Lajme

Shteti pagoi deri në 11 mijë e 748 euro për një aviobiletë

Autori: Gazeta inFokus 08:14 | 18 September 2020

Çmime që fluturojnë janë aplikuar në dy vjetët e fundit për “fluturimin” e përfaqësuesve shtetërorë në vizita jashtë vendit. Me para të shtetit është paguar deri në 11,748.09 euro për vetëm një aviobiletë.

Bileta në këtë lartësi është nxjerrë për llogari të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe i përket 9 janarit të sivjetmë. Atëkohë ministër ishte Behgjet Pacolli. Ai nuk ka treguar nëse bileta ishte prerë për të. Ndërkaq, në arkivin e lajmeve të Ministrisë nuk ka ndonjë vizitë të tij apo të ndonjë zyrtari tjetër, që figuron të jetë realizuar në këtë datë.

Gati kaq të shtrenjta janë edhe dy bileta të prera për nevoja të Presidencës, e që të gjitha janë rezervuar nga “Malësia Reisen”, kompani e cila prej dhjetorit të 2018-s është kontraktuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) për të siguruar shërbime të transportit ajror për të gjitha institucionet shtetërore. Prej se kjo kontratë ka nisur të zbatohet, janë lëshuar 8,570 bileta, kostoja e të cilave ka mbërritur në 4,007,587.00 euro. Kur çmimi i tërësishëm pjesëtohet me numrin e biletave, del që mesatarja për një sosh të ketë qenë 467.62 euro.

-Advertisement-

Është kjo mesatare, ani se kontrata mes AQP-së dhe “Malësia Reisen” kërkonte nga kompania që të bënte rezervime të lira.

“Ofruesi i shërbimeve i suksesshëm duhet të rezervojë dhe të lëshojë aviobileta, duke pasur parasysh që të jenë me çmimin më të lirë të mundshëm, duke kombinuar rrugët e drejtpërdrejta dhe më çmime sa më të favorshme për të arritur me kosto sa më të ulët që është e mundur”, thuhet në kontratë. “Rezervimet duhet të bëhen kryesisht në klasë ekonomike, gjithmonë me qëllim që të kemi koston më efektive dhe të përshtatshme dhe me çmimin më të mirë në dispozicion në treg, gjithashtu do të këtë kërkesa edhe për aviobileta në biznes klasë”.

Presidenca është institucioni kampion për nga mesatarja e çmimit të biletave.

Mbështetur në një raport përmbledhës që “Malësia Reisen” e ka deponuar në AQP, secila nga dy biletat që ishin rezervuar për Presidencën në maj të 2019-s kanë lartësinë 11,468.07 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera