“Si në mesjetë”: Ushtarët rusë mbahen në bodrume pas refuzimit për të luftuar në Ukrainë

Autori: Gazeta inFokus
10:19 | 18 July 2023
Një ushtar rus i dënuar për mosbindje ishte në mesin e një grupi rekrutësh që i akuzuan eprorët e tyre se i ngujuan në një bodrum në Ukrainën lindore, pasi ata refuzuan të luftonin, sipas një gazete të pavarur ruse.
Ata u mbajtën në bodrume me kushte johigjienike dhe me një diete të pamjaftueshme.
Dënimi i ushtarit Yevgeny Frolov në qytetin e largët lindor, Spassk-Dalny, më 13 qershor, ndodhi disa ditë pas publikimit të një videoje të re që pretendonte të shfaqte se si ushtarët rusë në Ukrainë ishin ngujuar për shkak të mosbindjes për të shkuar në vijën e frontit me pajisje dhe përkrahje të pamjaftueshme.
“Ne u ngujuam në këtë gropë pasi refuzuam të shkojmë në vijën e parë të frontit,” dëgjohet një burrë jashtë kornizës duke thënë në video, e cila shfaq burra me uniforma ushtrie, të shtrirë në një dhomë të lagësht si bodrum me mure në shembje e sipër.
“Nuk ka komandantë që do të na dërgonin në vijën e parë të frontit. Nuk ka pajisje, ekipe evakuimi, radio. Na kanë hedhur në pyll sikur të ishim qen”, shton burri në videon, e cila u publikua nga kanali i pavarur rus Astra, në Telegram, më 8 korrik.
Trupat në videon e re të publikuar nga Astra, u identifikuan si anëtarë të Brigadës së 60-të të Veçantë të Këmbësorisë Ruse. Kjo video është dëshmia më e fundit se më shumë se dhjetëra objekte të tilla të improvizuara për mbajtje supozohet se u përdorën për t’i ndëshkuar ushtarët rusë që refuzuan të luftonin në Ukrainë.
Frolov, një ushtar i dënuar për mosbindje në një gjykatë ushtarake në Spassk-Dalny, ishte në mesin e një grupi rekrutësh që dyshohet se u mbajtën në bodrume të ngjashme në fshatin Zavitne Bazhannya, në territorin e kontrolluar nga Rusia në rajonin lindor të Donetskut në Ukrainë, sipas Astra.
Radio Evropa e Lirë nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë në mënyrë të pavarur nëse Frolov u mbajt në atë bodrum pasi refuzoi për të luftuar në Ukrainë, megjithatë në faqen e internetit të gjykatës ushtarake Spassk-Dalny thuhet se ai ishte dënuar për mosbindje.
Ai u dënua me dy vjet e gjysmë burgim, sipas Astras, e cila citoi të afërmit dhe bashkëluftëtarët e tij.
Më 15 korrik, avokati i listuar i Frolovit nuk i është përgjigjur pyetjeve.
“Metoda barbare”
Avokatja për të drejtat e ushtarëve rusë, Yelena Popova, tha për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë se arsyeja kryesore që ushtarët detyrohen të qëndrojnë në këto burgje në fushëbetejë është se “i detyrojnë të shkojnë përsëri në front”.
“Një komandant në një zonë lufte nuk ka nevojë ta burgosë një person për ta bindur, por i duhet ta detyrojë aty për aty që të shkojë në front për të vrarë dhe për t’u vrarë. Prandaj, ai përdor metoda të tilla barbare,” tha Popova, duke e quajtur “thjesht mesjetare” këtë praktikë.
Një prej ushtarëve rusë, i cili dyshohet se ishte burgosur në një bodrum me Frolovin në Zavitne Bazhannya për mosbindje për të luftuar, bëri ankesë në Komisionin Hetues të Rusisë në nëntor 2022.
Ai u ankua për “llogaritje të gabuara taktike dhe strategjike nga komanda më e lartë, gënjeshtra të vazhdueshme ndaj ushtarëve në rang më të ultë, [dhe] mbështetje e pamjaftueshme mjekësore dhe materiale.”
“Besimi im në komandantët është lëkundur”, shkroi ushtari Mikhail Nosov në ankesë.
Maksim Grebenyuk, avokati që e përfaqësoi Nosovin, i tha Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë në dhjetor se i kishte disa ushtarë rusë si klientë të cilët “u hodhën në bodrume, ku mbaheshin në kushte çnjerëzore pa formalizimin e dokumenteve procedurale, dhe ndaj tyre nuk ishte ngritur akuzë.”
Popova i tha Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë se ushtarët që ndëshkohen në atë mënyrë shpesh ngurrojnë të bëjnë edhe luftë ligjore.
“Ata kanë qenë në stres për një kohë të gjatë, në kushte ku ligji nuk funksionon, dhe ku funksionon vetëm forca dhe dhuna”, tha ajo.
Të afërmit e rekrutëve në videon e bodrumit të zbuluar javën e kaluar i thanë Astras se nuk ishin në gjendje të kontaktonin me ushtarët pasi videoja u bë publike. /REL

Të tjera
-
Beogradi i përfshirë nga protestat masive, Vuçiq: Shteti do mbrohet, qoftë me dhunë
Beogradi po përgatitet për një protestë të re të shtunën, e cila pritet të je...
-
“Kosova është Serbi”- E tmerrshme: shikoni si serbët ngjallin urrejte në festën e Vidovdanit
Policia e Kosovës ka njoftuar se manifestimet e Vidovdanit në Gazimestan dhe ...
-
Shpërthen zja*rri në një hapësirë të autopjesëve në Maxhunaj të Vushtrrisë
Një zjarr i madh ka shpërthyer në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë në një hapës...
-
IKShPK tregon si të mbroheni nga dielli
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka thënë se çdo vit rrez...
-
Arifi: Kushtetuesja u dha instruksione partive se si duhet të procedohet tutje
Analisti politik Avni Arifi vlerëson si të mirëpritur iniciativën e kryeminis...
-
Tryezë e rrumbullakët – pamje brenda takimit të Kurtit me partitë
Kanë dalur pamjet e para brenda takimit i cili po mbahet në mes të përfaqësue...
-
Pas Kurtit edhe Limaj shihet në Kuvend, s’deklarohet para takimit
Përveç Albin Kurtit, edhe kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj është parë duk...
-
Nis takimi – të gjitha partitë i përgjigjen ftesës së deputetit Kurti pas aktgjykimit të Kushtetueses
Ka nisur takimi i thirrur nga ish-kryeministri, Albin Kurti, tashmë në cilësi...
-
Kurti flet para takimit me liderët e partive: Të shohim kush po vjen
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka mbërritur në ndërtesën e Qeverisë. ...
-
Vidovdani – Policia njofton për 17 persona të arrestuar, 11 janë duke u intervistuar, 1 është dërguar në mbajtje
Policia e Kosovës, ka njoftuar se 17 persona janë shoqëruar në polici gjatë m...
-
Arrestohen dy persona për trafikim dhe kultivim të narko*tikëve në Prishtinë
Dy persona janë arrestuar për shkak se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në t...
-
Policia deklarohet për aksidentin në Kopiliq të Skenderajt
Një aksident mes dy veturave në fshatin Kopiliq të Skenderajt la të lëndu...