Lajme

Shtëpizat “Verë n’dimër” sjellin ngrohtësinë edhe këtë vit për qytetarët e Prishtinës

Autori: Gazeta inFokus 19:12 | 08 December 2019

Festat e fundvitit po i bëjnë edhe më të mira shtëpizat e vogla prej drurit të cilat janë të vendosura në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Këto shtëpiza ku qytetarët kanë mundësi të kalojnë kohë dhe të shërbehen me pije të nxehta po qëndrojnë të hapura çdo ditë nga mëngjesi deri në mesnatë, në kuadër të aktivitetit “Verë n’dimër” që është një lloj mbështetjeje për bizneset e vogla dhe për këtë aktivitet ka dhënë leje vetë Komuna e Prishtinës.

Gent Maloku përfaqësues i “Shtëpiza te Babadimri”, tha për KP se konsumatorët vizitojnë shtëpizën  e tyre për kafen turke, verën e nxehtë, çajin dhe rakinë.

-Advertisement-

“Shtëpiza jonë i ka 4 produkte shumë të thjeshta, kemi menduar t’i bëjmë të thjeshta pasi e dimë që ka edhe shumë konkurrencë. Kemi menduar t’i bëjmë sa më të thjeshta që njerëzit që dëshirojnë vijnë te shtëpiza jonë për 4 arsye shumë të thjeshta, e para kafja turke, që kush dëshiron të ndalet te sheshi për të pirë një kafe turke mund të ndalet. E dyta është vera e nxehtë, për momentin e kemi vetëm verën e kuqe, i treti është çaji dhe e katërta është rakia e shtëpisë”, tha Maloku.

Pronari i shtëpizës “Patkos Minidonas” , Patriot Syldashi, thotë se organizime të tilla për fund vit janë shumë të qëlluara për qytetarët.

“E fillova me këtë biznes edhe për veten edhe për komunitetin për Prishtinën, prodhojmë dhe shesim krofne të vogla “Mini Donas”, këtu prodhohen dhe këtu shiten menjëherë. Është një event shumë i mirë për qytetarët dhe për Prishtinën që festohet dhe manifestohet kështu fundviti”, tha Syldashi.

E qytetari Sadri Haziri, shprehet i lumtur me atmosferën që po mbretëron në sheshet e Prishtinës.

“Dola të pi një makiato, e pashë një atmosferë të këndshme. Thash ta marr edhe unë një makiato, ta provoj si plak. Makiato është shumë e mirë, një atmosferë e shkëlqyeshme, veç shpresoj koha na mban kështu e këto gjeneratat e reja e ky popull këtu e kalon shumë mirë dhe shumë bukur”, tha ai.

Qytetarja Emira Ajeti tha  se po e shijon atmosferën në shesh dhe është e kënaqur që këtë vit përveç shtëpizave, ka edhe tavolina dhe ulëse që mund të kalojnë kohë aty. E vetmja gjë e keqe sipas Ajetit është se njerëzit nuk po i mbledhin gotat që pinë, por po i lajnë aty.

“Atmosfera në shesh është shumë e mirë edhe sivjet, edhe viteve të kaluara ka qenë, sivjet po me pëlqen shumë që i kanë vendos edhe këto tavolinat në mes, për të mundur njerëzit të ulen edhe më shumë, kështu që shumë mirë, e vetmja gjë që ia vlen me cek, njerëzit duhet t’i mbledhin gotat që pinë verë, kafe dhe çaj, se po i lajnë zakonisht në mes, është përgjegjësi e gjithsekujt sepse është vend publik”, tha Ajeti.

Edhe qytetarja, Aurela Bislimi u shpreh e lumtur me atmosferën te shtëpizat e drurit, pasi ky ambient po frekuentohet si nga të rinjtë ashtu edhe nga të moshuarit.

“Në krahasim me vitin tjetër tash dritat kanë dalë pak më herët, rregullimi është bërë pak më herët, ambient i mirë, edhe rini edhe me të vjetër, krejt po dalin si ditën si natën, atmosfera shumë e mirë”, tha Bislimi.

Ndryshe, shtëpizat e drurit janë sjellë në kuadër të organizimeve që janë bërë nga Komuna e Prishtinës për këtë fund vit.

Deri më 30 dhjetor, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se do të ketë performanca të ndryshme artistike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera