Lajme

Shteti lë në mjerim zjarrfikësit

Autori: Doresa Geci 13:46 | 04 May 2021

Vetëm 800 zjarrfikës në Kosovë mund t’i shërbejnë vendit në rast të ndonjë katastrofe natyrore.

Kjo për shkak së në vend nuk ka më shumë profesionistë të kësaj fushe, shkruan Gazeta Infokus.

Por edhe këta nuk mund të ndihmojnë sa duhet për shkak të moshës së shtyrë të tyre.

-Advertisement-

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve në Kosovë, Muharrem Beka ka bërë me dije për Gazetën Infokus se mosha mesatare e këtyre punonjësve është 48 vjeç.
Por ky nuk është problemi i vetëm tek zjarrfikësit.

Pagat e ulëta, statusi i pazgjedhur, puna jashtë orarit pa ndonjë kompensim janë shqetësimet që i brengosin çdo ditë ata.

“Gjendja e zjarrfikëseve në Kosovë nuk është e mirë, fillimisht statusi i pazgjidhur, mandej mos definimi i kompetencave ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, kushtet e rënda të punës, pa sigurime shëndetësorë, pa kontroll sistematike, koeficienti më i vogël i mundshëm në nivel të vendit, shkeljet ligjore të cilat janë të garantuar me ligj të punës, mos kompensimi i punës jashtë orari. Numri i vogël i zjarrfikëseve në nivel vendi, 800 janë gjithsej, por duhet të jenë minimumi edhe 500. Mandej mosha mesatare është 48 vjet, lëndimet në vend të punës duhet të kompensohen vetë. Kjo pra është gjendja e tyre, pra nuk është duke u përmirësuar por vetëm duke u përkeqësuar, tu plak zjarrfikëset, t’u pensionu, ndërsa vend të tjera të punës nuk hapen”, ka thënë Beka për Gazetën Infokus.

E kërkesat e tyre mbesin vetëm në letër tash e më shumë se 12 vite.

Përveç premtimeve zjarrfikësit nuk kanë marrë asnjë herë përgjigje pozitive nga drejtuesit e institucioneve kosovare.

“Këto kërkesa janë që nga viti 2010 kur është tentuar që të përmirësohet gjendja e shërbimit në nivel lokal mu bo në nivel qendror, dhe janë metë pezull. Iu kemi drejtuar Qeverisë Thaçi 1, e Thaçi 2, mandej Qeverisë së Isa Mustafës e Ramush Haradinaj, kemi pas protesta, ku tri herë kemi protestuar para Qeverisë së Kosovës, kemi pas grevë dy herë, dhe asnjëherë nuk janë marrë për bazë kërkesat tona”, rrëfen Muharrem Beka.

Edhe Qeveria Kurti nëse nuk merr ndonjë hap konkret, Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve Muharrem Beka, paralajmëron protesta më të ashpra se sa deri tani.
“Zjarrfikësit e kanë humbur durimin, me vite përsëriten kërkesat. Nëse nuk japin përgjigje në afat, pra nuk japin zgjidhje në rishikim të buxhetit protesta do të jetë pashmangshme” deklaroi ai.

Kujtojmë që çdo 4 maj shënohet dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve në botë.

Gjithandej iu jepen lavdata e mirënjohje zjarrfikësve për angazhimin e tyre.

Në Kosovë nuk pati ndonjë aktivitet për të falënderuar zjarrfikësit për shërbimin që bëjnë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera