Lajme

Shteti i pagoi 92 mijë euro 18 zyrtarëve serbë që s’punuan kurrë

Autori: Gazeta inFokus 15:50 | 23 May 2019

Rreth 20 zyrtarë të komunitetit serb janë paguar nga buxheti i shtetit për një vit të tërë, ani pse nuk kishin punuar as edhe një ditë të vetme. Mospuna e tyre i ka kushtuar “kuletës” së shtetit hiç më pak se 90 mijë euro. Gjithë këta ishin të punësuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht Departamentin për Integrime Europiane, raporton Express

Në Kosovë mund të marrësh pagë edhe pa punuar fare. Një rast i tillë ka ndodhur edhe me disa zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se 18 zyrtarë të komunitetit serb kanë vazhduar të marrin paga gjatë vitit 2018, pavarësisht faktit se të njëjtit as nuk ishin lajmëruar në punë.

-Advertisement-

“Marrëdhënia e punës për tetëmbëdhjete (18) zyrtarët është formalizuar në vitin 2016, në departamentin për integrime evropiane, si zyrtarë për monitorim të zhvillimit ekonomik në nivel lokal. Ne nuk kemi asnjë dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që janë ngarkuar në MZHE”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit, “puna” e këtyre zyrtarëve i ka kushtuar shtetit hiç më pak se 92 mijë euro. Për këtë gjendje, ZKA’ja e lë fajtor edhe MZHE’në, meqenëse nuk ka bërë përpjekje për t’i angazhuar.

“Këta punonjës, gjatë vitit 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës dhe nuk kishin kryer detyrat e përcaktuara me kontratë, ndërsa për pagat e tyre janë paguar 92,336€. Kjo gjendje ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të kontratës në mënyrë të njëanshme nga ana e punëtorëve dhe përpjekjeve të pamjaftueshme të ministrisë për t’i angazhuar”, thuhet tutje në raport.

ZKA’ja konsideron se pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, shkakton dëmtim buxheti si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.

Ky institucion rekomandon Ministrin Valdrin Lluka që të që të shqyrtoj arsyet e mosvijimit në punë të këtyre punëtorëve, të zgjidhë problemin e angazhimit të tyre të rregullt në punë, ose në të kundërtën, të ndërpres pagesat e pagave të tyre të parregullta.

“Për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, ministri rekomandohet çështjen e mëtejme të këtyre pagesave ta adresoj edhe në Qeveri”, rekomandon Auditori.

Punësimi i këtyre zyrtarëve ishte bërë me një vendim të Qeverisë, bazuar në marrëveshjen e Brukselit, për shuarjen e të ashtuquajturës “mbrojtja civile” në veriun e Mitrovicës, ministria ka qenë e obliguar t’i sistemoj 18 punëtorë të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Rregullorja Nr. 05/2010 e orarit të punës në shërbimin civil, neni 7 pika 1 përcakton se ”gjatë orarit të punës të gjithë nëpunësit civil janë të obliguar të jenë në vendin e punës, çdo nëpunës civil shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik” dhe pika 2 thekson se “mospërfillja e orarit të punës paraqet shkelje disiplinore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera