Shëndetësi

Shtatzënia, sugjerimet për t’u bërë ballë temperaturave të larta

Autori: Gazeta inFokus 15:56 | 31 July 2017

Pritja e një fëmije në këtë periudhë vere mund të bëhet shumë e rëndë për një nënë të re, e cila ndihet vazhdimisht e lodhur dhe e rraskapitur.

Ja atëherë këshillat për të luftuar të nxehtin në mënyrën e duhur gjatë shtatzënisë.

Vera e këtij viti duket se nuk ka të ndalur me temperaturat e larta. Kjo periudhë e vitit mund të jetë shumë e vështirë, sidomos për femrat të cilat presin një fëmijë dhe janë të detyruara të qëndrojnë në qytet.

-Advertisement-

Barku i madh në verë është shumë i lodhshëm, bezdisjet dyfishohen dhe përballimi i temperaturave të larta bëhet edhe më i vështirë.

Ideale është që të përdorni një kondicioner, si në shtëpi ashtu edhe në zyrë, edhe pse mund të ketë rreziqe. Mamatë e ardhshme, të cilat nuk e posedojnë një të tillë, mund të ndjekin një seri këshillash për të përballuar më mirë stinën e nxehtë dhe për të rigjetur mirëqenien.

Pini shpesh

Kjo këshillë vlen në fakt për të gjithë. Pirja e shpeshtë e ujit në verë, ndihmon në mbajtjen e trupit të hidratuar në mënyrë perfekte. Femrat të cilat presin një fëmijë, duhet të mendojnë edhe për të voglin, sepse pirja e ujit është e mirë për lëngun amniotik; uji rikthen kripërat minerale të humbura gjatë djersitjes, ndërsa redukton fryrjen dhe ndjesinë e peshës.

Mos qëndroni në një vend

Edhe pse i nxehti e bën edhe një shëtitje të thjeshtë shumë të rëndë, femrat të cilat presin një fëmijë, nuk duhet të qëndrojnë vetëm ulur, por përkundrazi, duhet të lëvizin sa më shumë të mundin. Në këtë mënyrë, përmirësoni jo vetëm qarkullimin e gjakut, por edhe humorin. Ideale është të dilni në mëngjes herët ose në mbrëmje pas orës 19 në ndonjë vend të gjelbëruar.

Notoni

Noti është sporti ideal për t’u praktikuar gjatë shtatzënisë, sepse vë në lëvizje shtyllën kurrizore nga pesha e barkut. Ky sport ul fryrjen dhe peshën në këmbë. Ndaj noti është një zakon i mirë për t’u praktikuar deri në fund të shtatzënisë. E rëndësishme është të shmangni orët më të nxehta të ditës dhe të përdorni gjithmonë një mbrojtje të lartë kundra diellit.

Konsumoni sa më shumë fruta dhe perime

Ushqyerja është thelbësore për të luftuar të nxehtin. Sidomos gjatë shtatzënisë duhet të shmangni ushqimet e rënda dhe vështirësisht të tretshme; dhe të preferoni frutat dhe perimet, të cilat përmirësojnë presionin e gjakut dhe rrisnin sasinë e lëngut amniotik. Ideale janë pjeshkat, kajsitë, pjepri, shalqiri, domatet, marulet dhe trangujt.

Kontrollojeni shpesh tensionin

Gjatë shtatzënisë mund të vuani nga luhatjet e tensionit dhe me siguri, ndryshimet e papritura të temperaturave të kohëve të fundit, nuk ndihmojnë aspak në këtë pjesë. Ndaj, është mirë që ta kontrolloni shpesh presionin e gjakut, për të shmangur çdolloj problemi të pakënaqshëm.

Temperatura e lartë gjatë shtatzënisë dëmton fëmijën

Foshnjat e lindura nga nënat të cilat kanë pasur temperaturë të lartë gjatë shtatzënisë më shumë se dy herë, mund të kenë probleme serioze në zhvillim, përfshirë prapambetjen mendore dhe autizmin. Sipas një studimi të shkencëtarëve amerikanë, të realizuar kohë më parë, temperatura gjatë periudhës së shtatzënisë e dyfishon mundësinë që fëmija të lindë me probleme të zhvillimit të trurit dhe të vuajë nga autizmi.

Për këtë arsye, mjekët rekomandojnë që gjatë kësaj periudhe, nëse kanë temperaturë të lartë, gratë shtatzëna duhet të marrin menjëherë mjekimin e duhur për të mundësuar uljen e temperaturës, pasi kështu mund të luftohen edhe efektet negative të saj në fetusin që është duke u zhvilluar.

Paracetamoli është i vetmi ilaç i rekomanduar për shtatzënat, ndërsa në çfarëdo rasti më të rëndë, është mirë të konsultohet mjeku gjinekolog.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera