Opinione

Sigurimi i paraparë shëndetësor do ta thelloj privatizimin e tè drejtave sociale

Autori: Gazeta inFokus 18:27 | 05 June 2018

Shkruan: Artan Mustafa

Fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor do ta thellojë privatizimin e sferës publike të Kosovës. Me të, do të fuqizohen institucionet private shëndetësore në kuptimin afatgjatë, ndërsa do të rriten automatikisht rrogat e sekorit publik për rreth 20 milionë euro. Të gjitha këto zhvillime shkojnë kundër interesave ekonomike të shtresës më të varfër

Modeli

-Advertisement-

Kosova do t’i bashkangjitet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat ndjekin modelin e Sigurimit Shëndetësor nëse, siç pritet, mbledhja e kontributeve të punëdhënësve dhe punëtorëve si dhe kompensimi i shërbimeve fillon më 2019. Ky model është i përhapur në shtetet e Europës perëndimore dhe qëndrore (p.sh. Francë, Gjermani, Austri), si dhe me disa dallime është aplikuar edhe në ish-Jugosllavi, përfshirë në Kosovë, përpara 1989-ës.

Përmes këtij modeli, të drejtat në sigurim shëndetësor fitohen me kontribute nga puna formale dhe me vetëfinancim, ose duke qenë pjesë e skemave zyrtare të varfërisë të mbuluara nga shteti. Kështu, modeli dallon nga ai i Sigurimit Kombëtar Shëndetësor që aplikohet në Europën veriore dhe jugore (p.sh. Suedi, Mbretëri të Bashkuar, Spanjë), ku e drejta në sigurim shëndetësor fitohet universalisht me nënshtetësi.

Në kontekstin e Kosovës, që ka përjetuar privatizimin më të madh të të drejtave sociale në gjithë rajonin gjatë tranzicionit post-socialist të dekadave të fundit, fillimi i zbatimit të këtij modeli bazuar në nuancat e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor – që ka hyrë në fuqi në prill 2014 me mbështetjen pothuajse unanime të grupeve të atëhershme parlamentare – mund ta përmirësojë gjendjen sociale në disa aspekte, por shoqërohet edhe me rreziqe dhe mangësi serioze.

Përparësitë

Natyrisht, Ligji për Sigurimin Shëndetësor ka disa përparësi. Përparësia më e dukshme e tij do të jetë shmangia e të ashtuquajturës “rishpërndarje perverse” që ka qenë prezente deri më tash pasi të varëfrit – që njihen zyrtarisht si të varfër duke marrë pjesë në skemën e ndihmës sociale – është dashur shpesh të paguajnë për barna dhe shërbime mjekësore.

Tani, pasi sigurimi i tyre do të mbulohet nga buxheti kombëtar, qasja në barna dhe shërbime shëndetësore (përfshirë në sektorin privat) do të rritet; e kjo domethënë që edhe vlera e ndihmës sociale do të shtohet. Sa më cilësore të jetë mbulueshmëria me ndihmën sociale (që ka rënë vitet e fundit), aq më i mirë do të jetë mbulimi i të varfërve nga sigurimi shëndetësor.

Ndërlidhja e pritshme e cilësisë së shërbimit me kontrata dhe kompensime nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore mund të çojë edhe në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor, nga e cila do të fitonin njëjtë më shumë njerëz.

Një përparësi tjetër është forcimi, sado modest, i solidaritetit shoqëror. Ndonëse të gjithë punëdhënësit (3.5%) dhe punëtorët (3.5%), sipas ligjit, do të paguajnë shkallë të sheshtë (njëjtë) dhe jo progresive të kontributeve, këto kontribute do të shtojnë financat e përgjithshme të mbledhura nga klasa punëtore – çka përbën solidaritet prej më të pasurve kah të tjerët.

Gjithashtu, pasi një i siguruar mund ta sigurojë automatikisht familjen e vet, kjo do të krijojë mbulueshmëri të lartë të popullatës me sigurim shëndetësor dhe ndoshta edhe do të nxisë më shumë interes për punësim formal, sidomos të punëtorëve me rroga të vogla.

Megjithatë, rregullimi për mbulimin e familjeve bart në vete edhe rrezikun e dekurajimit të grave për punësim. Nëse ky dekurajim vërtet paraqitet, atëherë ai vetëm sa do e keqësojë problemin ekzistues të shkallës së ulët të punësimit të grave, që ka qenë nën 17% më 2015.

Rreziqet dhe mangësitë

Përderisa shumica e aspekteve të mësipërme janë të mirëseardhura dhe i kontribuojnë forcimit të rishpërndarjes dhe barazisë sociale, ligji vjen me rreziqe dhe mangësi kontekstuale.

Rreziku më i madh është mundësia e tkurrjes serioze të shërbimeve ose institucioneve publike shëndetësore. Në bazë të nenit 31 të ligjit, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore do të kontraktojë “institucionet shëndetësore të licencuara” për të ofruar shërbime. Kështu, sikur në vende të tjera të Ballkanit, krijohet mundësia për të kontraktuar institucionet private shëndetësore.

Por, duke llogaritur faktorë relevantë në Kosovë – indikatorët e korrupsionit të lartë në administratën publike, trashëgiminë e dobët të kujdesit shëndetësor publik që nga paslufta, dhe në anën tjetër mundësitë më të mëdha të tregut privat për t’u reformuar dhe për t’iu përgjigjur nevojave të konsumatorëve – institucionet private shëndetësore pritet të përfitojnë më shumë nga zbatimi i sigurimit të obliguar shëndetësor.

Nëse kjo ndodh dhe institucionet publike shtyhen në periferi në mungesë të kujdesit të vazhdueshëm reformator qeveritar, është e mundshme që me kohë çmimet e shërbimeve shëndetësore të rriten (me rritjen e autoritetit të sektorit privat), çka do të rrisë koston për qytetarët. Nuk është larg mendësh që, duke marrë për bazë privatizimin e madh në Kosovë, një numër i institucioneve publike mund të çohen komplet drejt falimentimit. /KOSOVO 2.0/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera