Lajme

Shtetet që do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Autori: Gazeta inFokus 12:29 | 26 June 2017

Njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani ka thënë për Ekonomia Online se nuk sheh mobilizim institucional dhe diplomatik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.

Pavarësisht që kanë mbetur edhe dy muaj e gjysmë kur pritet të mbahet Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, e ku do të votohet edhe për ose jo anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë Ramadani thotë se “kjo temë nuk ka qenë top prioritet i Qeverisë së Kosovës”.

“Normalisht se në lobimin për votimin pro për anëtarësim në INTERPOL duhet përdorur respektivisht duhet bashkëpunuar me shtetet partnere të fuqishme të cilat pastaj mund të lobojnë edhe tek shtetet e treta. Shqetësimi im është se jemi në një periudhë jashtëzakonisht të ngushtë kohore tashmë dhe për më tepër në periudhën kur pritet ndërrimi i qeverisë, prandaj nuk duket se ka një mobilizim institucional dhe diplomatik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Por nuk ka përjashtuar mundësinë që shtetet kundërshtare duke përmendur Serbinë dhe Rusinë të angazhohen përsëri për të ndaluar anëtarësimin e Kosovës, jo vetëm në INTERPOL, por edhe në organizata të tjera.

“Sigurisht se kundërshtarët e shtetit të Kosovës do të angazhohen pothuajse që të gjithë për të ndaluar respektivisht për të penguar anëtarësimin në INTERPOL, duke përfshirë këtu Serbinë, Rusinë apo ndonjë shtet tjetër, porse në përmbajtje është qasje e gabuar e tyre, sepse anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ndihmon në shkëmbimin e informacioneve, jo vetëm për Kosovën por edhe të Kosovës me shtetet tjera duke përfshirë këtu edhe Serbinë dhe shtetet tjera kundërshtare të shtetit të Kosovës”, ka pohuar Ramadani.

Ai po ashtu ka folur edhe për atë se sa është Kosova e rrezikuar nga terrorizmi duke thënë se kjo e fundit është e rrezikuar njëjtë sikurse edhe vendet e rajonit.

“Kosova dhe Rajoni Ballkanik sigurisht se mund të jenë zonë gjeografike me interes për organizatat terroriste. Deri më tash kërcënimet ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit kanë qenë kryesisht kërcënime deklarative, ndërsa institucionet e sigurisë së Kosovës kanë paralajmëruar respektivisht kanë njoftuar publikun se kanë parandaluar disa akte të synuara terroriste. Pra rreziku nuk është i larguar, ndërkaq rreziku për akte terroriste nuk është që ka arritur në shkallën më të lartë, respektivisht Kosova është njëjtë e rrezikuar sikurse vendet e tjera të rajonit”, ka thënë ai.

E duke folur për terrorizmin ai ka përmendur edhe rastin e djaloshit 29-vjeçar Albert Berisha, i cili kishte shkuar për të luftuar në Siri e Irak e me t’u kthyer në Kosovë është dënuar më tre vjet e gjashtë muaj burg.

Për këtë Ramadani ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të rivlerësojnë disa prej masave ligjore që në raste të caktuara individuale të gjinden mënyra alternative të dënimit.

“Institucionet e Kosovës të rishikojnë respektivisht të rivlersojnë disa prej masave ligjore dhe të shohin mundësitë, pra të bëhet një analizë e saktë e mundësive që në raste të caktuara individuale të gjinden mënyra alternative të dënimit kryesisht përmes punës në komunitet dhe angazhimit për radikalizim dhe parandalim të ekstremizmit të dhunshëm, sepse bëhet fjalë për raste krejt specifike për të cilat ka nevojë të rivlerësohet aspekti i normave ligjore në Kosovë”, ka thënë ai.

“Ne kemi avokua ndryshimin e këtyre normave ligjore për t’i dhënë hapësirë ose mundësi që rastet individuale të trajtohen në një falje ose amnesti të monitoruar duke i vendosur individët e tillë në punë komunitare për të ndihmuar parandalimin dhe redikalizimin e të rinjve”, ka pohuar Ramadani.

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it, ka vendosur që aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, ta vënë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në Pekin të Kinës, nga data 26 deri më 29 shtator 2017.

Kosovës i duhen dy të tretat e votave të shteteve prezente anëtare të INTERPOL-it, në mënyrë që të sigurojë një vend në këtë institucion të sigurisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera