Lajme

Shtrenjtimi i rrymës ua rëndon akoma më shumë jetën komuniteteve në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 08:35 | 26 January 2022

Nga 1 shkurti do të aplikohen bllok-tarifat për energjinë në Kosovë.

Gati dyfish më shtrenjtë do të paguajnë konsumatorët shtëpiakë që konsumojnë mbi 600 kilovatë.

Këtu hyjnë edhe familjet egjiptiane, rome e ato ashkalinje.

-Advertisement-

Deputetët që përfaqësojnë qytetarët e këtyre komuniteteve në Kuvend thonë se rritja e çmimit të faturave të energjisë ua rëndon akoma më shumë jetën atyre.

Fridon Lala është ligjvënës nga komuniteti Egjiptian.

“Komuniteti Egjiptian është njëri prej grupeve më të varfëra që jeton në Kosovë, kjo pasqyrohet edhe në të dhënat e institucioneve vendore edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare. Edhe në kushte normale ata e kanë të vështirë mbijetesën gjatë sezonës së dimrit. Sidomos tani, kur rritja e çmimit të rrymës po vie në kohë kur dhe inflacioni është rritur dhe çmimet e produkteve bazë janë rritur. Mbi 90% të egjiptianëve cilësohen si të papunë, e familjet që jetojnë në varfëri të skajshme vlerësohet se jetojnë me një mesatare me rreth 60 centë në ditë”, u shpreh ai për “Front Online”.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë të hënën mocionin e partive opozitare kundër shtrenjtimit të rrymës.

Kjo për faktin se nuk pati kuorum, meqë në sallë ishin të pranishëm vetëm 45 deputetë.

Mocioni u la të votohet të mërkurën, kur është planifikuar seanca e radhës.

Deputeti rom, Erxhan Galushi nuk e përjashton mundësinë të votojë kundër rritjes së tarifave të rrymës kurdo që kjo çështje të vijë në Kuvend.

“Një pjesë e konsiderueshme e komuniteteve jetojnë në varfëri të skajshme. Po shpresoj që Qeveria do ta tejkalojë këtë krizë. Për momentin këto masa për subvencionimin janë ndihma e Qeverisë. 30 ose 40 % e komuniteteve janë në varfëri të skajshme. Ndoshta për momentin jam duke menduar se si të veprojë a do të votoj pro apo kundër shtrenjtimit të rrymës. Por duke e parë që gjendja e tyre ekonomike është e rëndë me gjasë do të votojë kundër shtrenjtimit të rrymës”, deklaroi Galushi për “Front Online”.

Shtrenjtimin e energjisë po e kundërshtojnë partitë opozitare shqiptare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera