHBA përmes Marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në Shtëpi të Bardhë në shtator të vitit 2020. Dhe në vend që BE ta përkrahte këtë Marrëveshje, ajo – e detyruar nga Rusia, Kina dhe akterë tjerë – e pati shtyrë Kosovën që ta refuzonte në Kuvend këtë Marrëveshje. Ndërkohë që SHBA vazhdon t’i japë shtysë zhvillimore rajonit të Ballkanit, pavarësisht pengesave të evropianëve, rusëve, kinezëve dhe të tjerëve. Kurse BE vazhdon t’i kërkojë standarde e kritere Ballkanit, të cilat të tjerëve jashtë Evropës fare s’ua kërkon. /A.H.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera