Fokus

Si u mbyllën tri shkolla në Drenas?

Autori: Sylejman Sylejmani 18:03 | 22 October 2018

Nxënësit e fshatrave Abri, Gjergjicë e Godanc të komunës së Drenasit, nuk do ta vazhdojnë më mësimin në shkollat e tyre.

Kjo pasi komuna e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci ka marrë vendim që ti mbyllë shkollat e këtyre tri fshatrave, raporton Gazeta inFokus.

Prindërit e nxënësve nuk e kanë pritur mirë këtë vendim që u morë më 31 gusht, rreth një javë para se të fillonte procesi i rregullt mësimor.

-Advertisement-

Zëdhënësi i komunës, Bekim Dobra në një prononcim për Gazetën inFokus thotë se këto shkolla nuk janë mbyllur, por ka vetëm pozicionim të paraleleve.

“Nuk ka mbyllje të shkollave ka pozicionim të paraleleve. Do të thotë nxënësit e shkollave amë shkojnë në shkollën amë. Para tri javësh dikund nxënësit e dy fshatrave të tjera kanë pranuar të shkojnë në shkollë. Ndërsa prej sot kemi marrë konfirmimin se edhe nxënësit e Abrisë ia kanë fillu të shkojnë në shkollë Disa javë e kanë bojkotu procesin mësimor, por kur e kanë pa që gjithcka është ligjore po shkjojnë në shkollë”, thotë ai.

Edhe ai e pranon që njoftimi  u bë me vonesë.

“Drejtoria komunale e Arsimit i ka njoftu. Edhe pse ndoshta ka qenë pak me vonesë, prapë i ka njoftu.  I ka njoftu para procesit mësimor, spo e besoj që është me vonesë. Para procesit mësimor, më 31 gusht janë njoftu”, tregon ai.

E asamblisti i kësaj komune, Xhavit Drenori e quan skandal krejt këtë që ka ndodhur.

“Ne në Drenas kemi bërë një skandal të komunikimit me administratorët e fshatrave. Kryetari Lladrovci  pa e hapur një debat me qytetarët e këtyre tri fshatrave dhe me prindërit e nxënësve, ka ardhë tek përfundimi që t’i mbyllin shkollat dhe vendimin qytetarët e kanë marrë më 31 gusht. Ka qenë vendim i padrejtë, arbitrar dhe ne besojmë që të paktën shkolla në Abri duhet të rihapet shumë shpejtë”, thotë Drenori.

Madje ai thotë se shkolla në fshatin Abri u mbyll vetëm për çështje politike.

“Ky është një vendim i padrejtë. Ne mendojmë që shkolla të paktën në Abri nuk është dashtë me u mbyllë, sepse ka nxënës mjaftuehsëm dhe kërkesa e prindërve dhe e nxënësve atje që të hapet shkolla janë legjitime dhe ne qëndrojmë pas tyre. Ajo shkollë është mbyllë kryekëput për çështje politike. Kjo për shkak të problemeve që i ka pasur në atë shkollë me vota zotëri Lladrovci, besojmë se kjo është arsyeja kryesore e mbylljes së kësaj shkolle”, deklaron Drenori.

Nga ana tjetër, ministria e Arsimit thotë se kjo nuk është çështje e tyre.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Valmir Gashi thotë për inFokus se në takimin që e kanë pasur me përfaqësuesit e komunës së Drenasit, u kanë thënë se krejt çka mund të bëjnë është që të ndërmjetësojnë me ministrinë e financave.

“Ne ju kemi thënë që vetëm nëse komuna thotë se këto po mbyllen për shkak të buxhetit për staf, u kemi thën që jemi të gatshëm me e përkrahë komunën me ndërmjetësu me ministrinë e financave dhe me e zgjidhë këtë problem”, deklaron ai. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera