Lajme

Shteron uji në Vatikan, shatërvanët mbyllen nga thatësira

Autori: Gazeta inFokus 13:22 | 25 July 2017

Peshën e thatësirës së zgjatur në Itali ka nisur ta ndiejë edhe Vatikani, që vendosi të mbyllë 100 shatërvanët e famshëm të tij, përfshirë dy kryeveprat e stilit barok në sheshin e Shën Pjetrit.

Vapa mbytëse pason një periudhë dyvjeçare reshjesh shiu nën mesataren, që ka detyruar autoritetet lokale të urdhërojnë masa për përdorimin e kufizuar të ujit në gati 20 komuna pranë kryeqytetit italian.

Është hera e parë që drejtuesit e banesës shpirtërore të 1.2 miliardë katolikëve të botës shtrëngohen të mbyllen shatërvanët, por më shumë kjo bëhet në shenjë solidariteti me Romën gjatë krizës së paprecedent.

-Advertisement-

“Për aq sa mbajmë mend ne, kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Roma është e bekuar me ujë dhe ky rast përbën një përjashtim”, deklaroi Greg Burke, zëdhënës i Vatikanit. Banorët janë befasuar edhe ata nga gjesti i selisë së shenjtë.

“Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë. Kjo është hera e parë që mbyllen shatërvanët e Vatikanit”, thotë Cristina, banore e Romës.

Lëvizja, sipas Radio Vatikanit, është në një linjë me predikimet e Papa Françeskut mbi mjedisin. Frikat e tij ekologjike, ati i shenjtë i parashtroi në një dokument kushtuar kësaj teme në 2015-n, ku denonconte praktikat e shpërdorimit dhe theksonte rëndësinë e ujit të pastër të pijshëm.

Thatësira e madhe ka goditur dy të tretat e tokave bujqësore në fqinjin e përtej Adriatikut, ndërsa kostoja e saj deri tani llogaritet diku tek 2 miliardë eurot. Romës po i merret fryma pasi korriku solli 72% më pak shi se normalja dhe kjo pasoi një qershor me reshje 74% më të ulëta, ndërsa një tkurrje prej 56% e nivelit të shiut në kryeqendrën e Italisë ishte regjistruar edhe në mars, prill e maj.

Kjo pranverë ka qenë e treta më e thata në Itali prej 6 dekadash.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
-Advertisement-

Të tjera