Shtëpia e Bardhë: Rusia po përgatitet të aneksojë më shumë territor ukrainas

Autori: Gazeta inFokus
11:07 | 20 July 2022
Rusia po përgatitet që të aneksojë më shumë territor ukrainas dhe po instalon liderë “të paligjshëm” në zonat që ka nën kontroll, tha Shtëpia e Bardhë më 19 korrik.
John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë se Rusia po planifikon që të organizojë “referendume të rreme” në zonat që ka pushtuar më së afërmi në shtator. Ai, po ashtu, tha se Moska po përgatitet që rubla ruse të përdoret si monedhë dhe t’i detyrojë banorët që të aplikojnë për shtetësi.
Rusia gjithashtu po tenton që të marrë kontrollin e kullave transmetuese, tha Kirby, duke shtuar se këto janë vlerësimet e inteligjencës amerikane.
“Rusia ka nisur që të nxjerrë versionin e saj, të atij që e quan libër të aneksimit, shumë të ngjashëm me atë që pamë më 2014” kur pushtoi dhe më pas aneksoi Krimenë, tha Kirby.
“Rusia veçse ka nisur që të instalojë zyrtarë të paligjshëm në zonat në Ukrainë që i ka nën kontroll”, shtoi ai.
Zonat që janë në shënjestër të aneksimit përfshijnë Hersonin, Zaporizhjan dhe të gjithë Donjeckun dhe Luhanskun.
“Aneksimi me forcë do të ishte një shkelje e rëndë e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ne nuk do të lejojmë që një gjë e tillë të mbetet e pandëshkuar”, tha Kirby.
Një raport i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i publikuar javën e kaluar, tha se Rusia po i detyron qytetarët ukrainas që të pranojnë pasaporta ruse.
Kirby tha se po bën të ditur sërish planet ruse “në mënyrë që bota ta di se çdo aneksim i mundshëm është i paramenduar, ilegal dhe jolegjitim”.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha se SHBA-ja do të përgjigjet ndaj veprimeve të Rusisë “menjëherë dhe ashpër, në koordinim me aleatët dhe partnerët tanë”. Përgjigja përfshin sanksione ndaj “liderëve jolegjitimë” të emëruar nga Rusia, tha ai.
Ai po ashtu paralajmëroi se SHBA-ja do të prezantojë në ditët në vijim paketën e re me armë për Ukrainën, që pritet të përfshijë më shumë sisteme HIMARS.
Britania: Rusia po bën përparim minimal në Donbas
Më 20 korrik, inteligjenca ushtarake britanike tha se ndonëse kanë disavantazh numerik, mbrojtësit ukrainas po vazhdojnë të mbajnë linjën në lindje kundër forcave ruse të cilat po bëjnë “përparime minimale”.
Gjetkë, forcat ukrainase kanë goditur një urë kyçe mbi lumin Dnipro, në territorin e pushtuar nga Rusia, tha inteligjenca britanike, duke shtuar se se megjithëse ura ka të ngjarë të jetë ende e përdorshme, ajo mbetet “një dobësi kyçe” për forcat e Moskës.
Në buletinin e inteligjencës britanike u tha se kontrollin e vendkalimeve në Dnipro pritet të bëhet faktor kyç që do të ndikojë në rezultatin e luftimeve në zonat e kontrolluara nga Rusia në perëndim të Dnipros, ku përfshihet edhe qyteti kyç i Hersonit “i cili është i rëndësishëm për Rusinë në aspektin simbolik dhe politik”.
Vlerësimi i fundit i inteligjencës perëndimore vjen teksa ushtria ukrainase raportoi për granatime dhe sulme në disa zona të vendit, që kanë shkaktuar viktima në mesin e civilëve larg vijave të frontit.
Të paktën një person u vra nga sulmet me raketa ruse që shënjestruan qytetin lindor ukrainas të Kramatorskut. Ky qytet është shndërruar në objektivin kyç të ofensivës ruse në lindje të Ukrainës.
Zyrtarët ukrainas thanë se raketat ruse kanë goditur më herët edhe qytetin-port të Odesës dhe qytetin Toreck, që gjendet në lindje të Ukrainës.
Kievi ka akuzuar forcat ruse se po intensifikojnë sulmet ajrore ndaj caqeve që gjenden shumë larg vijave të frontit, duke vrarë numër të madh të civilëve. Moska deklaron se po godet objektiva ushtarakë.
Presidenti Volodymyr Zelensky, – i cili më herët ka deklaruar se Ukraina është e aftë për të shkaktuar “humbje të konsiderueshme” ndaj forcave pushtuese falë një fluksi të armëve moderne perëndimore – u tha ukrainasve se Kievi po krijon një komision parlamentar për të rregulluar përdorimin e armëve që ka pranuar nga Perëndimi.
Këto komente të Zelenskyt të bëra në orët e vona të 19 korrikut, duket se janë përgjigje ndaj disa raportimeve mediave që thanë se disa zyrtarë perëndimorë janë të shqetësuar se armët perëndimore mund të përfundojnë të shitura në tregun e zi ose të kontrabandohen jashtë vendit.
Disa ligjvënës amerikanë në Uashington kanë kritikuar Pentagonin se nuk po monitoron siç duhet armët që SHBA-ja po i dhuron Ukrainës.
“Dua të theksoj: nuk ka vend për pretendime për shtetin tonë sa i përket kësaj çështjeje”, tha Zelensky, duke iu referuar armëve perëndimore.
“Por, për të eliminuar të gjitha fabrikimet e bëra nga propagandistët rusë dhe ata që i ndihmojnë rusët në Ukrainë dhe gjetkë, ky komision parlamentar do të krijohet”, shtoi ai.
Analistët ushtarakë pajtohen se armët perëndimore, siç janë sistemet e prodhimit amerikan, HIMARS, mund të ndryshojnë luftën në të mirë të Kievit, pasi këto sisteme janë shumë më të sakta për të sulmuar objektivë në distanca të mëdha./REL

Të tjera
-
Gjyqtarja nuk e lë të marrë pjesë avokatin e familjes së Agon Zejnullahut në seancën ndaj 5 policëve
Asdren Hoxha, avokati i familjes së Agon Zejnullahut, ka deklaruar se nuk ësh...
-
Mbërrijnë në gjykatë policët që dyshohet se e vranë 27-vjeçarin Agon Zejnullahu
Një rreshter dhe katër zyrtarë policorë, të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit...
-
Bisedimet për armëpushim në Gaza, Trump dhe Netanyahu takohen për herë të dytë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netan...
-
I publikoi në rrjete sociale, policia në Lipjan konfiskon dy pistoleta dhe 17 fishekë
Njësitet policore në Lipjan kanë ndërhyrë dhe kanë konfiskuar armë zjarri pas...
-
Kërc*ënohet një polic në Lipjan: Iu publikuan foto dhe mesazhe në rrjete sociale
Një zyrtar i Policisë së Kosovës në Lipjan është bërë objekt i kanosjes përme...
-
Pamjet e fundit: Polici ia mbajti gjurin në qafë për afro 50 sekonda Agon Zejnullahut
Pamjet e fundit të publikuara nga një faqe “Rrjeti” dëshmojnë momentet kritik...
-
Sot nis Kampionati Evropian i ESports, Kosova nikoqire
Për herë të parë në histori, Kosova do të jetë nikoqire e Kampionatit Evropia...
-
Miftaraj thotë se ka informacione se autopsia përcaktoi se Agon Zejnullahu u ngufat nga Policia
Në duart e policëve, i prangosur, një 27-vjeçar vdiq në rrugë mesnatën me...
-
Vdiq duke shpëtuar turistët, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes
Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së (Forcat e Ndërhy...
-
Dhoma e Tregtisë i kërkon Avokatit të Popullit nisjen e hetimit për bllokadën e automjeteve të bizneseve
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar Institucionit të Avokatit të Popul...
-
Arsyet pse BE-ja nuk ka vendosur sanksione të reja kundër Rusisë
Bashkimi Evropian është një hap larg miratimit të paketës më të re të sanksio...
-
Publikohet audioincizimi nga një aktivitet privat, Trump: I thashë Putinit se do të bom*bardoja Moskën nëse pushton Ukrainën
Presidenti amerikan Donald Trump u tha donatorëve të mbledhur në një aktivite...