Lajme

Shteti nuk lëshon letërnjoftime, nervozohen mërgimtarët dhe vendësit

Autori: Gazeta inFokus 20:23 | 04 August 2021

“Nuk mund të pres gjashtë muaj për një letërnjoftim”, tha mërgimtari i ardhur nga Suedia dhe u kthye pa mbaruar punë në Qendrën e Regjistrimit Civil në Prishtinë.

I gjithë pushimi në vendlindje i ka shkuar dëm, atij dhe familjes, të cilët për ditë të tëra janë endur sporteleve me shpresë se do të pajisen edhe me dokumente.

Kosova ka mbetur pa material për shtypjen e letërnjoftimeve pikërisht në kohën kur duket se kërkesa për këtë dokument është në kulmin e saj.

-Advertisement-

Pritja nga tre deri në gjashtë muaj u ka hapur shumë telashe qytetarëve dhe bizneseve në vend.

“Është hera e parë që kam ardhur me marrë letërnjoftimin por kjo pritje kaq e gjatë nuk është në rregull. S’kam kohë me pritë”, thotë̈ qytetari që kishte ardhur nga Suedia për këtë dokument në Kosovë, shkruan Gazeta Infokus.

Por hiq më mirë situata nuk është edhe për ata që jetojnë në Kosovë.

Qytetarja nga Prishtina A.I, nuk është fare e kënaqur me pritjen për ta vazhduar letërnjoftimin.

“Një muaj është shumë me pritë për një letërnjoftim e lërë më tre deri në gjashtë muaj. Jam e pakënaqur deri në maksimum, nuk di pse gjithë kjo pritje”, thotë ajo që pret shpjegime nga zyrtarët përgjegjës.

Ajo ka shqetësim nëse i paraqitet ndonjë urgjencë dhe nuk din si të veproj apo ku të drejtohet.

Sikur vetëm pritja të mos mjaftonte, qytetarët po i brengosë edhe më shumë sjellja jo e duhur nga ana e sigurimit.

“Këtu veç mirë s’po shoh. Që nga ora 08:44 kam ardh me pritë në rend, vjen sigurimi i thotë hyn një personi tjetër dhe shkakton probleme dhe tollovi të panevojshme”, ankohet njëri nga qytetarët që po priste në radhë.

Gazeta Infokus ka më shumë se një javë që po pret përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me mungesën e materialeve për prodhimin e letërnjoftimeve. Megjithatë askush në këtë institucion nuk kanë dhënë sqarime se çfarë ka ndodhur dhe përse qytetarët duhet të presin deri në gjashtë muaj për t’u pajisur me këtë dokument./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera