Opinione

Më shumë hise në ‘kuletën’ e NATO-s

Autori: Gazeta inFokus 13:38 | 29 June 2018

Shkruan: Agron HOTI

Dinamikat e zhvillimeve në fushën e sigurisë globale janë intensifikuar aq shumë pas rënies së komunizmit sa që rendi ri ndërkombëtar është sfiduar në shumë dimensione. Nuk ka pjesë të botës që s’është prekur nga sfidat postkomuniste të sigurisë. E rendi i ri ndërkombëtar është dashur të formësohet mbi këto premisa dhe kjo jo gjithmonë ka qenë e realizueshme. Pengesat kryesore që sfidojnë rendin e ri ndërkombëtar janë pikërisht ri-dimensionimet dhe ri-orientimet e shteteve dhe mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë varësisht prej trendeve zhvillimore dhe interesave në ardhje.

Do të ishte e paparamendueshme po të thuhej në vitet e 60-ta dhe 70-ta që Bashkimi Sovjetik pas vitit 1990 do të shkatërrohej, dhe se Rusia, përpos ngeljes fuqi rajonale, nuk do të mund ta trashëgonte epitetin e superfuqisë që kishte Bashkimi Sovjetik. Gjithsesi që Kryetari Putin ia kishte daluri ta nxjerrë Rusinë nga kolapsi ekonomik i vitit 1991, kolaps ky i akumuluar ndër vite dhe dobësoi deri në limit pozicionin kundërshtues rus ndaj bashkimit e Gjermanive. Tashmë Putini ia ka dalur që përmes taktikave të tij mashtruese dhe shantazhuese të vëjë në binarë shtete të ndryshme duke ushtruar presion të caktuar. Taktikat e përdorura kanë të bëjnë me detyrimet e ndryshme ekonomike deri te presioni diplomatik, madje edhe detyrimet përmes mjeteve armiqësore, përfshirë shfrytëzimin e popullsive pro ruse në ish shtetet sovjetike.

-Advertisement-

Gjithësesi që do të ishte po aq e paparamendueshme në vitet 60-ta apo 80-ta të thuhej që Kina pas vitit 2000 do të bëhej fuqia e dytë ekonomike në glob pas SHBA-ve, e ndjekur ngushtë nga India e cila deri në vitin 2030 pritet ta tejkalojë Kinën sipas gazetës Economist. Ndërkohë që Kina sot përpos rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe rritjes së presionit përreth saj, ka projeksione ekonomike anë e kënd globit duke sfiduar kështu interesat e SHBA-së dhe NATO-s në përgjithësi.

Do të ishte poashtu e paparashikueshme që në fillim të viteve të 90-ta, pra në vlugun e integrimit evropian, projekti i Bashkimit Evropian ende pa u kompletuar të futej në krizë aq të thellë sa të braktisej nga Britania e Madhe. Të gjitha këto lëkundje kërkonin përgjigje nga rendi i ri ndërkombëtar dhe kjo ishte më e vështirë të arrihej se sa ç’duket.

Me zhvillimin ekonomik të globit gjithandej, nevoja për qasje në resurse është rritur si kurrë më parë. Poashtu, është rritur edhe gara e eksporteve sa shtetet nuk lënë gurë pa lëvizur për të siguruar tregje të reja. Këto zhvillime asesi nuk do të mund të bëhen pa një siguri globale që garanton lëvizje stabile të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

E siguria globale është pothuaj e pamundshme që të garantohet në çdo cep të globit. Si rezultat i kësaj shtete të ndryshme kanë filluar rritjen e shpenzimeve ushtarake (shih Lindjen e Mesme, Azinë Jugore, Juglindore dhe Verilindore) pa e pasur shumë të qartë se deri ku do të mund të shpie kjo garë e rrezikshme dhe deri në ç’masë mund ta ç’rregullojë rendin e ri ndërkombëtar.

Në përgjigje të kësaj gjurolltie globale Strategjia Kombëtare e Sigurisë së SHBA-ve për vitin 2018 thotë që “ne (amerikanët) jemi duke u përballur me një ç’rregullim global në rritje, karakterizuar me rënien e rendit ndërkombëtar që bazohej në rregulla afatgjata – që po krijon një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks dhe të paqëndrueshëm se sa që kemi përjetuar në historinë më të fundit”.

Duke u bërë më specifike kjo strategji flet konkretisht për sfiduesit e rendit ndërkombëtar duke thënë që “Kina është një konkurrent strategjik që po përdor ekonominë grabitçare për të frikësuar fqinjët përderisa po militarizon zona në Detin e Kinës Jugore”. Ndërsa për Rusinë thotë që “ka dhunuar kufijtë e kombeve fqinje dhe ndjek fuqinë e vetos në vendime ekonomike, diplomatike dhe sigurisë për fqinjët e saj”. E kjo fuqia e vetos ruse përbën problem të madh edhe për anëtarësimin e Kosovës në Kombe të Bashkuara.

Në përputhje me këto zhvillime, NATO dhe shtetet anëtare të saj kanë filluar ri-pozicionimin e tyre në aspektin e sigurisë globale. Sigurisht që kjo nuk është duke kaluar pa tension të brendshëm brenda anëtarëve të NATO-s. E tensionet kanë filluar të rriten me ardhjen në pushtet të Kryetarit Trump, i cili përmes politikave të tij të ri-shqyrtimit të gjithëçkaje në të mirë të SHBA-ve, ka filluar të shqetësojë aleatët e tij. E shqetësimet janë ngritur sidomos në Gjermani dhe Japoni, si dy nga ekonomitë më të forta në botë pas SHBA-ve dhe Kinës.

Sipas artikullit të Stefan Theil të publikuar në Foreign Affairs thuhet se “më shumë se çdo vend tjetër i madh evropian, Gjermania e sotme demokratike dhe prosperuese është produkt i angazhimit amerikan në Evropë” dhe se “pa mbështetjen e vazhdueshme amerikane, rendi botëror liberal që ka gjeneruar prosperitetin gjerman do të shkërmoqej”.

Situata nuk është më ndryshe as me Japoninë, e cila nga amerikanët poashtu konsiderohet pak a shumë si produkt amerikan në Azinë Verilindore. Pra, sipas amerikanëve Gjermania dhe Japonia përfitojnë më së shumti nga rendi liberal ndërkombëtar e investojnë shumë pak mjete ushtarake për ta mirëmbajtur atë.

Ndryshimi që ka sjellur Kryetari Trump në politikat e sigurisë së NATO-s është që Gjermania dhe të gjitha anëtaret tjera duhet të rrisin shpenzimet ushtarake nga 1.2 % të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) në 2% deri në vitin 2024. Pas referendumit për dalje nga BE nga Britanisë së Madhe dhe pas ardhjes së Kryetarit Trump në pushtet me moton “Amerika së Pari”, elita politike gjermane e pa menjëherë të nevojshme që përfundimisht t’i përvjelë mëngët përballë cenueshmërisë ekonomike të Gjermanisë, pra varësisë së këtij shteti nga eksportet që përbëjnë mbi 50 % të GDP-së.

Në këtë drejtim diplomacia gjermane ndezi dritat e thellimit të bashkëpunimit me çdo akter global me qëllim të rritjes së kontributit të saj në sigurinë globale dhe me këtë edhe uljen e cenueshmërisë së eksporteve të saj anë e kënd globit. Gjithashtu, premtimet e Kancelares Merkel janë që Gjermania duhet të rrisë kontributin e vet në të mirë të paqes në botë, që me fjalë tjera i bie të rrisë shpenzimet ushtarake.

Ndërkohë, që situata nuk është më ndryshe as me Japoninë, e cila gjendet në një rajon të paqëndrueshëm në aspektin e sigurisë duke marrë parasysh këtu kontestet me Kinën dhe Korenë Jugore për ishujt detarë në Detin e Kinës Jugore, kërcënimet direkte të Koresë Veriore me lansimet e raketave bërthamore pranë brigjeve japoneze.

Ardhja e Kryetarit Trump në pushtet kishte dridhur elitat japoneze, pikërisht për shkak të faktit që sipas Trump-it Japonia duhet të rrisë shpenzimet ushtarake në refleksion të rritjes së kontributit japonez në sigurinë rajonale dhe mbështetjes së forcave amerikane në territorin japonez, përderisa SHBA-të mbesin të zotuara për zbatimin e nenit 5 të Traktatit të Sigurisë Japoni-SHBA që në rast të ndonjë sulmi ndaj Japonisë reagimi amerikan të mos mungojë.

Gjithsesi, që një ri-armatim i Japonisë nuk do të përbihet lehtë as nga Kina e as nga Koreja Veriore e ajo Jugore, kjo për shkak të së kaluarës historike dhe kapaciteteve të theksuara japoneze për të ndërtuar, ndër të tjera, edhe armë bërthamore dhe flotë detare dërrmuese. Në anën tjetër, ri-armatimi i Japonisë është në kundërshtim me parimet japoneze të ndjekura që nga Lufta e Dytë Botërore që Japonia duhet të jetë “komb që do paqen” siç e ka reflektuar edhe në Strategjinë e saj Kombëtare të Sigurisë.

Ndërkohë që Gjermania dhe Japonia, si dy vende që varen shumë prej eksportit, do ta kenë tepër të vështirë reduktimin e eksporteve në favor të rritjes së shpenzimeve ushtarake, kjo sepse një ndryshim i tillë mund të rrisë papunësinë në të dyja vendet dhe mund të rrisë pakënaqësitë sociale gjithandej. Vështirësia konsiston edhe në faktin se qytetarët e Gjermanisë dhe Japonisë janë kundër çdo ri-armatimi si rezultat i së kaluarës së hidhur. Nuk duhet harruar që çdo ri-armatim i Gjermanisë dhe Japonisë sigurisht që do të rrisë shqetësimet e shteteve fqinje si rezultat i së kaluarës agresive të këtyre vendeve.

Pra, meqë mjedisi i sigurisë në glob është duke u bërë gjithnjë e më i paqëndrueshëm, secili shtet është duke u munduar të identifikojë interesat kombëtare në perspektivë afetmesme dhe afatgjatë, përcaktimin e kursit që duhet ndjekur karshi rendit ndërkombëtar dhe të krijojnë politika kombëtare të sigurisë dhe masa me qëllim të vazhdimit të zhvillimit të një rendi ndërkombëtar sa më prosperoz dhe paqësor.

Shtetet anëtare të BE-së që janë anëtare të NATO-s kanë filluar të lëvizin në drejtim të propozimeve të Kryetarit Trump për rritje të angazhimit dhe shpenzimeve ushtarake. Të gjithë këta hapa janë duke u ndërmarrë si përgjigje ndaj kërcënimeve dhe ndërhyrjeve ruse duke filluar nga vendet baltike dhe pellgun e Detit të Zi. Vetë fakti i angazhimit të ushtrisë gjermane në vendet e Baltikut tregon për fillimin e rritjes së prezencës ushtarake gjermane nëpër zona të nxehta të Evropës.

Vazhdimi i prezencës së NATO-s në Kosovë është përgjigje ndaj këtyre zhvillimeve. Prezenca e qendrës ‘humanitare’ ruse në Nish të Serbisë, pashmangshëm kërkon vazhdim të prezencës së NATO-s në Kosovë. Edhe mbështetja e NATO-s që Kosova gradualisht të lëvizë drejt forcave të armatosura është në funksion të zvogëlimit të ndikimit rus në rajon.

Se sa do ia dalin vendet e BE-së pas Brexit-it të bashkërendojnë politikat e sigurisë së tyre në refleksion të projeksioneve të NATO-s kjo mbetet të shihet. Shikuar BE-në sot, nuk të jep shumë për të shpresuar që do të arrijë ndonjë konsensus për të lëvizur drejt një mbrojtjeje të përbashkët evropiane edhe pse kjo nuk mundësi nuk mund të përjashtohet tërësisht.

Ndërkohë që SHBA-të do të vazhdojnë me politikën e saj të reflektuar në Strategjinë Kombëtare për Siguri që të jenë “të përgatitura për të mbrojtur vendin, që të mbeten fuqia kryesore ushtarake në botë, që të sigurohen se balanci i fuqisë të mbetet në favor të tyre (SHBA-së) dhe të avansohet një rend ndërkombëtar që është më së shumti i favorshëm për sigurinë dhe prosperitetin e SHBA-ve”.

Duke parë zhvillimet në glob, atëherë shteteve anëtare të NATO-s nuk u mbetet tjetër rrugë, përpos rritjes së kontributeve të tyre financiare në ‘kuletën’ e NATO-s. Sa më herët që lëvizet në këtë drejtim aq më mirë do të jetë për sigurinë e Evropës në radhë të parë dhe interesave të NATO-s në tërësinë e tyre. Sa më e madhe ‘kuleta’ aq më e madhe siguria.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera