Lajme

Shtyrja 48 orëshe/BE po punon të gjejë zgjidhje për targat brenda këtij afati

Autori: Gazeta inFokus 18:08 | 22 November 2022

Bashkimi Evropian do ta shfrytëzojë shtyrjen e afatit prej 48 orësh për shqiptimin e gjobave nga pala kosovare për të gjetur një zgjidhje afatgjate për targat ilegale mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për “Front Online” zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano.

“Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për të gjetur një zgjidhje”, tha Stano.

-Advertisement-

Nga BE kanë sqaruar se të hënën Prishtina e Beogradi nuk arritën ujdi për shkak të mosmarrëveshjeve mes vete.

“Gjatë takimit, lehtësuesi i BE-së paraqiti dy propozime të balancuara kompromisi që do të kishin de-përshkallëzuar situatën aktuale. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell u bëri thirrje palëve që të përmbahen nga çdo masë që mund të përshkallëzonte situatën në terren dhe kujtoi se ai priste që palët të angazhoheshin në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Tutje nga BE u kanë bërë thirrje Kosovës e Serbisë të veprojnë në përputhje me rrethanat aktuale.

“Nëse anëtarësimi në BE është objektivi përfundimtar i Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë zotuar të dyja, ne presim që edhe ata të veprojnë në përputhje me rrethanat”, përfundon përgjigja e Stanos.

Të hënën, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell akuzoi kryeministrin Kurti, duke e lënë fajtor për mosarritjen e ujdisë për targa mes të dyjave vendeve në takimin e së hënës në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Bile, ai tutje tha se do t`i njoftojë krejt vendet e Unionit që Beogradi e sidomos Prishtina nuk po respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

“E di se kjo dërgon sinjal negativ politik. E bëjë shumë të qartë për të dyja palët, se nëse futja në BE është synim e tyre, atëherë të sillen në frymë të tillë”, theksoi Borell në konferencën për media të mbajtur të hënën pas takimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera