Shtyhet gjykimi për vrasjen e rëndë në Lipjan
Autori: Gazeta inFokus 12:46 | 20 April 2023
Për shkak se gjykata nuk ka prova se të dëmtuarit janë ftuar në mënyrë të rregullt, është shtyrë seanca në gjykimin ndaj Besnik dhe Bajram Bedrolli për vrasjen e rëndë në Lipjan.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ngadhnjim Arrni ka konstatuar se për dëshmitarët nga seanca e kaluar, për të cilët ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës, deri në këto momente nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga Policia e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I njëjti konstatoi se nuk ka prova se në mënyrë të rregullt janë ftuar i dëmtuari Skender Ademi dhe përfaqësuesi ligjor i të dëmtuarit A.D.
Ndërsa, për të dëmtuarin Agim Selmani, gjykatësi Arrni tha se gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës, por ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga Policia e Kosovës.
“Marrë për bazë edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, vetë faktin se të dëmtuarit duhet domosdoshmërish të paktën të jenë të njoftuar për shqyrtimin gjyqësor, kjo gjykatë konsideron se është e domosdoshme që të paktën të njëjtit të janë të informuar, e pastaj të vazhdohet me leximin e deklaratave”, ka shtuar tutja ai.
Në lidhje me këtë u pajtuan prokurorja Bukurije Gjonbalaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Besnik, avokati Berat Tmava.
“Edhe pse ky rast është në shqyrtim e sipër më tepër se 8 vite dhe i mbrojturi im qëndron në paraburgim, unë nuk e kundërshtoj prokuroren, por ju kishim lut që seanca të caktohet në një datë sa më të shkurtër dhe të përmbyllet ky shqyrtim gjyqësor”, ka shtuar avokati Tmava.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Bajram, avokati Skender Musa tha se nuk pajtohet me shtyrjen e seancës për arsyetimin se mungon pala e dëmtuar, pasi që sipas tij pala e dëmtuar që nga fillimi nuk i ka pranuar ftesat edhe pse adresën e ka të njëjtën.
I njëjti, i ka propozuar trupit gjykues që ftesat të dërgohen përmes policisë, për shkak se sipas tij, adresat e të dëmtuarve në shkresat e lëndës janë të sakta.
Krejt në fund, gjykatësi Arrni tha se sa i përket palëve të dëmtuara, gjykata do të ndërmarr të gjitha veprimet procedurale me qëllim të njoftimit të të njëjtëve për seancën e radhës.
Kurse, seanca e radhës u caktua me 19 maj 2023.
Ndryshe, për këtë rast është vendosur dy herë, herën e parë Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 nëntor 2018, të akuzuarin Besnik Bedrolli, për vrasje të rëndë e kishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, me 1 vit burgim. Ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim efektiv.
Ndërsa, i akuzuari Bajram Bedrolli, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vite e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 1 vit burgim, mirëpo ndaj tij kjo gjykatë kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vite burgim.
Mirëpo, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020 të akuzuarin Besnik Bedrolli për veprën penale “Vrasje e rëndë” e kishte dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje” me një vit e gjysmë burgim. Të njëjtit, gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 12 vitesh.
Për të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë” të kryer në bashkëkryerje, në veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi.
“Nuk kemi gjetur që Bajram Bedrolli ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.5 të KPRK-së, në bashkëkryerje, nga neni 31. Në vështrim të nenit 360, gjykata ka gjetur se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi”, kishte thënë gjykatësja Krasniqi- Jashanica.
Të akuzuarit Bajram Bedrolli, për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 10 muaj. Pas ankesës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit me aktvendimin e 11 marsit 2021, e ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.
Këtë vendim, Apeli e ka marrë me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, i njëjti nuk është i përpiluar në pajtim me dispozitat e nenit 370, par. 7 të KPPK-së, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, pretendohet se Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin U. D.
Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar tani të ndjerin D. dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të D. katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit me veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i Kodit Penal.
Të tjera
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...
-
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni
Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrai...
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...
-
Ndalohet një autobus në Merdare, në një valixhe kapet nga Dogana një armë me 50 fishekë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare gjatë kontrollit...