Lajme

Si e liroi Gjykata nga paraburgimi Leutrim Latifin që konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë

Autori: Gazeta inFokus 11:10 | 19 November 2021

Mëngjesin e së enjtes, janë arrestuar tre persona të cilët dyshohen për tentim grabitjen e argjendarisë në Prizren ku u plagosën pronari dhe djali i tij. Në mesin e të arrestuarve është edhe Leutrim Latifi, i cili është i njohur për organet e rendit. Ani se konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë, ai është liruar nga paraburgimi në mars të këtij viti. Por cili është arsyetimi i Gjykatës për lirimin e tij?

Leutrim Latifi dhe dy persona tjerë të cilët po mbaheshin në paraburgim nën dyshimet për disa raste të grabitjeve, u liruan nga paraburgimi më 26 mars të këtij viti.

Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Burgjeve të Kosovës, Florent Gashi.

-Advertisement-

“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë se me, 26 mars 2021, personave në fjalë me vendim të gjykatës kompetente iu është ndërprerë masa e paraburgimit”, ka deklaruar Gashi.

Për arsyet e lirimit të treshes nga paraburgimi, janë deklaruar për Express nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, ka thënë se lirimi i tyre është bërë meqenëse kanë pushuar shkaqet për mbajtjen e tyre në paraburgim.

Gashi deklaroi se në vend të paraburgimit, ndaj tyre ishte shqiptuar masa e ‘Paraqitjes në stacionin policor’.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj, ju informojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda në përbërje nga trupi gjykues prej tre gjyqtarëve profesionistë, me datë 26.03.2021 kanë marr vendim dhe të akuzuarve L.L, E.SH dhe K.SH iu është ndërprerë masa e paraburgimit dhe është urdhëruar masa Paraqitja në stacionin policor, pasi që trupi gjykues ka vlerësuar se kanë pushuar shkaqet për mbajtjen në paraburgim për të akuzuarit në fjalë”, ka deklaruar Gashi.

Latifi do të kthehet sërish në paraburgim. Këtë herë për tentim grabitjen e një argjendarie në Prizren ku mbetën të plagosur pronari dhe djali i tij.

Gjykata Themelore e Prizrenit sot ia ka caktuar atij dhe dy të tjerëve ( R.F. e I.Q.) masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Por, kush është Leutrim Latifi dhe si është i njohur ai për organet e rendit

Latifi në vitin 2018 ishte konsideruar si anëtar i një grupi të rrezikshëm kriminal. Ai akuzohej se bashkë me tre persona tjerë, të maskuar e të armatosur kishin hyrë në një bankë në Prishtinë ku kishin marrë 117 mijë e 265 euro, e më pas ishin larguar me një veturë të cilën e kishin djegur për të asgjësuar gjurmët dhe provat.

Latifi ishte shpallur në kërkim nga policia, nën dyshimet se ishte pjesëmarrës në disa grabitje të shumta që kishin ndodhur në fund të vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019, në markete, kazino e banka të ndryshme në Kosovë.

Derisa po qëndronte në arrati, Latifi kishte publikuar video në të cilën thoshte se është në Spanjë, duke u tallur me policinë, rreth kërkesës për arrestimin e tij.

Policia kishte ofruar një shpërblim prej 5 mijë eurosh, për ata që do të ofronin informata rreth vendndodhjes së Latifit dhe dy të dyshuarve tjerë për grabitje.

Latifi ishte arrestuar në shkurt të vitit 2019, në Mal të Zi, ndërkaq ishte ekstraduar në Kosovë në maj të po atij viti, për t’u përballur me drejtësinë.

Në shtator të vitit të kaluar, Leutrim Arifi dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të cilët dyshoheshin për grabitje të armatosura, u liruan nga paraburgimi në procedurë të rregullt, nga Gjykata e shkallës së parë në Prishtinë.

Lirimi i këtij grupi ishte parë me shqetësim të madh nga një numër i qytetarëve dhe i njohësve të sigurisë.

Disa ditë pas lirimit, të dyshuarit u arrestuan përsëri. Gjykata e Apelit kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ta.

Të njëjtit konsideroheshin si persona me rrezikshmëri të lartë dhe ishin dërguar në Burgun e Dyzit.

Ata u liruan më 26 mars të këtij viti, por ishin të urdhëruar të paraqiten në stacion policor çdo ditë.

Në seancën e fundit në të cilën mori pjesë, Latifi u mbrojt në heshtje, ndërkaq seanca e radhës ishte caktuar të mbahet më 18 nëntor, në ditën kur Latifi u arrestua për tentim grabitjen dhe plagosjen në Prizren.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera