Lajme

Shteti ua lë në dorë OJQ-ve fetare disa shërbime në shëndetësi e arsim

Autori: Gazeta inFokus 13:58 | 18 July 2024

Rreth 15 milionë euro ua kanë dhënë institucionet publike dy organizatave joqeveritare (OJQ) fetare, asaj “Caritas Kosova” dhe “Islamic Relief Kosova”, për të punësuar staf shëndetësor që shërben në qendra publike. Këto shërbime janë paguar pa mbikëqyrje adekuate nga institucionet si dhe në shpërputhje me nevojat e qytetarëve, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditorit. Njëra nga këto OJQ është e angazhuar edhe në sigurimin e stafit për çerdhet publike.

Institucionet qendrore si edhe ato lokale ua kanë lenë në dorë organizatave joqeveritare (OJQ), të cilat kanë lidhje me fetë, një pjesë të shërbimeve që i ofron sektori i shëndetësisë dhe ai i arsimit.
Niveli parësor i shëndetësisë publike i ka paguar rreth 15 milionë euro për organizatat “Caritas Kosova” dhe “Islamic Relief”, për t’u ofruar pacientëve shërbimet dh stafin shëndetësor. Kjo shumë është paguar vetëm gjatë viteve 2018-2022.

“Caritas Kosova” ka të prezantuar në uebfaqen e saj se projekte të tilla ka edhe në fushën e arsimit. Bazuar në të dhënat publike, kjo organizatë ka realizuar kontrata me një nga komunat, për punësimin e stafit për çerdhet publike.

-Advertisement-

Në raportin e fundit të publikuar të kësaj organizate, e cila drejtohet nga priftërinj katolikë, thuhet se partnerë institucionalë i ka Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), atë të Financave e Transfereve, si dhe Komunën e Prizrenit, atë të Ferizajt, të Vitisë, Suharekës, Fushë-Kosovës, Istogut, Shtimes, Gjakovës dhe të Malishevës.

Në këtë organizatë joqeveritare u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për pjesën e shërbimeve shëndetësore, porse ende jo edhe për angazhimin në arsim.

“Aktualisht ‘Caritas Kosova’ ofron shërbime shëndetësore dhe sociale në: Ferizaj (kontrata përfundon këtë muaj), Shtime, Viti, Suharekë, Fushë Kosovë. Deri në muajin maj kemi ofruar shërbime edhe në Prizren dhe Han të Elezit, ndërsa deri në dhjetor të 2023-s kemi ofruar shërbime edhe në Istog”, thuhet në përgjigjen e “Cartias Kosova”.

Edhe “Islamic Relief Kosova” është OJQ fetare, dhe në uebfaqen e saj shkruan se stafi frymëzohet nga besimi në islam.

Bazuar në këtë uebfaqe, organizata zhvillon aktivitete në shëndetësinë publike dhe Gjilani është një nga komunat që ka angazhuar këtë OJQ për t’u ofruar pacientëve shërbime.

“’Islamic Relief Kosova’ dhe Komuna e Gjilanit zgjeruan bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë përmes projektit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore shtëpiake pa pagesë për banorët e kësaj komune. Një nga projektet tona më të mëdha e më të suksesshme tashmë do të ofrohet edhe në Komunën e Gjilanit, me ç‘rast edhe u bë nënshkrimi i kontratave me stafin mjekësor që do t’u shërbejë banorëve të kësaj ane”, thuhet në ueb faqen e organizatës.

E në një njoftim tjetër, kjo OJQ flet për numrin e vizitave të pacientëve.

Punën e këtyre dy OJQ-ve e ka analizuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), sipas së cilës institucionet u kanë bërë menaxhim të dobët kontratave me këto OJQ, dhe nuk kanë marrë kundërvlerë për paranë e shpenzuar.

“Pagesat me vlerë mesatare mujore dhe jo sipas shërbimeve të ofruara, numër më i madh i stafit të angazhuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore sesa numri i nevojshëm, numri i vogël i shërbimeve të ofruara nga stafi i angazhuar krahasuar me stafin e rregullt shëndetësor, mungesa e raporteve nga ana e menaxherëve të kontratave, nga ana e komunave dhe mbështetja e pagesave vetëm në raportet e ofruesit të shërbimeve, si dhe pagesa për shtesa, të cilat nuk ishin paraparë në kontratë, janë tregues për menaxhim të dobët të këtyre kontratave si dhe nuk japin siguri që është marrë kundërvlerë për paranë e shpenzuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS përkitazi me gjetjet e Auditorit, ndërsa ajo e Shëndetësisë është arsyetuar se niveli parësor është përgjegjësi e komunave.
Sipas Auditorit, komunat nuk kanë fare kontroll në shërbimet për të cilat kanë kontraktuar OJQ-të.

“Mungesa e raporteve monitoruese nga ana e komunave për zbatimin e kontratave si dhe mosdokumentimi i identifikimit të nevojave reale për shërbime shëndetësore shtesë tregon se komunat nuk kanë ndërmarrë veprime për të vlerësuar efektivitetin e kostos dhe as nuk kanë njohuri për ndikimin e saktë të këtyre shërbimeve. Nisur nga niveli më i ulët i pagave për stafin e angazhuar të jashtëm del që këto kontrata ishin ekonomike, por nisur nga numri i shërbimeve të ofruara nga ta, krahasuar me stafin e rregullt rezulton se të njëjtat nuk ishin efikase”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Në “Caritas Kosova” kanë thënë që pajtohen me gjetjet e këtij raporti dhe sipas tyre janë çështje që institucionet duhet t’i adresojnë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera