Lajme

“Shullazi”, gati urdhër-arrestet e reja për kërcënuesit

Autori: Gazeta inFokus 08:10 | 23 June 2017

Në një sallë gjyqi, në një përballje maratonë prej disa orësh mes protagonistësh të një sage të tërë kriminale, në të cilën rezultojnë të përfshirë edhe emra ish-ministrash dhe zyrtarësh të lartë të vendit, në disa sfera, kanë dalë disa emra që thuhet se kanë kërcënuar dëshmitarin e Prokurorisë. Tashmë prokuroria, meqë këta persona i kanë kërcënuar dëshmitarin, sipas dëshmitarit dhe vetë prokurorisë, duhet të arrestohen, paçka se sa të vërteta mund të jenë pretendimet e personit që është konsideruar si personi kyç në procesin gjyqësor kundër Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, të arrestuar një vit më parë dhe të vënë nën akuza të rënda.

Referuar të dhënave të prokurorisë mësohet se është bërë e mundur që të hidhet dritë mbi dëshminë e dhënë jo vetëm të martën në sallën e gjyqit nga Ylvi Beqja, dhuruesi i 10-20-30 për qind e Vollgës të gjithë personave që iu merrte borxh apo i duheshin për të kapërcyer nga një person tek tjetri, por edhe gjatë procesit hetimor. Ose ky të paktën ka qenë shpjegimi që ka dhënë Emiljano Shullazi në Gjykatë ndërsa është përballur me ish-mikun e tij. Ylvi Beqja ka pretenduar se është kërcënuar me jetë nga Shullazi dhe të tijët, ndërsa tashmë do të përballet sërish po në gjykatë jo vetëm me Shullazin, po edhe me mbrojtjen e të gjithë grupit. Beqja, të martën në Gjykatë ndërsa ka rrëfyer se si i kishin marrë Vollgën, atë përqindje që atij i takonte meqë ishte administratori i ‘Saudi Brothers’, ai ka nxjerrë edhe emrin e një tjetër personi në sallën e gjyqit, që sipas tij i ka premtuar se do t`i jepte 7 milion euro të tërhiqej nga dëshmia kundër Emiljano Shullazit. Po ndërsa Beqja ka treguar se ky person që sipas tij është Elvis Martini edhe e ka kërcënuar me jetë, mësohet se është pikërisht Martinin personi i parë që do të kërkojë prokuroria të sjellë në pranga, pikërisht pse ka tentuar të detyrojë Beqjan të tërhiqet nga dëshmia e tij kundër Shullazit dhe katër miqve të tij!

Urdhër-arrestet

-Advertisement-

Referuar të dhënave jo zyrtare të Prokurorisë mësohet se Krimet e Rënda kanë gati flet-arrestet për disa persona, të përfolur dhe përfshirë në rastin e kërcënimit të dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja. Emrat e këtyre personave, veç gjatë fazës hetimore dolën edhe në sallën e gjyqit, gjatë ballafaqimit dhe pyetjes së biznesmenit Ylvi Beqja nga Emiljano Shullazi dhe avokatët e tij. Sipas prokurorisë, në mesin e personave që pritet të arrestohen, janë edhe individ me të kaluar kriminale të cilët e kanë kërcënuar dëshmitarin e mbrojtur gjatë kohës që ishte në program. Nuk jepen detaje për emrat dhe numrin e personave që pritet të arrestohen, por burimet thonë, se disa prej tyre janë bërë publikë që pyetjes së dëshmitarit të mbrojtur Beqja në sallën e gjyqit. Veç këtyre personave, emrat e të cilëve janë përmendur në sallën e gjyqit, burimet nga Prokuroria, thonë se priten edhe arrestime të personave të tjerë, të cilët mendohen se janë pjesë e grupi kriminal që drejtohet nga Emiljano Shullazi edhe nga ambientet e paraburgimit.

Elvis Martini

Nga ana tjetër, me kërkesë të prokurorisë dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja është marr në pyetje në sallën e gjyqit nga prokurorët, avokatët dhe vet Emiliano Shullazi. Me këtë të fundit nuk kanë munguar edhe debatet apo fyerjet që të pandehurit i kanë drejtuar dëshmitarit në një moment kur gjykata dhe prokurorët u larguan nga salla e gjyqit. Biznesmeni Ylvi Beqja, mes tjerash gjatë dëshmisë së dhënë para gjykatës është shprehur se edhe në kohën që ishte në mbrojtje nga policia është takuar me Elvis Martinin, i cili veç ofertës prej 7 mln eurove që të tërhiqet nga dëshmia ndaj Shullazit e ka kërcënuar atë me familje. Veprim që sipas Beqjas, e kanë kryer edhe persona të tjerë të cilët i kanë dërguar mesazhe apo thirrje telefonike, për të cilat prokuroria po vazhdon hetimet veçmas nga dosja ku po gjykohen të pandehurit. Ndërkohë Ylvi Beqja do të vazhdojë ditën e martë t’i përgjigjet në sallën e gjyqit, Emiliano Shullazit, të pandehurve të tjerë dhe avokatëve mbrojtës.

Dhurimi i Vollgës dhe politika

“Unë i humba të gjitha shpresat tek drejtësia shqiptare! Në këtë moment një avokat i njohur më takoi me Emiliano Shullazin, përmes një kontrate dhurimi rashë dakord t’i jepja 20 për qind të ish-Vollgës, 10 prej tyre do përdoreshin për regjistrimin e pronës dhe 10 për qind do t’ju jepeshin gjyqtarëve”. Kështu tha atë ditë në sallën e gjyqit dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja, duke treguar takimin e parë me Emiliano Shullazin. Për më tepër se 4 orë e 30 minuta dëshmitari Ylvi Beqja rrëfeu se si pas afro dy dekadave beteja gjyqësore për të regjistruar ish-Vollgën përfundoi në një mik e më pas kundërshtar i pesë të pandehurve që akuzohen për gjobëvënie, mes tyre edhe i Emiliano Shullazit. Pyetjet e të akuzuarit kryesor Emiliano Shullazi drejtuar dëshmitarit ekspozuan emra të njohur që nga politika, hipotekat deri tek gjyqtarë dhe ish-zëvendës drejtori i Shërbimit Informativ, Ylli Alushi. Duke nënkuptuar se ai dinte sekrete dhe kishin qenë bashkë në përpjekjet për ish-Vollgën, Shullazi e kujtoi dëshmitarin “a e mban mend kur me sillje të fala nga Alushi? A e mban mend kur më premtove se do ngrinim një biznes bashkë për riciklimin e mbetjeve spitalore, pasi të fitoje tenderin në Ministrinë e Shëndetësisë pasi kishe kushëri ministrin? Përmes pyetjeve, Shullazi i kujtoi dëshmitarit edhe takimin me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Hipotekave pasi për ish-Vollgën, sipas tij, kishin dalë në pah konflikte nga djemtë e një deputeteje.

Seanca/ Përballja mes Beqjas dhe Shullazit dhe emri i ish-ministrit

Në gjykatë, të martën, të pranishmit në sallë kanë dëgjuar shumë emra proverbialë krimi. Dy prokurorë, tre gjyqtarë bashkë me regjistruesit e seancës janë bërë dëshmitarë të një sërë të vërtetash që në fakt nuk kanë dalë jashtë atyre dyerve. Janë emra të shumtë që në fakt rrallë përmenden as nga politika, e as nga media, ndërsa sigurisht që sistemi i drejtësisë pajtohet për të anashkaluar personat që gjenden lart në piramidën e krimit në vend. Megjithatë një episod jo pak i rëndësishëm i përballjes ka qenë edhe debati mes Shullazit dhe biznesmenit për takimin me ish-ministrin e Shëndetësisë, dhe kandidatit për deputet sërish, Ilir Beqjas, që biznesmeni ka pranuar se e ka kushëri. Shullazi i kërkoi në gjyq të tregonte për takimin që kishin bërë bashkë me të.

Shullazi: Po për biznesin e riciklimit të mbetjeve spitalore, e mban mend propozimin që me ke bërë?

Beqja: Po, i kam propozuar një biznes të përbashkët për riciklimin e mbetjeve. Shullazi do të kishte një përqindje.

Shullazi: Ku do të drejtoheshe ti për atë biznesin?

Beqja: Në institucionet përkatëse. Shullazi: Në çfarë institucioni pra? Beqja: Në institucionet e shtetit.

Shullazi: Do të merreshe me mbetjet spitalore. Cili institucion i jep tenderët për atë lloj biznesi?

Beqja: Ministria e Shëndetësisë.

Shullazi: Kush e drejtonte atë?

Beqja: Një njeriu im, Ilir Beqja.

Shullazi: Ça e ke atë ti?

Beqja: Kushëri të tretë, a të katërt.

Shullazi: Jemi ulur ndonjëherë me këtë kushëririn tënd të katërt, unë ti dhe Ylli Alushi?

Beqja: Asnjëherë. Nuk ka ndodhur.

Shullazi: S’jemi ulur ë? Ai kushëriri i katërt thoshte ky do të bëhet ministër rendi dhe do të jeni rehat. E keni robin tuaj.

Beqja: Këto janë sajesa. Po përpiqesh të më intimidosh…!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera