Opinione

Si manipulohen zgjedhjet?

Autori: Ma.sc. Arber Jashari 18:32 | 05 October 2019

Duhet thënë fillimisht se keqpërdorimi i votës dhe manipulimi i zgjedhjeve është shumë më i hershëm nga se e mendojmë ne. Si duket kjo dukuri ka lindur bashkë me zgjedhjet si institut. Kjo dukuri besohet se ka nisur qysh në Romën Antike në të cilën votimi është bërë më anë të tjegullave të thyera. Mijëra vjet më vonë janë gjetur copëza të tilla me të njëjtin emër të shkruar nga e njëjta dorë që na bënë të supozojmë se kanë të bëjnë me manipulime të hershme zgjedhore. Në vijim do të flasim për mënyrat më të shpeshta të manifestimit të këtij lloji të veprave penale.

 

Vota në emër të tjetrit

-Advertisement-

 

Vota në emër të tjetrit rezulton të jetë një nga mënyrat më të shpeshta të manipulimit zgjedhor edhe në ditët e stome. Një prej problemeve më të mëdha zgjedhore në Kosovë është lista e votuesve. Ekzistojë qindra e mijëra kosovarë që jetojnë jashtë shtetit ose kanë vdekur apo persona që kanë lëvizur dhe ndërruar vendbanim, por që emrat dhe adresat e tyre nuk janë përditësuar-rifreskuar . Kur emigrantët e Kosovës votojnë jashtë shtetit me anë të postës , vota e tyre mund të refuzohet nëse dikush tashmë i ka shënjuar emrat e tyre në listën origjinale të votueseve në Kosovë. Po ashtu problemi me persona të vdekur është një problem tejet serioz që përsëritet vazhdimisht. Anëtarët e familjes nuk i raportojnë vdekjet në mënyrë rutinore, edhe në rastet kur i raportojnë, komunat nuk i lajmërojnë këta emra në mënyrë adekuate tek Ministria e Punëve të Brendshme. Individët të cilët kanë lëvizur brenda komunës së tyre, mbeten në listën paraprake dhe shpesh nuk votojnë, sepse emrat e tyre gjenden në qendrat e votimit prej nga e kanë prejardhjen. Nga një auditim që kishte zhvilluar Instituti Kosovar D4D, tregon se vetëm 60 % e votueseve në Kaçanik, jetonin aty ku figuronin në listë. 40 % të tjerët ose ishin jashtë vendit ose kishin lëvizur në ndonjë vendbanim tjetër. Çka do të thotë kjo? Secili person i cili ka të drejtë vote e nuk e realizon, ekziston mundësia që dikush tjetër të votojë në emër të tij. Kjo mund të vërehet më së miri edhe nga dalja në votime në disa komuna, si në Skenderaj, Drenas e Deçan, ku dalja në zgjedhje në 2010, arriti në shifra rekorde, mbi 90 %. Teknikisht dhe praktikisht një gjë e tillë del të jetë e pa mundur. Deri në zgjedhjet e vitit 2014, votimet gjithherë janë realizuar gjatë dimrit, kur dita ka qenë më e shkurt. Kjo ka mundësuar që të bëhen manipulime më të mëdha për faktin se, më të rënë terri, partitë përmes komisionarëve e shpeshherë duke shfrytëzuar edhe mungesën e energjisë elektrike (e cila edhe mund të jetë ndërprerë më qellim nga ana e zyrtarëve të KEK-KEDS-it), kanë filluar avazin e mbushjes së kutive të votimit. Parregullsi të tilla u raportuan sidomos në zgjedhjet  lokale të 2009-tës, ato parlamentare të 2010, për çka është dashur që procesi në disa komuna të përsëritej disa herë.

 

Votimi familjar

 

Problem në pothuajse të gjitha proceset zgjedhore deri me tani në Kosovë, e që është raportuar vazhdimisht nga vëzhguesit dhe monitoruesit e zgjedhjeve, është edhe votimi familjar.

Bazuar në një përkufizim të ofruar nga Komisioni i Venedikut, “votimi familjar” paraqitet në rastet kur një anëtar i gjinisë mashkullore në familje, shoqëron një apo më shumë të

afërm të gjinisë femërore në kabinën e votimit.  Në rastet kur grupet familjare votojnë së bashku, apo në rastet kur një anëtar i gjinisë mashkullore voton në emër të një apo më shumë të afërmve familjarë të gjinisë femërore.

Fenomeni si i tillë, ua mohon femrave ushtrimin e të drejtës ekskluzive – votimin e lirë, të fshehtë dhe të pavarur, të siguruar me ligj dhe si rrjedhojë përbën veprën penale cenim i fshehtësisë së votimi t– neni 218 dhe ka elemente të veprës penale cenim i përcaktimit të lirë të votuesve, neni 213 i KPK-së.

 

Treni bullgar

 

Një dukuri shpesh e proklamuar nga mediet dhe  partitë politike del të jetë edhe e ashtuquajtur treni bullgar. Quhet kështu  për shkak të vendit të origjinës ku ka nisur të zbatohet kjo “metodë”.  Ka raste të raportuara kur letra e bardhë apo letrat tjera janë gjetur brenda kutive të votimit. Ky është një tregues se votuesi ka marrë fletëvotimin dhe ka futur diçka tjetër brenda në kuti. Fshehtësia e këtij “triki” qëndron në atë se fletëvotimi i pa plotësuar bie në duart e militantit partiak, jashtë qendrës së votimit, i cili e  plotëson atë dhe ja jep votuesit të radhës. Votuesi i radhës e fut në kuti të plotësuarin dhe nxjerrë jashtë një të pa plotësuar të cilin ja jep militantit partiak nga i cili merr të hollat. Kjo formë mund të zgjas gjatë gjithë ditës dhe nuk është shpikje e kosovarëve, për çka tregon edhe emri “ treni bullgar”.  Kështu mundësohet shitblerja e votës. Mënyrë tjetër që dëshmon për pazar me vota është edhe fotografimi i votës. Kjo i shërben  si dëshmi votuesit se ka votuar për subjektin ose kandidatin e duhur politik në mënyrë që ta merr shpërblimin.

 

“Dora e fshehtë” e  komisionarëve

 

Komisionarët e  vendvotimeve janë identifikuar si manipuluesit kryesorë të zgjedhjeve në vitin 2007, 2009,dhe 20109. Kjo u dokumentua më së miri nga misionet e ndryshme vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore dhe u fuqizua me vendime gjyqësore.Sistemi zgjedhor parlamentar i Kosovës dhe mundësia që në listën për deputet ose këshilltar komunal të nënvizohen deri në pesë persona, hap dyert edhe për një manipulim të një natyre tjetër. Shumëkush nuk voton për 5, por shkon vetëm më 1, 2 apo 3. Ngjashëm ndodh edhe në zgjedhjet për këshilltar komunal. Këtu edhe vjen në shprehje “dora e komisionarëve” të cilët gjatë procesit të numërimit, i plotësojnë numrat e pa plotësuar, duke rrumbullakuar ata për të cilët kanë marrë direktiva nga partia e tyre. Zakonisht, në PZAP, pas zgjedhjeve parlamentare, shumica e ankesave janë të kësaj natyre. Madje, në pjesën dërmuese të rasteve, kandidatët për deputetë, ankohen në rivalët e tyre brenda subjekteve.

 

Përpos këtyre formave në gjykatat e Kosovës janë evidentuar edhe raste tjera si cenim i përcaktimit të lirë të votuesve , marrje e ryshfetit në votime etj.

 

 

(Pjese nga studimi “Veprat penale kunder të drejtave të votimit 2010-2013”)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera