Si të ndalet shpopullimi i vendbanimeve në Maqedoninë e Veriut?

Autori: Gazeta inFokus
16:59 | 14 January 2023
Regjistrimi i popullsisë solli një pasqyrë reale për sa i përket potencialit njerëzor, theksojnë afaristët në Maqedoninë e Veriut.
Por, për ta mbetet problematike mungesa e një strategjie të qartë për ndaljen e hovit të migrimit, veçanërisht për gjeneratat e reja.
“Për ne, si afaristë, mbetet sfida e përballjes me mungesën e potencialit njerëzor. Pra, ne duhet të përballemi me gjetjen e një zgjidhjeje për atë që nënkupton zhvillim, ngritje të ekonomisë së vendit, e cila nuk bëhet pa njerëz. Ne, si afaristë, mund të marrim linja të ndryshme kreditore, të kemi projekte të shkëlqyera, por në mungesë të faktorit njeri, ato janë të destinuara të prolongohen ose të dështojnë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, afaristi Menderes Kuçi.
Çështja e migrimit zuri vend të theksuar edhe në fjalimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, drejtuar opinionit me rastin e festave të fundvitit.
Ai me këtë rast theksoi se regjistrimi i popullsisë ka dëshmuar se demografia, përkatësisht ulja e numrit të popullsisë, paraqet rrezik të madh për vendin për sa i përket zhvillimit.
Duke iu referuar projeksioneve të Kombeve të Bashkuara se nëse vazhdon trendi i këtillë i migrimit në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2050 në vend do të mbeten vetëm një milion banorë kundrejt 2 milionë banorëve kur u u pavarësua si shtet, Pendarovski theksoi nevojën e hartimit të një strategjie që do të ngadalësonte hovin e migrimit.
Nga kabineti i presidentit Pendarovski thanë për Radion Evropa e Lirë se për këtë çështje tashmë kanë komunikuar dhe e kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha institucionet relevante.
Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simonovski, tha për REL-in se rezultatet e regjistrimit imponojnë angazhimin e shtetit që t’i zgjidhë problemet, veçanërisht në sektorin e biznesit dhe urbanizmit.
“Lexova se Gjermania kërkon 50 mijë punëtorë nga Ballkani. Institucionet duhet të përgjigjen se cili do të jetë reagimi i tyre ndaj këtyre proceseve”, u shpreh Simonovski.
Sipas tij, zbrazja e rajoneve të tëra në Maqedoninë e Veriut është si rezultat i politikave ët gabuara gjatë një procesi më të gjatë.
“Vëmendje të veçantë duhet kushtuar fatit se pse na ndodh procesi i shpopullimit dhe si ta ngadalësojmë këtë proces, i cili aspak nuk është i lehtë. Shteti, përkatësisht institucionet, duhet të mbeten të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje”, vlerësoi Simonovski.
Në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka bërë të ditur se ka filluar revidimin e Strategjisë së politikave demografike.
Nga ky dikaster thanë se “kjo Strategji ka një rëndësi të madhe si një dokument që identifikon fushat me prioritet dhe udhëzime për përmirësimin e tendencave ekzistuese demografike përmes zbatimit të politikave afatgjata dhe fushave të veprimit që ndikojnë drejtpërdrejt dhe indirekt në zhvillimin demografik në vend”.
Ndërkaq, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se zhvillimi i barabartë rajonal figuron në letër, por ai nuk zbatohet në praktikë.
Arben Halili, ligjërues i Ekonomisë në Universitetin e Tetovës thotë se krijimi i kushteve të mirëfillta në të gjitha vendbanimet e vendit do t’i mbajë të rinjtë në Maqedoninë e Veriut. Në të kundërtën, sipas tij, ata të ardhmen gjithnjë e më shumë do ta shohin jashtë vendit.
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, duhet t`i bashkërendojë aktivitetet e veta me Ministrinë e Financave dhe të gjitha institucionet e tjera relevante bazuar dhe në mundësitë reale që mund të kenë komunat e ndryshme që t’i përcaktojnë prioritet. Këto projekte të konvertohen në realizimin e projekteve konkrete që do të jenë në interes të banorëve duke siguruar cilësi më të lartë të standardit jetësor. Kjo në masë të caktuar do të ngadalësojë procesin e migrimit”, vlerëson Halili për Radion Evropa e Lirë.
Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut u realizua në tetor të vitit 2020, përderisa rezultatet e këtij procesi u publikuan në mars të vitit të kaluar. Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë, Maqedonia e Veriut ka rreth 1.8 milion banorë apo rreth 10 për qind më pak se në regjistrimin e vitit 2002.
Rezultat e regjistrimit nxorën në pah se 207 vendbanime në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur thuajse pa banorë, për shkak të shpërnguljes së tyre, kryesisht jashtë vendit.

Të tjera
-
Erdogan bën thirrje për armëpushim në Gazë
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u tha udhëheqësve në samitin e NA...
-
“SHBA-të janë begatia e Zotit”, imami Maliqi pret në xhami ushtarët amerikanë
Në një takim të veçantë dhe përplot emocione, imami Labinot Maliqi ka pritur ...
-
Drejtori i CIA-s thotë se programi bërthamor i Iranit është dëmtuar rëndë
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, thotë se agjencia e tij ka “inteligjencë të...
-
Tensione në Salerno, ndërtuesi italian vret 25-vjeçarin shqiptar gjatë grabitjes
Trupi i një 25-vjeçari shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim prej dy ditë...
-
Kurti: Ngjyrat e Luginës nuk bëjnë kompromis me heshtjen, janë rrëfim i qëndresës përballë padrejtësisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen solemne të ekspozit...
-
Trump: Ia ndaluam Serbisë që të niste ndonjë përplasje
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se e kanë ndaluar Serbinë që të n...
-
Rutte: KFOR-i vazhdon të jetë në Kosovë, asgjë s’ka ndryshuar
Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë të mbajtur për media në kua...
-
Specialja hedh poshtë ankesat e mbrojtjes në rastin e administrimit të drejtësisë
Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës, ka njoftuar se në rastin “Thaçi ...
-
“Krejt Prishtina e dinë që Urani ka me qenë”, Memli Krasniqi jep detaje për kandidatët për komuna: Agim Aliu, Shaqir Totaj, në Mitrovicë Arian Tahiri…
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, konfirmoi ek...
-
Personi i zhdukur në Gorozhup gjendet i gjallë – Operacioni përfundon me sukses
Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) ka bërë të ditur se operacioni ...
-
Hoxhaj: E mbështes një koalicion mes Vetëvendosjes dhe PDK-së
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, në Klan Ko...
-
“Jo më ‘masakra’ me 40 euro shezlloni për kosovarët”, Ndreu- Katër euro në qendër të Shëngjinit, pesë euro në Ranën e Hedhun
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka deklaruar se çështja e shezll...