Lajme

Shtyhet seanca ndaj Shaban Gogajt për vrasjen e Agonis Tetajt, avokati refuzon ftesën e gjykatës

Autori: Gazeta inFokus 14:30 | 29 December 2021

Në Gjykatën Themelore në Pejë, për shkak të mungesës së avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, Gëzim Kollqaku, ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt.

Lidhur me mungesën e avokatit Kollqaku, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova tha se i njëjti është ftuar me ftesë të rregullt, por ka refuzuar pranimin e ftesës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I kontaktuar nga ana e gjykatës për refuzimin e ftesës, i njëjti ka thënë se do ta paraqesë me shkrim, por deri më tani gjykata nuk ka marrë ndonjë parashtresë nga ana e tij”, tha gjykatësja.

-Advertisement-

I pyetur nga kjo e fundit, nëse ka angazhuar avokat tjetër, i akuzuari Gogaj u përgjigj: “Unë avokat e kam Besnik Berishën, avokat tjetër nuk kam nevojë me angazhu”.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Husaj-Rugova mori vendim që kjo seancë të shtyhet dhe e radhës u caktua më 31 janar 2022.

Lidhur me seancën e radhës, për avokatin Gëzim Kollqaku, gjykata do të vendosë jashtë seancës, duke vepruar sipas dispozitave ligjore.

Ndryshe, seanca e fundit në këtë rast është mbajtur më 25 nëntor, ku i akuzuari Gogaj ka refuzuar që të caktojë avokat tjetër, përveç avokatit Besnik Berisha.

Ndërsa më 1 dhjetor, avokati Besnik Berisha njoftoi se përmes tij, i akuzuari Shaban Gogaj ka parashtruar padi kundër trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë, të kryesuar nga kryetarja e këtij trupi gjykues, Violeta Husaj Rugova dhe anëtarëve Florije Zatriqi dhe Sami Sharraxhiu, për kompensimin e dëmit jomaterial në shumë prej 100 mijë euro.

Gjithashtu, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, në një konferencë për media të mbajtur më 10 dhjetor, lidhur me përjashtimin e avokatit Besnik Berisha në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ka thënë se këtij të fundit po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit. po ashtu, Ejupi në atë konferencë ka thënë se çdo avokat që nuk respekton vendimet e tyre bën shkelje disiplinore

Më 25 dhjetor, Ministria e Drejtësisë (MD) ka miratuar propozimin për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të OAK-së për moscaktim të avokatit në rastin Gogaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,

Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.

Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera